Kosova është Jeruzalem, aq sa Stambolli është Serbi...
Në çdo 7 janar, disa nga besimtarët ortodoksë (ata më fanatikët e riteve sipas Kalendarit të Vjetër) festojnë Krishtlindjen. Siç ka bërë për çdo rast të festave fetare edhe këtë herë kryepeshkopi serb Irinej iu drejtua të tijve me këto fjalë: “Derisa të ketë serbë, do të jetë edhe Kosova, për arsye se Kosova do të jetë dhe do të mbetet atdheu ynë, sepse aty janë Golgota dhe Jeruzalemi ynë”.
Duke përmendur “Golgotë dhe Jeruzalem” në ditën e Krishtlindjes, në mënyrën më afetare, kryepeshkopi serb, evokoi historinë e ndasive dhe të përçarjeve. Kush e njeh sado pak patriarkun e kishës serbe, nuk çuditet shumë nga zelli i tij për të provokuar me teza të tilla luftënxitëse mes sllavëve të Jugut dhe shqiptarëve të atjeshëm... Edhe në rastin e kësaj feste të madhe fetare (më e madhja në fakt) ku domosdoshmërisht kërkohet të përçohet mesazhi i paqes dhe i harmonisë mes njerëzve, Irinej bëri krejt të kundërtën. Kushdo që e dëgjon “urimin” e tij, e kupton se sa larg mirësisë dhe mëshirës së krishterë është ky serb i paudhë. Zoti e faltë!
Unë nuk do të merrem me të, se nuk pretendoj të ndreq të pandreqshmin, por do të analizoj gramatikisht frazën e tij. Periudha e ndërlikuar sintaksore fillon me pjesën e nënrenditur me nuanca të përziera rrjedhimore, shkakore dhe kohore: “Derisa të ketë serbë”. Ndërsa pjesa kryesore “do të jetë edhe Kosova” renditet e dyta. Pastaj vijojnë pjesët e tjera që, në vend se ta ftillojnë kuptimin, e çoroditin më shumë atë. Megjithatë, në këtë çorbë sintaksore, ajo që kuptohet është kumti që përcjellin “Kosova, Golgota dhe Jeruzalemi”. Ajo që i bashkon këto tre toponime është vetëm simbolika e gjakderdhjes. Ndërsa, ajo që i ndan, është e vërteta historike e kauzës së ndryshme të atyre luftrave. Asnjë lidhje tjetër nuk ka mes qëndresës së shqiptarëve autoktonë të Kosovës nga njëra anë, dhe, përfytyrimi mistik për atë ç’ka mund të ketë ndodhur në Golgotën e Jeruzalemit në vitin zero. Por një vështim gjuhëor i kësaj fjalie e nxjerr zbuluar Irenej-in, jo vetëm nga petku i atij që merret me punët e Zotit, por edhe nga ai i një njeriu me arsye normale...
Megjithë përkushtimin e jashtëzakonshëm e të përbashkët të (pseudo)historianëve, politikës dhe kishës, serbët ende nuk kanë zënë karar me emërtimin e Kosovës. Dmth, brenda në më pak se 100 vjetësh, serbët ia kanë ndryshuar shtatë herë emërtimin Kosovës. Krahasimi me “Golgotë dhe Jeruzalem” që në “urimin” e tij këto ditë të para të 2017-s kryepeshkopi Irinej rreket t’i japë një nuancë kuptimore të tetë, toponimisë së Kosovës.
Në të gjitha shkrimet historike dhe materialin hartografik të historiografisë serbe nga shekulli XIX e deri sot për Kosovën hasim këto emërtime: 1.“Kosovë”, 2. “Serbi e Vjetër” fillim i shekullit XIX deri më 1920-n), 3. “Serbia e Re” ( Nga vitet 1920 e deri në vitin 1940), 4. “Serbia Jugore” (po rreth atyre viteve 1920 – 1940, ku përveç territorit të sotëm të Kosovës, përfshihej dhe territori i Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë së sotme, si edhe Lugina e Preshevës, Metvegjë e Bujanovc), 5. “Kosovë e Metohi” (nga 31 janari i 1946-ës, kur u miratua Kushtetuta e RFPJ, deri më 7 prill 1963, kur u miratua Kushtetuta e ndryshuar nga “Popullore”, në “Socialiste” RSFJ), 6. “Kosovë/a” ( nga 1968 deri më 28 mars të 1998 kur qeveria e Beogradit anullon forcërisht autonominë që i njihte Kosovës Kushtetuta e RSFJ-së së 1974-s. 7. “Kosovë dhe Metohi” u riquajt edhe një herë, që më 1998-ën nga Serbia e Milosheviç-it e deri tek Serbia e sotme)
Me të njëjtën logjikë antihistorike (të ngjashme me këtë të Irinej-it), Tito-ja, në janar të 1946-s, bëri dhe emërtimin e Republikës së Maqedonisë. Këtë radhë, gjithnjë në kurriz të shqiptarëve, djallëzisht u sajua një faktor kinse “historik”. Ndërsa politika titiste, për uzurpimin e Kosovës edhe në kuptimin toponimik, do të thërriste në ndihmë “historinë” e një kishe në Rrafshin e Dukagjinit. Që atëherë, më 1946, u shpik emërtimi “Kosovë e Metohi”. Me këtë veprim antishkencor dhe antishqiptar, Tito plotësonte dëshirën e serbëve për “Serbi të Madhe” dhe njëkohësisht i ndihmonte ata të mos e vuanin sindromin e ardhacakut në Kosovë.
Le ta shpjegojmë se çdo të thotë “Metohi”: “Me” – është parafjala jonë (dhe e greqishtes) e rasës kallëzore, “to” – në greqisht është nyje shquese e shumësit të emrave në gjininë asnjanëse në këtë rast, dhe “hi”- në shqipen dhe greqishten e vjetër do të thotë “kishë”... Pra, “Metohi” dmth: “ me kishat”. Kështu, kur thuhet “Косово и Метохија”, në shqip do të thotë: “Kosova dhe me kishat”.
Pra kemi emrin e vendit (toponimin) që quhet “Kosovë”, në mes lidhëzen bashkërenditëse “dhe”, dhe, pas saj, përcaktorin “me kishat”. Logjika e këtij togu të sajuar fjalësh, sipas atyre që e përdorin, do të thotë se, meqenëse kur u dyndën serbët, ngritën edhe ca kisha apo manastire diku aty në Rrafshin e Dukagjinit, Kosova u bë Serbi?! Sipas kësaj logjike, meqenëse në Stamboll ndodhet kisha ortodokse më e madhe në botë, ajo e Shën Sofisë,.. edhe Stambolli duhet t’i takojë Serbisë(?!). Ndërsa sipas Irinej-it, meqenëse Kosova qenkërka Golgota dhe Jeruzalemi i tij, edhe Krishti qenkërka serb(?!).
Por serbët harrojnë faktin tjetër historik, se shumë nga kishat e tyre ortodokse u konvertuan si të tilla mu mbi ngrehinat e kishave katolike të shqiptarëve që gjetën aty. Kështu psh, kisha më e madhe ortodokse në Kosovë, pikërisht ajo e Deçanit në Rrafshin e Dukagjinit, dokumentohet se është ndërtuar mu mbi mbi ngrehinat e kishës katolike të shqiptarëve.
Edhe sot, po të shkosh në Nikaj e Mërtur, do të gjesh malësorë katolikë që, kur betohen, përdorin shprehjen e trashëguar në shekuj “Për kishë të Deçanit”, ç’ka provon origjinën e parë katolike të asaj kishe. Gjithashtu, nëse në shqip tema e fjalës “hi” – (kishë) është konservuar dhe ne kemi sot në shqip, fjalë të prejardhura prej saj, si p.sh kur i drejtohemi autoriteteve kishtarë: “hirësi/a”, mbiemri “i/e hirshëm(e), apo shprehja me modalitetin detyrues: “me hir ose pa hir”, që në kuptimin fillestar shpjegohet “me kishë apo pa kishë”, ky zhvillim i kësaj rrënje “hi” nuk ka ndodhur në gjuhët sllave.
Ky fenomen gjuhësor i munguar tek serbishtja, tregon edhe se sa e vonëshme është ajo në krahasim me gjuhët e banorëve të lashtë dhe autoktonë të Ballkanit, shqiptarëve dhe grekëve. Në greqishten e re, lidhja e emërtimit nga shqip – greqishtja e vjetër, ruhet tek lidhja mes emrave “kishë” (κυ) - [h(q)i] me “e dielë” (κυριακι) [h(q)iriaki]. Lidhja mes këtyre dy emrave “kishë”dhe “ e dielë” (e diela është dita që shkohet në kishë) ka të njëjtin rrugëtim etimiologjik me emërtimin “xhami” dhe “[xhuma]”.
E premtja, [e xhuma] tek arabët është dita që shkojnë në xhami dhe prej andej ka rrjedhur emërtimi i ditës së javës. Por në familjen e gjuhëve arabe, emri, gjatë lakimit të tij, ndryshimet e rasave i bën brenda temës. Ky është një fakt tjetër gjuhësor që provon se feja myslimane e shqiptarëve në Ballkan është shumë më e vonë nga autoktonia e tyre. Ishte pikërisht ndryshimi i sistemit gramatikor mes gjuhëve të shqiptarëve të moçëm dhe turqishtes, që i përkiste një familjeje tjetër (guturale), që bëri të pamundur asimilimin e shqipes.
Gramatika e shqipes, falë Zotit!, ishte kalaja e vetme që nuk ra për asnjë çast përgjatë pesë shekujve të pushtimit osman. Pikërisht për këtë, çdo analizë gjuhësore e atyre që duke “uruar” për Kosovën, duan ta përziejnë autoktoninë e saj me kishat dhe xhamijat, apo ta krahasojnë me Golgotë e Jeruzalem, ku presupozohet se është kryqëzuar Krishti, veç anës tragjike të mesazhit për gjakderdhje, dëshmon edhe anën qesharake të mendjeve të çoroditura... Pasi nxorrën Stambollin Serbi, këtë vit Irinej na la të kuptonim se Krishti paska qenë serb?! Zoti e faltë!..
Add new comment