Të dhënat e deritanishme të referendumit: Italia i thotë “Jo” reformës kushtetuese
Votuesit italianë duket se i kanë thënë “jo” ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga e majta në fuqi. Të dhënat e deritanishme flasin për një kundërshtim të qartë të reformës së propozuar, duke paralajmëruar largimin e Matteo Renzit nga detyra e kryeminstrit. Rezultati merr më shumë vlerë nisur nga pjesëmarrja jo e vogël, 68%, çka do të thotë se nevoja për të thënë një fjalë në vendime kaq të rëndësishme po sfidon indiferencën e deritanishme ndaj politikës.
“Jo” ka marrë deri më tani 55-59% përkundrejt 41-45% të “Po”, gjithnjë me mesazhin se duhet ndalur përqendrimi i pushtetit te një dorë ekzekutive. Në thelb reforma synon reduktimin e numrit të vendeve në Senat, nga 315 në 100, me idenë e përshpjetimit të procesit ligjvënës, heqjen e të drejtës së Senatit për të votuar mocion besimi ndah qeverisë, eliminimin e zgjedhjeve për Senatin për ta plotësuar atë me 21 drejtues rajonesh, 74 drejtues të këshillave rajonalë dhe 5 anëtarë të tjerë të zgjedhur nga Presidenti.
Kjo reformë sipas propozuesve i kursen vendit 500 milionë euro. Paradoksi është se një lëvizje populiste si ajo e “5 Yjet” e ka kundërshtuar reformën sado që frymëzohet kundër establishmentit që mishërohet te Senati. Në çdo rast reforma ishte shumë e thellë sipas këtij teksti dhe Renzi ka luajtur me perceptimin se “populli është ngopur me politikën e vjetër”, por ka provokuar frikën se reduktimi i një hallke si Senati prodhon një kryeministër fuqiplotë. Rezultati shihet qartë.
Add new comment