Gjykata Kushtetuese mes histerikëve kronikë dhe Kushtetutës

Postuar në 13 Dhjetor, 2016 17:37

Publikimi i opinionit të Komisionit të Venecias mbi kërkesën e bërë në adresë të saj nga Gjykata Kushtetuese për çështje të reformës në drejtësi, u pasua nga një seri deklaratash politike. Ambasadorët Lu dhe Vlahutin autorizuan deklarimet e para, ku me një gjuhë diplomatike, por të qartë, këshillonin Gjykatën sesi duhet të vepronte. Të bënte “leximin e duhur të opinioinit të Venecias”.

Ky i fundit e thoshte qartë që mendimi final – edhe për Vettingun  - i takon vetëm Gjykatës, ndonëse vështirë se mund të gjendet një Kushtetutë si kjo e Shqipërisë, dispozitat e së cilës i ngjajnë një rregulloreje apo një udhëzimi.

Përtej kësaj, deklarimet politike më arrogante i takojnë kryeministrit, i cili anashkalon këtu premtimin për një reformë ekspertësh siç u mburr në krye të herës, për të kërkuar thjesht miratimin e propozimeve të veta. Duke qenë se asnjë nuk foli me gjuhën objektive të asaj që tha Venecia, por u ec në spekullime politike, loja e deklaratave hyri sërish në atë simetrinë e zakonshme që u pa aq qartë në muajt e verës.

Duhet thënë se në debatin që po zhvillohet për reformën palët e kanë humbur epërsinë morale ndaj njëra – tjetrës. Qeveria e Edi Ramës që sot bën be e rrufe për luftë kundër korrupsionit, është e zhytur në korrupsion dhe luksin që pason atë. Edi Rama vetë nuk ka ditur t’i ofrojë shqiptarëve ndonjë shqisë politike më shumë, a ndonjë kredo morale të ndryshme nga ai i parardhësit, kur luftën ndaj korrupsionit e katandis në teatër shantazhi nëpër komisione parlamentare hetimore ku thirret edhe Sali Berisha, e kur ndonjë agjenci qeveritare si Drejtoria e Tatimeve kujtohet që në vitin e katërt të qeverisjes të kallëzojë një personazh si Damir Fazlliç. Në ndonjë qoshe hapet edhe çështja e Remzi Hoxhës, duke plotësuar mekanizëm presioni mafioz që Sali Berisha e aplikonte sa herë.

Reforma këtu duhet për gjueti shtrigash dhe alibi dhe ky është rasti më i mirë, pasi në rastin më të keq, dhe atë po shohim, ajo duhet për të zhvendosur ekulibrat në sistem përmes një politike kuadri të re që është Vettingu dhe ndryshimesh strukturore që e kalojnë pushtetin drejt të huajve dhe qeverisë aktuale e njerëzve të vet(Kjo natyrisht nuk amniston në asnjë mënyrë "pavionin e kancerozëve" që është sot sistemi i drejtësisë). 

Por ky duel grotesk që ka kaurdisur me psillëqet e zakonshme të politikës shqiptare edhe dy ambasadorët tanimë të diskredituar Lu e Vlahutin, nuk po mjafton. Ndaj sot atij i është shtuar garnitura e Shoqërisë Civile. Si përherë bilbili i grumbullimit të kësaj të fundit është ndërgjegja qytetare, shqetësimi për Shqipërinë. Ja një deklaratë e sotme:

Ne, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të angazhuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut, fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe interesat legjitime të shtetasve, shprehim shqetësimin tonë për ecurinë e ngadaltë të zbatimit të reformës të dakordësuar mes të gjithë deputetëve më 22 korrik 2016. Tashmë që Komisioni i Venecias u shpreh zyrtarisht mbi pyetjet e adresuara, Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtojë me përparësi çështjen e Ligjit të Vetingut! Përveç realizimit të interesit qytetar, zbatimi i kësaj reforme është parakusht për të ardhmen tonë në Bashkimin Evropian. Ne jemi të vetëdijshëm që çdo ankesë kushtetuese meriton një shqyrtim të paanshëm juridik në Gjykatën Kushtetuese, por njëkohësisht çmojmë se në këtë rast Gjykata duhet të vendosë sa më shpejt.

Duke besuar që Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë me përgjegjshmëri të lartë opinionin e Komisionit të Venecias, si autoriteti më i urtë dhe i gjithëpranuar, ne do të ndjekim me vëmendje çdo hap të shqyrtimit të kësaj çështjeje, si dhe të zbatimit të reformës në tërësi, për të siguruar mbrojtjen e interesave të qytetarëve”.

E kotë të pyetet se çfarë kanë bërë këto shoqata për “mbrojtje të të drejtave të njeriut, fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe interesat legjitime të shtetasve”, në një vend ku raportimi është i mbushur dhe gëlon nga lloj lloj shkeljesh. Sepse kjo deklaratë është vetëm fotografia e radhës në CV-të e promovimit. Apo në tavolinat e negociimit. Një koalicion që themelohet ad hoc, sa për një kauzë njësoj si në verë, kur ambasadori amerikan Donald Lu, në një rol që mund t’i pranohet vetëm nga qeniet që sot quhen deputetë në Shqipëri, dilte në protesta të stisura që i shiste si spontane e shantazhonte Parlamentin.

Reforma në drejtësi duhet. Ajo është e nevojshme. Për këtë nuk ka dyshim. Por kjo sjellje e këtij grupimi të cilit i dha hapësirë edhe ndonjë televizion kombëtar që sheh me syze militanti sinjalizon një gjë jo të mirë. Pasi reforma në drejtësi është një çështje që duhet shqyrtuar mirë e për të cilën nuk ka një urgjencë. Ajo është një platformë që do të përkufizojë raportet për dekada, kështu që thirrjet për “nxitim”, me leximin e njëjtë si të qeverisë se “nga kjo varet integrimi”, kur në fakt nga ajo varet e ardhmja e Republikës si të tillë dhe e të drejtave tona, janë asgjë më shumë sesa miopi e blerë, apo e kooptuar. Jemi mësuar me këto, mjafton të kujtojmë peticionet e intelektualëve gjatë grevave të urisë, apo vizitat në çadra, apo kundërpeticionet. Njësoj nga njerëz të shquar në multipërdorime.

Vettingu dhe ligjet e tjera kanë përfunduar së pari nga perspektiva politike, pasi ato janë tashmë në gjykimin e një Gjykate. E cila ka vetëm një autoritet: Kushtetutën. Këtë duhet të ketë në mënyrë që të jetë Gjykatë e të gjithë shqiptarëve, pasi tagri i saj kushtetues është shumë më i qartë sesa këto grupimet që marrin jetë si ato viruset në shtamat e vaksinave.

Vettingu është një ligj që ka procedurë dhe varianti aktual nuk është Shpallja e Zotit. Është vetëm një variant, i cili si çdo ligj mund të amendohet dhe rishikohet. Ky është sistemi, u pëlqen apo jo jo atyre që sot kanë uzurpuar me budallallëk të posaçëm lirinë. Dhe paradoksalisht është ky sistem që është mbrojtja e fundit për të mos e transformuar edhe reformën në shprehje e disa interesave vetëm. Nxitimi i qeverisë dhe këmbëgulja e disa diplomatëve në vetëm një variant thejsht e kompromenton motivin zyrtar për drejtësi. Ndaj kundërveprimi i PD-së me ankimime dhe kërkesë opinioni në Venecia vetëm e shëndosh procesin, edukon edhe ata që vënë firmën kudo se ka disa rregulla. Kjo pavarësisht motiveve të vërteta dhe sesi do të shkojë deri në fund.

 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

I shkreti Lu! I qan zemra per kete popull! Ndaj dhe i ka shkelur me te dyja kembet rregullat me elementare te dipllomatit! Ore milet! Une kam nje propozim! Zoti Lu te zgjidhet kryeminister dhe zonja Vllahutin te zgjidhet presidente. Edhe ti heqin nga qeveria dhe shteti te korruptuarit. Keshtu qe keshtu ne Albanistan nuk ka ligje, por ben cdo kush si te doje! Atehere kete pune t'ia lene Lu-s dhe Vllahutinit, se ata keshtu qe keshtu po e komandojne de facto kete vend! le ta bejne kete edhe de jure!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.