Që të mos vazhdojmë të grabitemi

Postuar në 25 Dhjetor, 2016 11:57
Zef Preçi

Pak javë mbas përfundimit të zgjedhjeve administrative të 2015-s, së bashku me disa studiues dhe pedagogë të njohur të ekonomisë e financave, mora pjesë në një veprimtari publike e cila synonte krijimin e një këshilli konsultativ lokal për të mbështetur kreun e ri të Bashkisë Tiranë. Përkundër pesimizmit të shumë njerëzve, mendoja atëherë (dhe mendoj akoma) se një ndër problemet e mëdha të qeverisjes sonë në qendër dhe në bashki është mungesa e kapaciteteve dhe ekspertizës së stafeve të institucioneve publike, dhe këshilla të tillë vullnetarësh ndihmojnë për të zbutur këtë hendek.

E kjo bëhet edhe më e ndjeshme nëse shohim nivelin mediokër dhe madje edhe problematik të organeve vendimmarrëse brenda tyre, pra të Kuvendit dhe të këshillave bashkiakë. Në vend që këto institucione të jenë vërtet përfaqësuese legjitime të qytetarëve dhe të interesave të këtyre të fundit, përgjithësisht ato janë zgjatime të kryetarëve të partive politike dhe pa kurrfarë ndjenje përgjegjësie përballë qytetarëve. Këta të fundit, ashtu sikurse veprohej nën regjimin komunist, votojnë një listë të mbyllur, për njerëz me mendje të mbyllura dhe kuptohet se edhe produkti qeverisës përkatës nuk mund të jetë tjetër veçse diçka që vjen nga mendje të mbyllura…

Harrova të them se në mbledhjen themeluese të këshillit në fjalë (që për arsye teknike nuk pata mundësinë të merrja pjesë në të herë tjetër) ishin të pranishëm edhe një numër përfaqësuesish të komunitetit të biznesit, bankave etj., të atyre që për shkak të problematikës që ka shfaqur qeverisja e viteve të fundit, rëndom shihen nga një pjesë e mirë e publikut si oligarkë apo lobistë… Në fakt, këtu zë fill edhe fabula e këtij shënimi. Qeverisja, si në nivel qendror dhe në atë lokal, ka si premisë bazë besimin e të zgjedhurve dhe të të emëruarve në funksionet e larta politike dhe administrative ndaj shtetit të së drejtës dhe motivimin e tyre nga interesat themelore të publikut, qytetarëve.

E nëse zyrtarët apo politikanët – pra pushtetarët – kritikojnë e shajnë gjithë ditën gjymtyrë të tjera të shtetit (p.sh. drejtësinë), në fakt ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse sharrojnë pemën në të cilin mbështetet funksionimi i vetë shtetit demokratik, d.m.th., besimin publik. Ndërsa kur flitet për motivimin e veprimtarisë së zyrtarëve politikë (nuk e kam fjalën për betimet e stërbetimet për të qenë ndryshe nga paraardhësit, as për të derdhur lot krokodili për të varfrit…), e kam fjalën tek ajo që quhet forca drejtuese apo “driving forces” në veprimtarinë e institucioneve të ndryshme publike, e që ndryshe shprehet në faktin se kush përfiton nga veprimtaria e institucioneve publike: shoqëria në tërësi apo grupe dhe shtresa (pse jo dhe individë).

Këta të fundit, për shkak se përfshihen gjerësisht me masmediat dhe paratë që disponojnë në fushatat zgjedhore, menjëherë mbas shpalljes së fitores në zgjedhjeve, e kthejnë pushtetin në plaçkë tregu, duke vënë të zgjedhurit nën presionin dhe detyrimin për të favorizuar financuesit e fushatës, të kthyer tashmë në klientë preferencialë për leje, fonde, licenca, të drejta ekskluzive të shtetit etj. E nga mënyra e “sjelljes” së pushtetit mbas zgjedhjeve lidhur me këto shërbime publike që ofron pushteti qendror dhe ai vendor, publiku gjykon, edhe pse në një vend si yni është realisht i pafuqishëm të ndryshojë fatin e vet.

D.m.th., gjykimi mbi motivimin lidhet me pasojat e qeverisjes, pra me faktin se cila shtresë apo grup shoqëror paguan pasojat e politikave që ndiqen dhe cila apo cilat përfitojnë, varet prej tyre. E tash të vijmë te problemi për të cilin dua të diskutoj. Fjala është jo thjesht për rritjen e taksave vendore (gjë që është fakt), as për bazueshmërinë kushtetuese të disa lloj taksash (edhe kjo është fakt), por për diçka që lidhet me të ashtuquajturën “taksë për arsimin” që Bashkia e Tiranës aplikoi gjatë këtij viti që po mbyllet dhe që sipas zyrtarëve të saj “do të zgjasë 7 vjet”.

Siç shkruan MONITOR në numrin e fundit, kjo taksë: “… do të shërbejë për të financuar një skemë për partneritetin publik-privat (PPP) për ndërtimin e 17 shkollave, duke qenë se janë rreth 17,000 nxënës që janë mbi kapacitetin aktual, ose me një mesatare preh 56 nxënës në klasë. Përfaqësuesi i Bashkisë sqaroi për herë të parë edhe “skemën e destinimit të kësaj takse, e cila paguhet si nga biznesi, ashtu edhe nga familjarët e Tiranës.

Aktualisht është gati studimi i fizibilitetit për ndërtimin e këtyre shkollave. Kësti i parë i parave të grumbulluara do të shkojë për shpronësimin e pronarëve të trojeve ku do të ndërtohen këto shkolla. Pastaj, me dorëzimin e objektit nga ana e firmës që do të bëjë ndërtimin, do të merren çdo vit për 7 vite me radhë këste që do të përcaktohen nga Bashkia. Kostoja totale e investimit për ndërtimin e 17 shkollave parashikohet në 6.2 miliardë lekë. Ndërsa është parashikuar edhe indeksimi i çmimeve të blerjes së materialeve të nevojshme me ato aktuale”. (http://www.monitor.al/taksat-vendore-bashkia-tirane-nuk-ka-rritje-dhe-nd...).

Nga shtypi është mësuar se një pjesë e biznesit, me sa duket ajo që nuk përfiton nga kjo takse “sui generis” (e që nuk gjendet në asnjë manual të qeverisjes së financave vendore në botën e sotme), është kundërshtuar. Aq më tepër që, për shkak se bazueshmëria kushtetuese e kësaj takse është shumë e diskutueshme, fondi i mbledhur gjatë këtij viti nuk është shpenzuar ende. Unë nuk marr përsipër të diskutoj gjatë rreth bazueshmërisë së taksës në fjalë, ndonëse jam i bindur se taksa të tilla për shërbime publike bazë të shtetit janë atribut kushtetues i qeverisë qendrore dhe mund të kenë kuptim ndoshta në shtetet federale, por kurrsesi në vende me shtet unitar si yni.

Po kështu, jam i bindur se mbledhja e të ardhurave bashkiake përmes një takse të tillë rëndon padrejtësisht koston e jetesës së qytetarëve pa dallim të statusit të tyre socialekonomik e duke marrë si referencë banesën/ banesat në zotërim të tyre. Po kështu aplikohet mbi bizneset pa dallim, madje edhe duke aplikuar taksën edhe në filialet e bizneseve që ushtrojnë veprimtarinë e vet në disa dege apo filiale. Nga citimi i mësipërm i zyrtarit të bashkisë vihet re se kemi të bëjmë me një skemë të plotë, përmes së cilës Bashkia synon të ofrojë një zgjidhje në periudhën afatmesme për problemet që ka kryeqyteti me infrastrukturën e arsimit parashkollor dhe të mesëm që është nën juridiksionin e saj. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe.

Por… Duke u kthyer te “motivimi” i dhënë në fillim të këtij komenti, personalisht mendoj se përpjekja për të konsideruar zgjerimin e kësaj infrastrukture në suazën e “partneritetit publik-privat” tingëllon shumë e sforcuar. Kjo si për sa i takon “shpikjes” së kësaj takse të një lloji të veçantë (e emërtuar formalisht si “e përkohshme”), por edhe për përfshirjen e biznesit (që hesht për taksën në fjalë, sepse kuptohet që ajo rëndon shumë herë më tepër qytetarët, sidomos pjesën më të varfër të tyre), duke marrë si avantazh punime civile publike pa garë/tender, pra duke shmangur konkurrencën në treg, ashtu siç ka ndodhur edhe me të ashtuquajturat partneritete publikeprivate në sektorin e shëndetësisë etj.

Do të ishte shumë naive dhe abuzive nëse ndokush mendon (apo më keq akoma, beson) se komuniteti i biznesit me këtë rast është duke marrë përsipër të bëjë ato detyra funksionale, ligjore dhe institucionale, që duhet të përmbushë qeveria qendrore dhe ajo vendore, ashtu sikurse nuk besoj se ka njeri në botë që dyshon se biznesi si i tillë ka si tjetër qëllim primar dhe të vetëm përveçse të maksimizoje fitimin nga veprimtaria e vet.

Duke e kuptuar dhe mirëkuptuar vullnetin për të përshpejtuar përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës, nuk mund të mos vë re jo thjesht pabazueshmërinë e kësaj takse, por edhe probleme të tjera që lidhen me ngrohjen në stinën e ftohtë apo edhe me mundësinë që fondi tashmë i grumbulluar në arkën e Bashkisë së Tiranës mund të kontribuonte me një vakt ushqimi falas për nxënësit e shkollave fillore dhe nëntëvjeçare të kryeqytetit.

E për sa i përket mënyrës së menduar për përfshirjen e komunitetit të biznesit në këtë biçim partneriteti, mendoj se është tërësisht e gabuar. Zgjidhja më e mirë, më legjitime dhe më e dobishme për Bashkinë do të kishte qenë dhe është emetimi i një instrumenti monetar të posaçëm (p.sh., bono të Bashkisë) përmes të cilave do të mund të mblidheshin fondet në fjalë, e mandej procedimi përkatës në tenderim, si çdo investim tjetër publik, pa shmangur konkurrencën, pa krijuar favore të pamerituara, pa copëtuar fondet, duke rritur përfitueshmërinë e pamerituar të lobeve të biznesit dhe koston e ndërtimit të objekteve shkollore në fjalë.

Në këtë mënyrë edhe do të testohej realisht një treg i ri (bursa) dhe do të nxiteshin qytetarët që të mos investojnë në fonde investimesh fantazmë dhe jashtë çdo garancie e mbrojtjeje shtetërore, siç po ndodh aktualisht. Për më tepër, një pjesë jo e vogël e fitimeve me këtë rast do të shpërndahej te familjet që do të investonin kursimet e veta në këtë instrument, si dhe do të krijohej një kulturë tjetër rreth përdorimit të këtyre të fundit. Duke ndjekur rrugë të njohura dhe të provuara në botën demokratike që na rrethon, kjo Bashki dhe simotrat e saj do të qëndronin pak më larg “epidemisë” së partneriteteve publike-private, që rrezikon jo vetëm të fusë institucionet shtetërore në borxhe të mëdha dhe në detyrime kontraktuale në dëm të interesave publike, por edhe të deformojë vetë kuptimin dhe përmbajtjen e taksave vendore.

Është rasti të kujtojmë se vendimmarrje të kësaj natyre janë të dobishme t’i nënshtrohen një diskutimi publik më të gjerë të mundshëm, i cili nga ana e vet ka nevojë për më shumë transparencë rreth studimeve të fizibilitetit dhe dobisë së pritshme që shoqëria do të këtë nga vendosja e taksave të tilla qëllimore, si dhe të evitohet ndikimi i pashmangshëm i oligarkëve në vendimmarrjen e institucioneve publike.

Rasti më flagrant si dëshmi e “kapjes së shtetit” nga oligarkia (apo në zhargonin popullor kur “miliona euro bëhen në tavolinë”) është rritja përpara disa muajsh me 25% e rimit të sigurimit të mjeteve motorike nga të gjitha kompanitë e sigurimeve, përmes së cilës rreth 40 milionë euro në vit merren forcërisht nga të ardhurat e familjeve shqiptare, pa kurrfarë lidhjeje me shërbimet që këto kompani ofrojnë, pra thjesht do të shkojnë për shtuar fitimet e tyre.

E, në këtë kuptim, është në nderin dhe në përgjegjësinë ligjore dhe institucionale të kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës që të mos bien viktima të interesave oligarkike, duke rënduar koston e jetesës së qytetarëve të Tiranës. Ecja kuturu në “rrugë të pashkelura”, si ky lloj i panjohur më parë i koncesioneve apo partneriteteve publike-private, si dje në sistemin e ekonomisë së centralizuar, ashtu edhe në ditët e sotme, nuk sjell asgjë të mirë për qytetarët e vendit, përveçse varfërimin e mëtejshëm të tyre për të shtuar fitimet marramendëse të oligarkisë duke (sh)përdorur pushtetin politik.
"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.