Tirana zyrtare ngatërron Maqedoninë me LSI-në
Nikolla Gruevski është mandatuar tanimë nga presidenti maqedonas si njeriu që duhet të krijojë qeverinë e re. Nga ky moment, ish-kryeministri maqedonas, njeriu që dominon skenën politike në vend deri më tani, do të nisë një luftë nervash që zhvillohet pas kuintave dhe që synon të dakordësojë një marrëveshje që zgjidh krizën. Zoran Zaev mbetet në pritje të përpjekjeve të Gruevskit që ka deklaruar për gazetën “Dnevnik” se “unë do të përpiqem të krijojë qeverinë e re, por jo me çdo çmim”.
“Nëse ndjekim parimet e vendosura tashmë, unë do të jem në gjendje të krijoj qeverinë. Nëse këto parime shkelen, atëherë çdo gjë është e mundur”, shtoi ai.
Ai ka qenë shumë i qartë në mesazhin drejtuar Ali Ahmetit të BDI-së duke i kujtuar atij se VMRO-DPMNE, si parti e shumicës së sllavëve i drejtohet partisë kryesore të shqiptarëve për të krijuar një qeveri. Nëse Ahmeti vepron ndryshe, atëherë ky do të sanksiononte një precedent të rrezikshëm. Parimet sipas Gruevskit nënkuptohen se janë ato të Marrëveshjes së Ohrit, e cila është nënshkruar në vitin 2001 dhe vijon të përmirësojë standardet e zbatimit. Të paktën këtë kemi dëgjuar nga Ali Ahmeti deri më dje, i cili sot duket se është detyruar të firmosë një letër tjetër që e quajnë platformë. Në platforma zakonisht shkohet si nevojë përfaqësimi dhe nën presionin pozitiv të vullnetit për të arritur diçka, ndërkohë që në rastin konkret, kjo e ashtuquajtura platformë që në thelb destabilizon Maqedoninë, u realizua me dy vizita në Tiranë të Ahmetit dhe pas tij të tre përfaqësuesve të tjerë të shqiptarëve të Maqedonisë.
Për parime ka folur sot sërish edhe minstri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili nuk u mjaftua me një intervistë te “Panorama”. Bushati ka kritikuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, kur në një prononcim për Top-Channel, deklaroi se “Barazia, liria dhe demokracia si tre elemente themelore të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur, apo në atë mënyrë siç parashikonte Marrëveshja e Ohrit, çka të lë një përshtypje apo shije të hidhur që kemi të bëjmë me dy komunitete, që në fakt janë shtetformues, sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët, të cilët pak komunikojnë me njëri-tjetrin. Besoj se ky është momenti i artë për faktorin politik shqiptar për t’u bërë së bashku dhe për të avancuar këto çështje”.
Më tej me një gjuhë që socialistët e kanë kultivuar gjatë katër viteve në marrëdhënien me LSI-në dhe mandej me qytetarët shqiptarë, ministri i Jashtëm, deklaroi se për çështjen e koalicioneve Shqipëria mbetet neutrale!!!
“Shqipëria është neutrale përsa i përket mënyrës sesi mund të formësohen koalicionet në Maqedoni, është një përgjegjësi totalisht e partive, të cilat janë të përfaqësuara në Parlamentin e Maqedonisë. Për ne, rëndësi ka mbështetja e kësaj platforme e cila vjen si produkt i partive parlamentare shqiptare në Maqedoni”, shtoi ai.
Mirëpo me platformën e re nuk kemi thjesht përparim të të drejtave, por ndryshim të paradigmave shtetërorë në Maqedoni dhe kjo është diçka shumë e madhe që të imponohet vetëm përmes kësaj loje që zhvillohet nga televizioni. Këtë teatër me skenar vetëm një fjali “Jemi shumë mirë, nuk ndërhyrjmë”, e kemi parë me koalicionin e ngjalave që shkoi shumë mirë për katër vjet duke u zënë e duke shantazhuar me burg reciprokisht. Ministri shkon shumë larg në shfaqjen e vet teatrale kur i mvesh partive shqiptare në Maqedoni ndasi ideologjike, ndërkohë që kemi të bëjmë me klube dhe grupime që luftojnë vetëm për pushtet.
Dalja e ministrit përbën në thelb një sintonizim dhe gati direktivë që i thotë Gruevskit se qeveria e tij krijohet nëse pranon platformën e përbashkët të partive shqiptare. Është krejt paradoksale që sot këto të fundit në letër të pretendojnë të drejta shtetformimi në një shtet si Maqedonia dhe vendimet për qëndrimin e tyre ta marrin të gatshëm në Tiranë. Në çdo rast janë akte që lënë gjurmë dhe që patjetër do të prodhojnë tensione në të ardhmen.
Comments
Komplimente respublika per
Komplimente respublika per shkrimin mgjs autorit nuk I publikohet emri. I dyti artikull "me kembet ne toke" qe lexoj tek ju, ne ndryshim nga mediat e tjera ku bien daulle pa pushim, ne lidhje me kete teme.
Add new comment