Qeveria përmirëson trajtimin financiar për diplomatët jashtë vendit dhe familjarët e tyre
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit një sërë ndryshimesh të rëndësishme në ligjin për personelin e shërbimit të jashtëm dhe familjarëve që i shoqërojnë ata, duke propozuar një trajtim më të plotë financiar, handikap që shërbimi ynë i jashtëm e ka vuajtur në vite. Kështu qeveria vendosi që gjatë kohës së ushtrimit të detyrës në misionet diplomatike dhe postet konsullore jashtë vendit, personeli i shërbimit të jashtëm të përfitojë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qirasë së banesës, energjisë elektrike, ujit, gazit dhe ngrohjes.
Po ashtu ministria e Punëve të Jashtme mbulon shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të bashkëshortit/es të personelit të shërbimit të jashtëm për periudhën që ai e shoqëron personelin në shërbim.Bashkëshorti/ja i personelit të shërbimit të jashtëm përfiton shpërblim mujor në vlerën 50 për qind të pagës së pozicionit të punës, grada “Atashe”, të vendit të emërimit të personelit të shërbimit të jashtëm.
Çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç, që jeton me personelin e shërbimit të jashtëm në vendin pritës, përfiton shpërblim mujor me vlerën 20 për qind të pagës së gradës “Atashe”, të vendit të emërimit të personelit të shërbimit të jashtëm.
Në rastet kur në vendin pritës shkollat publike janë me pagesë, shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të personelit të shërbimit të jashtëm përballohen nga buxheti i misionit diplomatik ose postit konsullor përkatës deri në përfundimin e arsimit të mesëm.Për raste fatkeqësish (vdekja e prindërve, bashkëshortit/tes, fëmijës, vëllait dhe motrës), për anëtarin e personelit të shërbimit të jashtëm dhe bashkëshortin/en, nga Ministria e Punëve të Jashtme mund të mbulohen vetëm shpenzimet e udhëtimit për kthimin në atdhe dhe rikthimin në shtetin ku është misioni diplomatik ose posti konsullor.
http://www.kryeministria.al/al/newsroom/vkm/vendime-te-miratuara-ne-mble...
Add new comment