Politika dhe propaganda naziste si shembull për politikën dhe propagandën komuniste shqiptare
Nga të parat institucione që krijoi Hitleri kur erdhi në fuqi, ishte Ministria e Propagandës, më 13 mars të vitit 1933. Në krye të kësaj ministrie ai vendosi Josef Gëbelsin, një nga udhëheqësit nazistë më të kultivuar. Detyra kryesore e asaj ministrie ishte të vinte me mjeshtëri nën kontroll të gjitha aspektet e jetës shpirtërore, kulturore dhe intelektuale gjermane.
“Sekreti i propagandës është të depërtojë te njeriu tek i cili synon, pa e kuptuar fare ai. Natyrisht, propaganda ka një qëllim, por qëllimi duhet të mbulohet me aq zgjuarsi dhe virtuozitet, saqë njeriu të mos e vejë re fare” - thoshte Gëbelsi për propagandën.
Më 25 mars, Gëbelsi përcaktoi detyrën e ministrisë si “mobilizuese shpirtërore” e popullit për rikrijimin e qëndrueshëm të shpirtit të ri gjerman në mënyrë që "populli të fillojë të mendojë si një, të reagojë si një dhe të vërë veten me gjithë zemër në shërbim të regjimit”. Gëbelsi donte jo vetëm të paraqiste regjimin dhe politikën e tij në mënyrë krejt pozitive, por edhe të paraqiste të gjithë popullin gjerman si mbështetës të bindur të atij regjimi. Hebrenjtë duheshin mënjanuar nga të gjitha aspektet e jetës kulturore gjermane.
Më 22 shtator të vitit 1933, brenda Ministrisë së Propagandës, u krijua Dhoma e Kulturës së Rajhut e cila do të kishte shtatë seksione: atë të literaturës, të teatrit, të muzikës, të radios, të filmit, të arteve të bukura dhe të shtypit. Të gjitha këto, këtej e tutje, do të viheshin nën kontrollin e shtetit.
Nga punët e para që bëri Ministria e Propagandës, ishte vendosja e festave të reja në kalendarin e festave publike. Kështu, u vendos 20 Prilli, si ditëlindja e Hitlerit; 7 Nëntori, si dita e puçit nazist të vitit 1923 dhe 1 Maji, Dita Kombëtare e Punës. Në 1 Majin e parë, kolona të gjata punëtorësh parakaluan me formacione ushtarake duke kënduar himnin nazist “Këngën e Horst Veselit”. Në mbarë Gjermaninë u ndërruan emrat e rrugëve, duke i zëvendësuar me emrat e heronjve të rinj nazistë.
Personaliteti i Hitlerit u bë kudo mbizotërues. Nga marsi i vitit 1933, filloi një garë midis qyteteve për ta bërë Hitlerin qytetar të tyre të nderit. Në gati të gjitha qytetet, shesheve kryesore iu vu emri i Hitlerit. Në ditëlindjen e Hitlerit, qytetet zbukuroheshin me flamuj, parulla e lule. Për të bëheshin dokumentarë të posaçëm filmi që e paraqisnin atë si gjeninë që Perëndia ia kishte dhuruar Gjermanisë.
Një sektor shumë i rëndësishëm propagandistik ishte letërsia. Më 10 maj të vitit 1933, studentët gjermanë organizuan kudo mbledhje kundër shpirtit jo gjerman në letërsi. Ata hartuan një listë të librave që nuk i shërbenin nazizmit, i mblodhën ato, i bënë pirg në sheshe publike dhe iu vunë flakën. Në Berlin, në djegien e librave qe i pranishëm edhe Gëbelsi që, me atë rast, tha:
“Çdo libër apo vepër arti që vepron në mënyrë subversive mbi të ardhmen tonë, apo godet rrënjët e mendimit gjerman, të shtëpisë gjermane, apo të forcave lëvizëse të popullit tonë, duhet të digjet”.
U dogjën edhe librat e Hanrih Hajne-s, i cili pat thënë:
“Aty ku digjen librat, në fund do të digjen edhe njerëzit”. Për djegien e librave të tij, Frojdi tha: “Të paktën u dogja me shokë të mirë”, ndërsa Cvajgu- :
“E pashë më shumë si një nder, sesa si një turpërim që u lejova të kisha të njëjtin fat me shkrimtarë të tillë të shquar si Tomas Mani, Hainri Mani, Verfeli, Frojdi, Ajnshtaini dhe shumë të tjerë, veprat e të cilëve i çmoj më lartë se të miat”.
Shkrimtarët që nuk shkruanin, apo që nuk kishin shkruar ato që u vinin për shtat nazistëve, u sulmuan. Një numër prej tyre u larguan nga Gjermania, ata që ngelën, ose u kthyen në vegla të nazizmit, ose u burgosën.
Bibliotekat dhe libraritë vëzhgoheshin me kujdes për libra të padëshiruar nga agjentët e Policisë Kriminale, nga Gestapoja, nga Ministria e Brendshme, nga "Rinia e Hitlerit", nga organizata të studentëve nazistë, nga trupat SA si dhe nga një qendër që quhej "Autoriteti Suprem i Censurës për Literaturë të Ndyrë dhe të Pavlefshme."
Shtypi u vu i tëri nën kontrollin e shtetit. Gazeta e Partisë Naziste ishte “Vëzhguesi Racial”. Të abonuar në të ishin veçanërisht mësuesit, të cilët e përdornin atë gazetë për të ilustruar mësime në klasë.
Një sulm frontal kundër ndikimeve të huaja në kulturën gjermane filloi me sektorin e filmit. Zyra e Filmit do të kishte nën mbikëqyrje të gjithë industrinë e filmit. Prej industrisë së filmit u larguan të gjithë punonjësit hebrenj, qofshin ata artistë, teknikë apo inxhinierë. Kinematografia gjermane u vu tërësisht në ndihmë të luftës dhe nazizmin, duke luftuar bolshevizmin dhe hebraizmin.
Një sektor tjetër i rëndësishëm për propagandën ishte radioja. Ministria e Propagandës filloi menjëherë spastrimet nga të gjithë elementët e padëshirueshëm: nga hebrenjtë, liberalët dhe socialdemokratët. Për Gëbelsin, radioja ishte instrumenti më modern dhe më i rëndësishëm për ndikimin te masat. U prodhuan radiot e lira, Volksempfanger (Radiomarrës të Popullit), në mënyrë që në çdo shtëpi gjermane të kishte një radio. Radiot e Popullit merrnin vetëm stacione të afërta, në mënyrë që ata që banonin pranë kufirit, të mos mund të dëgjonin stacione të huaja. Fjalimet e Hitlerit zakonisht transmetoheshin me altoparlantë të mëdhenj të vendosur në sheshe publike, në qendra ndërmarrjesh e fabrikash, në shkolla, në restorante etj. Lajmërimet për grumbullim dhe dëgjim në raste të tilla bëheshin me sirena, njerëzit linin punën dhe grumbulloheshin pranë altoparlantëve apo radiove.
Në Ministrinë e Propagandës u krijua edhe Dhoma e Muzikës e Rajhut. Një sulm i vërtetë filloi ndaj muzikës. Trupat SA dhe SS-e futeshin në sallat e shfaqjeve dhe ndërprisnin programet muzikore.
Nuk ishte e vështirë për nazistët të sulmonin këtë apo atë lloj muzike kur kompozitori ishte hebre, apo kishte lidhje me hebrenjtë, por nuk ishte e lehtë për ta, të përcaktonin se cila do të ishte muzika e pranueshme për Rajhun e cila jo. Nuk pati ndonjë muzikë me karakteristika naziste.
Duheshin eliminuar të gjitha ndikimet e muzikës së huaj, sidomos ato të xhezit, për të cilën thuhej se ishte dëshmi e kulturës raciale inferiore, e afro-amerikanëve. Muzikantët nazistë e kritikonin “muzikën neger” si seksualisht provokative, imorale, primitive, barbare, jo gjermane dhe tepër subversive, e prodhuar nga inferiorë racialë, nga afro-amerikanët dhe nga hebrenjtë. Për ta, ajo shprehte degjenerimin amerikan. Ndër veglat muzikore dënohej veçanërisht saksi për tingujt e tij "dalldisës" dhe, ndër kompozitorët kritikoheshin ata hebrenj amerikanë: Irving Berlin dhe Xhorxh Gërshuin. Xhezi nuk transmetohej nga asnjë lloj radioje. Megjithatë, ishte pak e vështirë të kontrollohej muzika që luhej në salla vallëzimi, në klube nate, në bare të hoteleve etj. Megjithatë, duke marrë parasysh edhe dëshirën e madhe të dëgjuesve të radiove, në emisione të vona të natës, Gëbelsi lejoi të transmetohej pak muzikë me motive xhezi e suingu. Ai lejoi njëherë të luhej një shfaqje me muzikë nga Gërshuini, por revista ultranaziste “Der Stürmer” e kritikoi aty për aty.
Në artet pamore u hoqën pjesët abstrakte e moderniste të cilat u quajtën të degjeneruara. Në to, rol me rëndësi luajti shija e vetë Hitlerit. Për të, duhej të kishte një art të ri gjerman. Arti duhej të reflektonte shpirtin arian të popullit. Ideja se arti ishte ndërkombëtar duhej hedhur poshtë si dekadente dhe si shpikje hebreje. Artistët hebrenj u larguan menjëherë nga punët, po ashtu, u larguan artistët e artit abstrakt, artistët e krahut të majtë, në përgjithësi artistët që kishin njëfarë njohje ndërkombëtare si dhe artistët që në të shkuarën kishin krijuar vepra jo në pajtim me frymën nacionalsocialiste. Të gjitha galeritë e arteve e muzetë si dhe koleksionet personale artistike do të pastroheshin nga “krijime monstruoze e të degjeneruara” të cilat do të konfiskoheshin pa pagesë.
Në verën e vitit 1933, nazistët shpërbënë të gjitha organizatat e rinisë, me përjashtim të asaj katolike. Tashti, vajzat dhe djemtë duhej të bashkoheshin me "Rininë e Hitlerit". Djemtë futeshin në atë organizatë në moshën 6 vjeçare, por anëtarësia e plotë dhe stërvitja sistematike fillonte në moshën katërmbëdhjetë vjeçare dhe përfundonte në moshën 18 vjeçare. Prej të rinjve kërkohej bindje e plotë dhe mësimi me vështirësitë.
"Rinia e Hitlerit" shkonte rregullisht në kampe verore ku stërvitej fizikisht e ideologjikisht si dhe mësonte të parakalonte në parada. Të rinjtë kishin për detyrë të raportonin para eprorit të tyre çdo gjë që dëgjonin në familje e që ishte në kundërshtim me vijën naziste.
Terrenet sportive ishin vetëm për Të Rinjtë e Hitlerit. Në vitin 1939, "Rinia e Hitlerit" kishte 8.7 milionë anëtarë, gati aq sa ishte popullsia që përbëhej nga grupmoshat 10-18 vjeç. Të gjithë anëtarët e "Rinisë së Hitlerit" bënin një betim personal për besnikëri ndaj Hitlerit. Këngët që këndonin ishin këngë naziste, librat që lexonin ishin libra naziste. Propaganda naziste për të rinjtë bëhej në shkollë. Në çdo klasë shkolle duhej të ishte vendosur fotografia e Hitlerit. Mësuesit dhe nxënësit përshëndeteshin në çdo fillim dhe mbarim mësimi në mënyrë naziste. Të gjitha fjalimet politike dëgjoheshin përmes altoparlantëve nga të gjithë nxënësit në shkollë. Të gjithë mësuesit duhej të ishin anëtarë të Ligës Nacionalsocialiste të Mësuesve dhe nxënësit - anëtarë të "Rinisë së Hitlerit". Tekstet e historisë silleshin rreth konceptit se heroizmi në formën e tij gjermane lidhesh me idenë e udhëheqësit. Detyra e historisë ishte t’u mësonte nxënësve se jeta dominohej nga beteja, nga lufta, se raca dhe gjaku ishin në thelb të gjithçkaje të ndodhur në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen dhe se udhëheqja përcaktonte fatin e popujve. Tema qendrore të mësimit ishin kuraja në luftë, sakrifica për një çështje të madhe, admirimi i pakufishëm për udhëheqësin dhe urrejtja për armikun e gjermanëve - për hebreun.
Temat e hartimeve të nxënësve do të lidheshin me nacionalsocializmi dhe me Hitlerin.
Ja një pjesë hartimi nga një nxënës:
“Si fëmijë, Hitleri nuk ishte prej atyre që qëndronin në shtëpi. Ai pëlqente të ndeshej jashtë me fëmijë të tjerë. Një ditë ai qëndroi jashtë më gjatë se herë të tjera. Nëna u shqetësua, shihte orën dhe po mendonte se mos i kishte ndodhur gjë djalit. Disa orë më parë e kishte parë atë tek ikte me disa shokë të tjerë më të mëdhenj.... Më pas dera u hap, Hitleri i vogël hyri me kokën me bullunga e me fytyrën të gërvishtur, por me sy që i shkëlqenin. Nëna u frikësua, por ai bërtiti: “Nënë, shokët sot më bënë gjeneralin e tyre”.
Stërvitja fizike ishte e detyrueshme. Edukimi fizik përfundonin me stërvitjen dhe shërbimin ushtarak. Disiplina ushtarake, theksimi i forcës fizike, theksimi i garës, i bëri fëmijët të bëheshin të dhunshëm dhe agresivë.
Nga të rinjtë e universiteteve u krijua "Liga Naziste e Studentëve. Të gjithë ata që mbaronin shkollën e mesme, duhet të bënin njëfarë stazhi pune para se të fillonin studimet në universitet. Gjatë kohës së studimeve, studentëve u kërkohej të bënin dhjetë javë punë në kampe pune, ku do të punonin në ndërtime rrugësh, në tharje kënetash, apo në bujqësi.
Nazistët inkurajuan me të gjitha mundësitë lindjen e sa më shumë fëmijëve, në mënyrë që fuqia ushtarake e Gjermanisë të shtohej dhe popullsia të ishte kryesisht e re, gjë që do të ishte esenciale për shëndetin kombëtar. Emancipimi i gruas do të sillte dashje pa dashje uljen e numrit të fëmijëve të lindur, prandaj nazistët kërkuan që vendi i gruas të ishte në shtëpi, te fëmijët, te familja. Nazistët udhëzonin që çdo grua të lindte një herë në dy vjet dhe gjatë jetës së saj të kishte mundësi të lindte deri në pesëmbëdhjetë fëmijë. Për shtimin e numrit të lindjeve, nazistët jepnin inkurajime materiale e morale. Kryetarja e Grarisë Nacional Socialiste ishte Gertrud Sholtz-Klink, e cila ishte krenare që kishte lindur njëmbëdhjetë fëmijë. Në vitin 1934, për nënat u caktua një ditë feste që quhej Dita e Nënës. Në Ditën e Nënës në vitin 1939, tre milion grave që kishin lindur mbi katër fëmijë, me ceremoni të posaçme të mbajtura kudo në Gjermani, iu dha titulli “Nënë e Rajhut”. U shtypën medalje të posaçme të quajtura “Kryqe Nderi të Nënës”, që ishin prej bronzi për nënat me katër deri pesë fëmijë, prej argjendi për nënat me gjashtë deri shtatë fëmijë dhe prej ari për nënat me tetë ose më shumë fëmijë. Nënat që mbanin këto medalje mund të blinin pa radhë në dyqan dhe anëtarët e Rinisë së Hitlerit ishin urdhëruar t’i përshëndetnin në rrugë. Nënat që kishin lindur dhjetë e më shumë fëmijë kishin një nder më shumë, pasi Hitleri do të bëhej nun për fëmijën e dhjetë që, po të ishte djalë, do të quhej Adolf. Përpjekjet të mëdha u bënë për të përjashtuar gratë nga puna. Për Hitlerin, ideja e emancipimit të femrës ishte hedhur nga hebrenjtë dhe ishte në thelb jo gjermane. Në Gjermani, deklaronte Hitleri, bota e burrit është shteti, ndërsa e gruas është burri i saj, familja e saj, fëmijët e saj dhe shtëpia e saj.
Emblemat naziste, fjalët dhe konceptet, mbushnin jetën e përditshme. Jo vetëm filmi, radioja, gazetat, revistat, skulpturat, pikturat, letërsia, arkitektura, muzika i shërbenin idealit nazist, por edhe çdo mjet tjetër përdorej për të mbytur ndjenjat dhe mendimin individual dhe për t’i kthyer gjermanët në një masë unike, të vetme, të bindur e të disiplinuar.
Më 27 shkurt të vitit 1933, u dogj godina e parlamentit gjerman, Rajhshtagu. U arrestua një komunisti danez dhe, ndonëse u vërtetua se ai kishte vepruar vetëm, shteti filloi një sulm kundër të gjithë komunistëve. Mijëra telegrame i shkonin gjoja qeverisë nga populli i cili kërkonte masa të forta kundër komunistëve.
Më 20 mars të vitit 1933, në një fabrikë të braktisur në periferi të Munihut, në Dahau, nisi terrorin kampi i parë i përqendrimit. Këtu do të mbylleshin të burgosur politikë.
Më 24 prill të vitit 1934, filloi punën gjyqi special, “Gjyqi i Popullit”, që do të merrej me shpejtësi me “krimet’ politike. Fillimisht, dy gjyqtarë të këtyre gjyqeve ndihmoheshin nga tre persona të tjerë: një nga SS-ët, një nga trupat SA (Sturmabteilung – trupat e sulmit, këmishë kafet, organizatë paramilitare aktive) dhe një nga Partia Nacionalsocialiste.
Informacione për ata që do të konsideroheshin si armiq të regjimit merreshin kryesisht nga agjentë të partisë si dhe nga populli në përgjithësi. Raportet shkonin nga njerëz të kafeneve, pijetoreve, restoranteve, hoteleve, nga kolegë pune, nga berberët, nga njerëz që kishin dëgjuar ndonjë bisedë në rrugë, nga fqinjët, nga njerëz të familjes. Spiunllëku u përhap gjerësisht. Raportet në Gestapo ishin të pafundme, saqë ajo nuk mund t’i përballonte dhe t’i përpunonte të gjitha. Shumica e denoncimeve kishin motive personale, apo s’kishin fare motive. Nxënësit apo studentët shpesh spiunonin profesorët e tyre, zyrtarët spiunonin shefat të cilëve donin t’u zinin vendin, tregtarët spiunonin tregtarë të tjerë konkurrentë. Sipas Ligjit të Thashethemeve, mund të dënoheshin dhe të burgoseshin ata që thoshin se nazistët po kufizonin lirinë e njeriut, se nëpunësit civilë paguheshin më mirë, se revista naziste antisemite “Der Stürmer” po turpëronte kulturën gjermane, se të burgosurit rriheshin në kampe, se Hitleri ishte një dezertor austriak, se figura me rëndësi të Rajhut të Tretë ishin të korruptuara, për shakara të ndryshme që lidheshin me politikën etj.
Qeveria filloi të vëzhgonte jo vetëm kundërshtarët, disidentët dhe të pakënaqurit, por edhe ata të cilët nuk tregonin entuziazëm për Rajhun e Tretë dhe politikën e tij. Në çdo bllok banimi ishte vënë një “Roje blloku”, detyra e të cilit ishte të vëzhgonte se kush hynte e dilte në shtëpitë e bllokut, të shihte e të vëzhgonte se mos ndonjëri nuk vendoste flamurin në ditë feste, apo se nuk shkonte në parada a mitingje. Çdo degë lokale e partisë kishte nën komandë tetë qeliza, çdo qelizë kishte 15 blloqe dhe çdo bllok kishte nën vëzhgim rreth 50 familje. Në fillim të luftës, rojet e bllokut arritën në rreth 2 milionë vetë. Ata që denonconin fqinjët, kontaktet e para i kishin me kryetarin e bllokut. Një organizim i ngjashëm funksiononte edhe në ndërmarrjet e prodhimit. Vëzhgimet ishin veçanërisht të ashpra në ditë zgjedhjesh dhe plebishitesh. Zgjedhjet dhe plebishitet ishin si njëfarë stërvitje në propagandë, në të cilat qeveria mobilizonte elektoratin me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion për të shfaqur pamjen e një sistemi legjitim. Në këto lloj zgjedhjesh asnjë nuk guxonte të mos votonte dhe asnjë nuk guxonte të thoshte “Jo” për Partinë Nacionalsocialiste. Të gjithë kishin frikë se i përgjonin kur votonin dhe të gjithë e dinin se votimet do të dilnin ashtu si i dëshironte qeveria. Ata që në mënyrë demonstrative refuzonin të votonin, arrestoheshin. Prania e nazistëve dhe trupave SA në qendrat e votimit e shtonte presionin ndaj qytetarëve për të votuar për regjimin dhe për të votuar pa u futur në kabinat e fshehta të votimit. Në disa raste kabinat e fshehta të votimit hiqeshin fare, ose para tyre qëndronin trupa SA me pankarta ku shkruhej “Vetëm tradhtarët futen këtu”, ndërsa kutia e votimit vendosej jashtë. Për të sëmurët dhe për ata që lëngonin në shtrat ishin krijuar qendra të lëvizshme votimi që u shkonin në shtëpi. Kundërshtarë të njohur të regjimit arrestoheshin paraprakisht para zgjedhjeve dhe mbaheshin ashtu deri sa kalonte dita e votimit.
Me ligjet që dolën në vitet 1934 dhe 1935, kërkohej që çdo punonjës të kishte librezën e tij të punës, ku do të shënoheshin punët e bëra, specializimet, karakteristikat dhe vërejtjet për punën e kryer të cilat e kishte për detyrë t’i vinte qendra e punës. Librezat e punës i mbante qendra e punës. U nxorën ligje që punonjës të padëshiruar të largoheshin nga punët që kishin dhe të çoheshin në vende të tjera.
Veprimet e para antisemite naziste filluan me shpronësimin e hebrenjve dhe me likuidimin e supertregëtoreve (supermarketet) të cilat ishin krijuar në Gjermani që në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Shumica e atyre që i kishin hapur këto supertrgtore ishin hebrenj. Trupa SA rrinin para këtyre dyqaneve me pankarta në duar në të cilat thuhej se ata që hynin në to ishin tradhtarë të racës gjermane. Me kalimin e kohës ato dyqane u mbyllën.
Për të filluar zgjidhjen e problemit të papunësisë, në mars të vitit 1933, Hitleri nisi programin “Ndihma për fshatin.” Sipas atij programi, të rinjtë e papunë të qytetit do të shkonin të punonin në fshat, ku do t’u sigurohej banesa, të ngrënit dhe njëfarë pagese. Deri në gusht, në këtë mënyrë u punësuan 145000 të papunë.
Më 7 prill të vitit 1933, u nxor ligji për “Rivendosjen e Shërbimit Civil Profesional”. Sipas atij ligji, largoheshin nga punët të gjithë ata që nuk kishin formim profesional të përshtatshëm, ata që nuk ishin me origjinë ariane, apo që kishin bashkëshortin jo arian, si dhe të gjithë ata që aktiviteti politik i mëparshëm i bënte të pabesueshëm për shtetin e ri. Drejtues jo nazistë të niveleve të ndryshme, ose detyroheshin të jepnin dorëheqjen, ose të futeshin në parti. Për të ruajtur vendin e punës, shumë nëpunës u bënë anëtarë të Partisë Naziste.
Më 14 korrik të vitit 1933, u dha ky njoftim për likuidimin e sistemit demokratik në Gjermani:
“Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë përbën të vetmen parti politike në Gjermani. Cilido që orvatet të mbajë strukturat organizative të një partie tjetër, apo të formojë një parti të re, do të dënohet me rreptësi”. Gjermania u kthye në diktaturë njëpartiake. Të gjitha institucionet u vunë nën kontrollin e nazistëve.
Nga 5000 profesorë universitetesh që ishin deri në vitin 1934, 1600 profesorë u pushuan nga punët. Ishin vetë studentët që, në bashkëpunim me profesorët nazistë, dëbuan profesorët dhe studentët hebrenj. Në këtë kohë, 960 profesorë, duke përfshirë edhe filozofin Haideger, bënë deklarata publike në mbështetje të Hitlerit, regjimit nazist dhe të politikës së tyre për arsimin.
Nazistët treguan interes të veçantë për nazifikimin e arsimit. Arsimtarët u deklaruan shërbyes civilë, iu kërkua të aderonin në Ligën Nacional Socialiste të Mësuesve dhe të betoheshin për besnikëri absolute ndaj Hitlerit.
Brenda partisë së tij, Hitleri forcoi kontrollin dhe eliminoi rivalët. Brenda pak më shumë se një viti, nga marsi i vitit 1933 deri në gusht të vitit 1934, Hitleri mori fuqi të plotë. Ai përvetësoi makinerinë e shtetit, mbyti opozitën dhe partitë e tjera, vuri autoritetin e tij kudo në parti dhe në ushtri, u bë president, kancelar dhe kryekomandant i ushtrisë. Ai do të thirrej Fyrer, pra udhëheqës, komandant
Shënim: Materiali i këtij shkrimi është marrë kryesisht nga libri im ende i pabotuar: “Antisemitizmi - Nga zanafilla fetare te Holokausti nazist”.
Add new comment