"Dhuroji të dashurve të tu një fjalë të shkruar me dorë!"
Sa kohë keni që nuk shkruani me dorë? Pa parë radhët e një fletoreje që mbushen me bojën blu që lëshon stilolapsi? Shumëkush do të përgjigjej, që në kohën e Fakultetit. Kompjuterët i hapën rrugën një zhvillimi, por me koston se likujdimit të disa “zakoneve” që janë të vyera. Një nga këta është edhe shkrimi i dorës, i cili në ndryshim nga prodhimi unik I tastierës, ofron identifikim të dyfishtë: mënyra e të shprehurit në kombinim me kaligrafinë.
Në Itali, revista “Scrittura”, botim i Institutit Ndërkombëtar Grafologjik e cilëson shkrimin me dorë një pasuri të njerëzimit, një të drejtë që duhet mbrojtur, kultivuar. Grafologu Claudio Garibaldi jep disa këshilla për këtë temë, kaq e afërt për të gjithë ne, e që na sjell në mendje gjëra të thjeshta, por kaq të dashura dhe të braktisura në rrëmbimin e së përditshmes: Pena e parë, shishja e bojës, veshja e fletoreve, mësimi i shkronjave, përpjekja për Bukurshkrimin etj..
Garibaldi thotë në intervistën për “Avvenire” se nisma e ndërmarrë për të drejtën e shkrimit me dorë, koordinator i së cilës ai është, synon në finale që të imponojë njohjen nga UNESCO si pasuri e njerëzimit. “Secili prej nesh mund të japë një kontribut”, thotë ai që shpjegon se si filloi kjo nismë e cila ka gjetur jo pak mbështetës. Në Facebook është hapur një faqe e posaçme dhe në një nga videot promovuese thuhet: Dhuroju të dashurve të tu një fjalë të shkruar me dorë!
Përtej mbështetjes që nuk ka munguar edhe nga institucione apo zyrtarë të lartë, mbetet fakt që “shkruhet pak me dorë dhe lexohet pak”. Nuk mungojnë edhe kritikat për nostalgji dhe anakronizëm nisur nga fakti se zhvillimi thuhet se është i pakthyeshëm.
Por pse ka vlerë shkrimi me dorë?
“Të shkruash me dorë është një nga sjelljet më komplekse dhe edukimi i tij do të thotë të promovosh një formim harmonic. Indiferenca që ka zënë vend ndaj shkrimit me dorë bazohet pikërisht në konsiderimin e tij thjesht si mjet komunikimi duke neglizhuar domethënien antropologjike bazë: sjellje që përkthen në gjurmë grafike sinergjinë e dinamizmit psikolgjik, intelektual – operativ, relacional dhe biologjik të personit që e kryen. Është një gabim interpretimi që mund të ketë pasoja të rënda në përkufizimin dhe efikasitetin e proceseve pedagogjike”, thotë ndër të tjera Garibaldi. Një pohim me shumë vlerë, mjafton të kemi parasysh se shkrimi me dorë e bën shumë “të shtrenjtë” gabimin dhe korigjimin e tij, që shoqërohet me deformim estetik të së tërës, ndërkohë që në kohën dixhitale, gabimi drejtshkrimor thuajse nuk ekziston. Ai nuk e prek integritetin e tekstit për shkak se teknologjia mundëson zerimin e tyre pa lënë gjurmë.
Rëndësinë e shkrimit me dorë po e kuptojnë edhe kompani të prodhimit të celularëve që kanë përfshirë apkikime të penave dixhitale. Por asgjë nuk e zëvendëson shkrimin me dorë, atë të vërtetin që nuk mund të kuptohet pa një material që po del përherë e më shumë nga përdorimi: Letrën.
https://www.avvenire.it/agora/pagine/calligrafia?utm_content=buffer7189e...
Add new comment