Censura mbi rrjetet sociale: Shkrimet ilegale që përcjellin urrejtje do të fshihen

Postuar në 18 Dhjetor, 2016 00:06

Gjermania ka ndërmend të miratojë ligje të reja që ndalojnë dhe kufizojnë shprehjen e urrejtjes dhe të qëndrimeve raciste (hate speech) në platformat e mediave sociale. Facebook, Twitter etj., por edhe një motorr kërkimi i Google do të detyrohen që të fshijnë materiale të tilla. Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se qeveria federale ka kërkuar një rol më aktiv nga këto subjekte në këtë drejtim, duke ecur një hap më para në krahasim me disa muaj më parë, kur ministri i Brendshëm gjerman, Thomas De Maiziere kërkoi verbalisht të njëjtën gjë. Është jo pa domethënie që kërkesa u bë nga ministri i Brendshëm, çka implikon probleme sigurie që manifestohen si  politika ilegale në platforma si Facebook etj..

Nëse hyn në fuqi, ligji i ri do të detyrojë këto platforma, por edhe Google, që të lejojnë dritare për regjistrimin e ankesave, publikimin e numrit të ankesave që ato marrin dhe të punësojnë nëpunës të posaçëm të kualifikuar për të bërë fshirjen. Nëse këto platforma nuk përmbushin këto detyrime ato do të gjobiten  në bazë të të ardhurave vjetore, ose do të marrin direkt 500 mijë dollarë gjobë, nëse refuzojnë fshirjen e materialit.

Bëhet fjalë gjithnjë për komente, apo shkrime ilegale që ushqejnë urrejtjen. Si shembull jepet mohimi i Holokaustit që në Gjermani dënohet me burg. Por në rastin e platformave online ligji gjerman vepron mbi një territor të caktuar, apo mbi publikimet në gjuhën gjermane, por pa shkuar më tej. Aktualisht interneti dhe sidomos platformat sociale, por edhe Google, kanë uniformizuar përdoruesit në sensin që kanë prodhuar më shumë njohës të anglishtes se çfarëdo përpjekje tjetër.

Gjermania, që po përballet muajt e fundit me rigjallërimin e ekstremit të djathtë bëhet vendi me mbikëqyrjen më të fortë. Mbetet për t’u parë procedura që do të ndiqet, si do të bëhet vlerësimi i një ankese, pa lejuar që ankesa të jetë thjesht një mjet kufiziues, si do të ndikojë në lirinë e shprehjes kjo gjë, por edhe ekonomikisht. Pasi modeli gjerman që po eksperimentohet mbi një temë kaq evazive siç është Fjala dhe kuptimet e saj, mund të jetë një pikë kthese drejt një kodi etik që ose do të rregullojë diçka, ose do të paralizojë dinamizmin e rrjeteve sociale dhe transformimin e tyre në një rrjet global që i ngjan televizionit shtetëror.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.