Qeveria që erdhi për të vjedhur Shqipërinë

Postuar në 30 Janar, 2017 14:41

Ylli Manjani duket se ka bërë një gjest politik edhe personal në ikjen e tij nga detyra e ministrit të Drejtësisë. Ai ka folur për shumë paudhësi të kësaj qeverie, e cila u bërtet dhe u mban shkopin në dorë qytetarëve edhe për një faturë të papaguar dritash, por nga ana tjetër ushtron një pushtet të ndërthurur me trafikantë dhe përfiton nga një ekonomi e krimit.

Akuzat e Manjanit për Balilin, për drejtorët e policisë që hanë e pinë në hotelin e tij në Sarandë, për mënyrën sesi zhvillon mbledhjet qeveria, si merr vendimet, sesi një nënpunës anonim, një askush si Engjëll Agaçi ndërhyn dhe fut hundët ngado, sesi një njeri pa identitet dhe personalitet si Endri Fuga ka të drejtën e lejes për të folur për ministrat, zbulojnë atë realitet që është përfolur gjatë në media. E cila është akuzuar gjerësisht si media kazani, se shpif dhe trillon, se nuk di të verifikojë, e se është e njëanshme. Prej të gjithave vetëm kjo e fundit duket se i qëndron disi të vërtetës. Të tjerat janë ashtu siç janë thënë e shkruar dhe deklarimet e sotme të ministrit, që mund të kualifikohen nga ministrat e Edi Ramës si pjesë e “Frontit të së keqes”, apo si deklarata personale, mbeten si epitafi i një qeverie që sapo ka zbuluar veten se funksionon si bandë.

Nuk ka shumë për të thënë për një gjë si kjo që quhet qeveria shqiptare, pasi tashmë ajo ka ofruar vetveten si spektaklin e turpit, si cirkun fatkeq të Shqipërisë ku luajnë vetëm Garagantuatë e pangopur. Duke nisur nga kryeministri.

Problemi që shtrohet këtu është i natyrës politike dhe shkon më tej, prek sigurinë e vendit. Kemi një ministër që shkarkohet dhe deklaron se policia e shtetit dhe ministrat mbajnë lidhje me një person të kërkuar. Nga ana tjetër kemi paradoksin e madh që partia e këtij ministri, LSI-ja, vazhdon të qëndrojnë në koalicion. Kjo është diçka që na hedh të gjithëve pështymën në fytyrë, na konfirmon se vetëm një Pazar nuk prishet për asgjë në botë: ai i vjedhjes bashkë. Kjo nuk është është retorikë, kjo sapo është zyrtarizuar si akt normativ i kësaj qeverie.

Akuzat e rënda të ministrit të Drejtësisë duhet të prodhojnë një pasojë, këtë e kërkon logjika politike, por edhe statusi i një vendi që aspiron Europën. Kemi një Ministri të Brendshme që funksionon si organizatë kriminale e që bën sikur nuk dëgjon.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare duhet të marrë në analizë këto thagma që po denigrojnë një popull të tërë, edhe pse ka pak arsye të besohet se diçka pozitive mund të vihet në lëvizje. Këshilli ka karakter këshillimor, por ai mund të publikojë një deklaratë, një konkluzion.

Në finale kjo që sapo ndodhi hap një debat mbi mënyrën dhe moralin e votimit. Jemi afër zgjedhjeve dhe disa subjekte të reja politike kanë lindur. Kuptohet bashkë me problemet e tyre. Por një votë e shpërndarë në vitin 2017, ndonëse nuk do të prodhonte një pushtet, do të ishte një mënyrë për të mos falur edhe këtë të drejtë te kjo bandë hajdutësh që kanë përuruar sot ditën e parë të karnevaleve të veta. Për të mos pranuar buzëqeshjet e arrogantëve adoleshentë të cilët Edi Rama i servir sot si zgjidhja, e për të mos lejuar më që “burri” Ilir Meta të shëtisë me llogari të mbaruara.

Nuk ka më asnjë mesazh të koduar: Kjo është qeveria që erdhi për vjedhur Shqipërinë. E ka në traditë këtë gjë.

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Zalo nuku eshte dakord. Qeveria duhet te rri derisa princi i Bashkise te behet i forte, dmth te kete vjedh mjaftueshem, qe te blej partine. Ka bere nje sondazh ai per kete pune.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Karnevalet e kesaj mender Qeverie kane filluar qe diten e pare kur u formua nga bashkimi i Sebepçiut te 21 Janarit me ate qe e nxiti 21 Janarin. Populli krenar dhe i 10re shqiptar e ka ngrene kallamin qysh ne fillim te heres. E keqja eshte qe edhe tashti qe vashdojne t'ia trashin kallamin nuk e merr vesh qe keta hajduter duhen shporrur me vote.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.