Kush do t’i çertifikojë zgjedhjet e qershorit?

Postuar në 07 Janar, 2017 20:50

Tashmë është fakt i njohur botërisht:  institucionet kryesore amerikane nuk kanë arritur të garantojnë një proces të besueshëm zgjedhor. Skandali i e-maileve të Hillary Clinton, përpjekja për ta mbuluar atë, kundërveprimi i demokratëve dhe krahut ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë për të mbuluar këtë dështim me alibinë ruse, konstituojnë thyerje të mëdha në sistem. Disa media dhe zëra autoritarë arritën deri aty sa të vinin në diskutim vlerën e Kolegjit Elektoral e ndërkohë që beteja e inatit vazhdon, Donald Trump duket se nuk sfidohet më në rrugën e tij për t’u zgjedhir President. Situata elektorale dhe postelektorale në SHBA, por edhe vetë politika e re e jashtme që ka premtuar Trump, përcaktojnë në një masë thelbësore humbjen apo tërheqjen e SHBA-së nga roli i vet për monitorimin dhe promovimin e demokracisë në botë. Kjo është pranuar tashmë edhe nga njerëz si Goerge Soros që kanë finacuar politika të tilla si ajo e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, që para disa ditësh deklaroi se demokracia mund të mbijetojë vetëm në SHBA.

http://www.respublica.al/2016/12/30/dor%C3%ABzohet-soros-zero-shpresa-mbi-be-n%C3%AB-elitat-u-vodh%C3%ABn-demokracin%C3%AB-njer%C3%ABzve

Ndonëse askush nuk mund të parashikojë saktësisht se çfarë do të ndodhë, e sigurtë është se autoriteti i institucioneve kryesore të Perëndimit që garantojnë kufijtë dhe sigurinë e demokracisë liberale, kanë pësuar goditje të madhe. Perspektiva e BE-së, nëse ky union do të ekzistojë apo jo, po ashtu është vënë seriozisht në diskutim. Dhe këtu në vështrim imediat vijnë zgjedhjet si çelësi i këtij sistemi.

Në raportin e fundit të shërbimeve sekrete amerikane((https://www.documentcloud.org/documents/3254239-Russia-Hacking-report.html), thuhet tekstualisht se Rusia dhe Vladimir Putin po përgatiten që në kuadër të përvojës së fituar me zgjedhjet amerikane të hidhen në veprim për të infektuar zgjedhjet edhe në vende të tjera, aleate të SHBA-së. Pra Kremlini po kërkon të riformatojë rendin ndërkomëbtar duke operuar në rrugë agjenturore në establishmentin politik. Diçka që ja kalon çdo realizimi kinematografik, por jemi në kushtet kur këto vlerësime janë politikë zyratre e sigurisë në SHBA.

Këtë vit në Europë ka zgjedhje në disa vende: në Gjermani, Francë, Holandë, ndoshta në Itali, në Greqi, ndoshta në Serbi, ndoshta në Maqedoni, por edhe në Shqipëri.

Nga të gjiha vendet e mësipërme, Shqipëria bën dallim specifik, pasi është i vetmi vend ku rezultati i zgjedhjeve nuk pranohet dhe dukuria e manipulimit dhe blerjes së votës, përfshirjes së botës kriminale është e dokumentuar. Për rrjedhojë nëse për vendet e tjera sfida elektorale zhvendoset në nivelin e sigurisë nga jashtë, kur parashikohet roli i një faktori subversiv, problemi në Shqipëri është legjitimiteti. Në Gjermani kanë ngritur më shumë zërin për atë që mund të bëjë Kremlini, por ky është një moment për marrjen e masave. Në çdo rast jemi në fushën e spekullimit kur supozohet se opinioni perëndimor edhe njëherë do të gënjehet nga karamelet e Putinit që mund t’i fryjë fantazmës së përmbytjes me emigrantë, apo radikalizimit si prezencë që lidhet me ta.

Po në Shqipëri? Së fundmi kreu i opozitës shqiptare parlamentare, Lulzim Basha, bëri një thirrje për mediat për të garantuar zgjedhjet dhe për të ekspozuar të inkriminuarit që mund të tentohet të futen sërish në Parlament. Paralelisht me këtë, përfaqësues të PD-së, kanë bërë të qartë se prekja e zgjedhjet çon në destabilizim. Por çfarë do të thotë “prekje” e zgjedhjeve? Kush është institucioni apo autoriteti që do të kualifikonte procesin?

Asnjë prej këtyre aktorëve nuk e përshëndeti apelin e Bashës, ndërkohë që dekriminalizimi ka bërë të paktën 3 viktima. Ligji vetë mund të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka realisht kohë për të rishkruar një ligj tjetër. Mund të imagjinohet që tani përgatitja e skenarëve për mbrojtje vote, incidente, blerje vote etj.. Sërish problemi është si do të shkojë puna në kushtet kur nuk ekziston më arbitri i besueshëm? Kjo është një përgjigje që duhet ta japë së pari qeveria, por në një kaolicion që qeveris dhe drejton vetëm përmes shantazheve dhe hileve asgjë nuk ka garanci. Opozitës i mbetet vetëm të ruajë votat e veta, aq sa mund t’i ruajë dhe në skenarin më optimist të shpresojë se çarja e koalicionit qeverisës të diktojë negociata të reja politike. Sa për standardet e zgjedhjeve ato me gjasë do të jenë kurbani i parë i një realiteti të ri që e gjen Shqipërin jo demokratike dhe një Parajsë të Kanabisit. Por gjithnjë duhet shpresuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.