“Miliardi” që mund të rrezikojë Shqipërinë
Përmes një serie deklaratash politike dhe disa tubimesh mes militantësh, kohët e fundit po promovohet në publik me germa të mëdha “One Billion Project” – një miliard dollarë më shumë që do t’u shtohen investimeve publike gjatë katër viteve në vazhdim. Efektivisht, duke shtuar dhe investimet publike të programuara sipas rregullave normale buxhetore, investimet publike pritet të shkojnë në 1 miliard dollarë në vit! Kjo është gjëja më e dëshirueshme dhe që publiku sigurisht që e mirëpret. Madje, për nga nevojat vendi ynë do të kishte mirëpritur edhe dyfishin e kësaj shume investimesh vjetore edhe për shumë vite të tjera, që të arrijmë të ndërtojmë shkollat që duam, spitalet që dëshirojmë, infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore europiane, uji të pijshëm nga çezmat etj. Por nevojat nuk shkojnë gjithnjë në të njëjtin hap me mundësitë dhe kur e shtrin këmbën më shumë nga sa ke jorganin, siç thotë populli, rrezikon të marrësh plevitin.
Nuk është një gjë e re pasioni i politikës për ta përshpejtuar historinë e zhvillimit ekonomik. Por rezultatet kanë qenë jo shumë interesante dhe ajo që përpjekje të tilla kanë lënë pas janë histori krizash financiare, të cilat e kanë zhbërë mirëqenien dhe progresin e sforcuar të përpjekjeve të tilla. Në kohët moderne, kjo eksperiencë vjen në SHBA menjëherë pasi ish-sekretari amerikan i thesarit dhe arkitekti i tregut financiar amerikan, Aleksandër Hamilton, projektoi arkitekturën fiskale dhe financiare të SHBA. Që në mesin e viteve 1800, shtetet dhe lokalitetet, të cilat kishin pushtet të plotë fiskal dhe shpenzimesh lokale, filluan të ndërtojnë vepra të mëdha publike, të cilat nuk do të financoheshin nga taksat, por nga grumbullimi i të ardhurave që do të krijonin këto vepra përgjatë viteve të shfrytëzimit.
Rezultati: një mal me borxhe të reja të krijuara, të cilat u morën përsipër nga federata, derisa u ndaluan praktika të tilla. Në kohët e sotme, filluan të aplikohen projektet e njohura edhe nga publiku ynë, si Partneritet Publik-Privat. Domethënë, që një investitor privat që dëshiron të ndërtojë një rrugë, e gjen vetë financimin, harton projektin, e zbaton dhe menaxhon rrugën duke vjelë të ardhurat nga tarifat. Nëse të ardhurat janë të pamjaftueshme në raport me parashikimet, buxheti i shtetit duhet të paguajë diferencat. Problemi është se këto diferenca asnjëherë nuk njihen dhe asnjëherë nuk jemi të sigurt se sa do të jetë shifra e borxhit publik në vitet pasardhëse.
Për këtë arsye, rregullat e transparencës fiskale kërkojnë që këto detyrime kontingjente të kontabiliziohen në llogarinë e borxhit publik. Meqenëse një gjë e tillë na e rëndon menjëherë malin e borxhit dhe rrezikojmë të hyjmë në një krizë të menjëhershme borxhesh, atëherë ndjekim një rrugë më të sofistikuar: shndërrojmë një stok borxhi në flow, domethënë, regjistrojmë vetëm shërbimin vjetor të borxhit të nënkuptuar dhe kështu që jemi brenda vijës së kufizimit buxhetor që vendos Kuvendi.
Pikërisht këtë bëri dhe Greqia për të ulur stokun e borxhit publik, në mënyrë që të arrinte parametrat që kërkonte Traktati i Mastrihtit: nëpërmjet një kontrate SWAP me Goldman Sacks transformoi stokun në flow dhe si me magji i plotësoi kriteret e Traktatit brenda natës! Por kjo rezultoi të ishte një ëndërr e frikshme! Pa kaluar shumë kohë, shpërtheu kriza e borxhit që e rrënoi Greqinë dhe sot dhimbshurisht, qytetari grek ka të njëjtin standard të mirëqenies si 20 vite më parë – u rrënuan gati dy dekada përpjekjesh ekonomike dhe sakrificash kombëtare! Personalisht besoj se edhe ne po rrezikojmë të njëjtën gjë. Problemi i dytë i kontratave të tilla është mungesa e plotë e transparencës dhe ushqyerja prej tyre e praktikave korruptive.
Hamilton dhe shtetarët amerikanë më shumë se barrën e borxheve të krijuara, kishin sulmuar ashpërsisht përhapjen e praktikave korruptive midis zyrtarëve në aplikimin e kontratave të tilla. Këto kontrata nuk do t’u nënshtrohen rregullave standarde të prokurimeve publike, pra më së shumti do të bëhen negociata private. Kjo edhe për shkak të kompleksitetit që kanë këto transaksione, ku pleksen projekti teknik, paketa e financimit etj., dhe ku vlerësimi i tyre bëhet një proces aq i ndërlikuar saqë mundësitë për korrupsion janë lehtësisht të aksesueshme nga zyrtarët publikë.
Në kontekstin e gjendjes së ekonomisë sonë, të financave publike, të dobësive institucionale dhe përhapjes së gjerë që ka fenomeni i korrupsionit midis zyrtarëve, përdorimi i këtij “inovacioni” financiar vetëm se do t’i përkeqësonte edhe më shumë gjërat për ekonominë e vendit dhe për qytetarët. Në mitologji është e njohur figura e Prokrustit, i cili, pasi i gostiste miqtë me gjithë të mirat, në darkë i fuste në krevat dhe nëse mysafiri ishte më i gjatë se krevati, i këpuste këmbët; nëse ishte më i shkurtër, i tërhiqte këmbët që të ishte baras me krevatin.
Do të ishte e mençur që të mos i fusim dhe ne qytetarët në shtratin e Prokrustit, pasi fati do të ishte i keq në të dyja rastet! Historia ka treguar se mirëqenia nuk mund të blihet paradhënie dhe se çdo përpjekje e tillë, ka mbjellë më shumë mjerim dhe destabilitet sesa mirëqenie dhe kohezion social.
"Panorama"
Comments
Vetem rrezikoje??? Thuaje
Vetem rrezikoje??? Thuaje troc profesor, do t'a coje per lesh bubi.
Ps. ndjese redaksise per shprehjen!
Add new comment