“Armiqtë e brendshëm” dhe “miqtë ndërkombëtarë” të integrimit të Shqipërisë
“Do të hapen negociatat për anëtarësimin në BE”. “Na mbështet Gjermania”. “Në Ballkan veprojnë forca të tjera. Rusia ka strategji më kohezive se BE-ja”. “Nuk kemi folur për datë”. “Opozita bllokon integrimin, njollos Shqipërinë”. “Vettingu është kusht. Krichbaum flet në emër personal”.
Ky është jermi ku ka hyrë së fundmi mazhoranca me në krye kryeministrin, një jerm që jetësohet në improvizimin dhe shpikjen e përditshme të lloj-lloj “argumenteve” dhe artificash për integrimin e Shqipërisë.
Gjëegjëza nuk është kaq e komplikuar: Nëse qeveria do të kishte kryer me të vërtetë ato reforma që propagandon, edhe skeptikët në BE do të dilnin lakuriq në paragjykimin e tyre. Edhe “mikja e shtrenjtë Angela Merkel”, do ta kishte më kollaj që të jepte më shumë garanci, njësoj siç dha disa sinjale pozitive edhe “armiku i Shqipërisë”, ministri I Jashtëm grek, Nikos Kotzias:
“Do të happen negociatat në dhjetor, por nuk do të ketë datë”, tha Kotzias.
Nëse kjo ndodh, me siguri që qeveria nuk arrin ndonjë sukses, pasi Turqia ka dekada që ka hapur negociatat dhe ja ku është sot, duke ikur nga BE-ja. Por një “po” e tillë rrëzon këtë alibinë e grupeve armiqësore që dalin përditë në derën e progresistëve shqiptarë.
Çështja është shumë serioze për nga niveli i energjive të shpërdoruara në fabrikimin e këtyre banaliteteve të cilat i qesh një botë e tërë. Pasi është shumë e thjeshtë: ndryshimin e kuptojnë të gjithë ku vjen dhe efektin e reformave e prek kushdo. Por nuk është ky rasti dhe këtu çështja bëhet me të vërtetë shqetësuese.
Së fundmi po zbulohet një rol shumë i dyshimtë i përfaqësuesve të caktuar ndërkombëtarë në Tiranë për të mbështetur një version të asaj që quhet reformë në drejtësi, e cila ka mbetur ende te Vettingu. Ligji i famshëm që do pastrojë drejtësinë. Dhe ky version në pikëpamje politike është as më shumë e as më pak, një dhuratë suksesi për qeverinë Rama, që gjen tek Drejtësia fajtorin e madh të bllokimit të luftës ndaj Korrupsionit.
Por si përherë e vërteta është gri dhe jo bardh e zi. Njeriu që njëherë akuzon gjyqtarët si “serial killer”, e mandej të tregon gjykatën apo prokurorinë kur akuzohet për gjithfarë konçesionesh, është sot nevojtari i madh i një fitoreje. Ciladoqoftë ajo. Njëherë duke shfryrë ndaj Greqisë, njëherë duke mallkuar Saliun, e njëherë tjetër duke shantazhuar me Rusinë e ISIS, Edi Rama nuk po bën asgjë më shumë sesa atë lojën e vockël të gjysmë intrigave që e ka karkterizuar përherë.
Nuk shohim asnjë investim vërtet politik, për hapjen e një procesi, ku diskutohet e negociohet, e ku fitorja prodhohet përmes argumenteve reale që duhet të mbështesin një qëllim që shkon përmes Kushtetutës dhe jo Përmbi Kushtetutën.
Dhe këtu vijnë në vështrim të gjitha.
Sot Kryeministri dhe karvani që ecën përpara me pishtarin e Rilindjes në dorë, sa për të ndriçuar si Moisiu rrugën e popullit, aq edhe për të trembur qentë që lehin, tallet/n me gabimin në përkthim që u evidentua me ligjin e Vettingut, por edhe për draftin kushtetues. Por nuk ka asgjë për t’u tallur nëse do të kishim të bënim me njerëz seriozë. Ishte vetë kryeministri që shpalli se “Unë jam për një reformë ekspertësh”. Dhe një reformë e tillë kalon medoemos nga një rigorozitet kirurgjikal, të cilin politika nuk “e kupton”.Nga ana tjetër, përkthimi apo keqpërkthimi merr shumë kuptim politik edhe për dy arsye të tjera:
Së pari, sepse drafi fillestar i depozituar nga ekspetët e kontraktuar nga PS-ja, u ndryshua gati në 50% të tij. Aq sa për kosnsensusin e korrikut u investua gjerësisht komuniteti ndërkombëtar.
Së dyti sepse OPDAT dhe EURALIUS u akuzun edhe gjatë negociatave të verës për ndryshime të panjoftuara të drafteve të rakorduara.
Dhe këtu nuk flasim për “kleçka”, por për seriozitetin e një “shteti që bën reforma”, të cilat kanë “frymë dhe gërmë”. Kjo tollovi që po ndodh me këtë çështje na rikthen në atë lojën e verës ku shumica propozon një variant që është i papranueshëm nga pala kundërshtare, për të patur mundësinë mandej që ta akuzojë atë për bllokim. Një nxënës që nuk do të mësojë në asnjë rast. Pasi edhe aktualisht, Venecia do të kthejë përgjigje – siç thuhet brenda 7 dhjetorit – për të zgjidhur edhe këtë ngërç artificial. Është një zhurmë që mban me kredi politike vetëm kryeministrin që po krijon qysh tani kartën e mbrojtjes, e cila nuk vlen.
Reportazhi i fundit i BBC-së për kanabisin nuk është investim i opozitës shqiptare. Ai është krejt ndryshe nga spekullimet e disa mediave të njohura për rrezikun e radikalizmit islamik në Shqipëri, pasi për drogën ka të dhëna konkrete dhe një grafik në rritje prodhimi e trafikimi.
Le të na thotë kryeministri: Për cilën arsye nuk mbrohet ndaj këtyre reportazheve që njollosin imazhin e vendit me Raportin e Guardia di Finanza? Cili është roli i misionit PAMECA në ndihmë ndaj policisë? Pyetje që kanë kërkojnë përgjigje, edhe sepse ndaj misioneve ndërkombëtare po ngrihet një dyshim i fortë. Çdo qeveri e përgjegjshme do të përpiqej të jepte përgjigje reale ndaj këtyre akuzave duke shtuar punën dhe luftën. E kundërta me qeverinë aktuale, e cila është specializuar në vjeljen dhe shitjen në mediat shqip të gjithfarë deklaratash tymuese.
Ka një diskutim për largimin e kreut të EURALIUS, Deville. Nuk ka asnjë sqarim zyrtar, ndërkohë që në disa media po qarkullojnë disa infiormacione se “nga burime pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë konfirmohet mbështetja për Shqipërinë”. Si mund të vijohet me këtë lloj loje? Si mund të jetë mbështetja për integrimin e Shqipërisë një mesazh telefonik anonim? Kush e beson këtë? Dhe mbi të gjitha: vendimi është kolegjial, Gjermania ka vetëm një zë.
Le ta thjeshtojmë çështjen: Çfarë do të bënte Sali Berisha po të kishte këtë mbështetje nga aktorët ndërkombëtarë si Edi Rama? Kjo pyetje me përgjigjen që vetëkuptohet na thotë qartë se nuk qëndron puna tek lëvizjet e opozitës, apo te aktorë e faktorë të huaj bllokues. Por te qeveria që kërkon të kalojë lumin me power point e me video - promo, duke shitur atë që nuk mbulohet dot më. Pa folur këtu për negociatat me natyrë ekonomike që mund të zhvillohen nën rrogoz e për të cilat nuk jep llogari. Dhe kjo është histori tjetër, ose më mirë ana tjetër e kësaj historie, e cila shpjegon edhe ato “pështjellime” që vijnë nga sjellja e dyshimtë e diplomatëve të huaj në Tiranë.
Add new comment