Piramida e Keopsit/Zbulohet në Detin e Kuq porti i parë në botë dhe “arkiva e papiruesve” që shpjegon ndërtimin. Bie miti i Herodotit për shfrytëzimin e skllevërve(foto)

Postuar në 23 Nëntor, 2016 22:50

Si janë ndërtuar pirmadiat? Ja një pyetje që ushqen një industri të tërë kinematografike, dokumentarësh dhe pse jo, përbën gjenezën e konspiracioneve me alienët që në librat fetarë zëvendësohen me engjëjt me fuqi të jashtëzakonshme. Më enigmatikja, patjetër që është Piramida madhe e Gizës, e quajtur e Keopsit, për nder të faraonit Khufu, që sundoi Egjiptin në vitet 2580 – 1550 p.e.s.

Mirëpo shkenca konvencionale i përmbahet metodës dhe parimeve të veta studimore që na thonë se piramidat egjiptiane simbolizojnë atë kapacitet administrativ dhe organizues që i atribuohet historikisht atyre që Karl Wittfogel i cilësonte si “qytetërime hidraulike”.

Dhe një zbulim i fundit i realizuar nën drejtimin prof. Perre Tallet nga universiteti i Sorbone, jep më shumë kredenciale tezave shkencore të deritanishme për ndërtimin e piramidave. Fjala është për rrënojat e atij që po konsiderohet si porti më i vjetër në botë, i zbuluar në Wadi el-Jarf në brigjet e Detit të Kuq, në jug të Suezit. 

Zbulimi u bë afër një arkive të madhe papirusesh, edhe kjo më e vjetra e njohur deri më sot, në të cilën shpjegohet sesi u ndërtua porti dhe sesi ai u shfrytëzua nga faraoni Keops për të ndërtuar monumentin ndoshta më të njohur në historinë e njerëzimit, Piramidën e Madhe të Gizës. Datimi i portit  - 4600 vjet i vjetër – përkon me sundimin e Keopsit, i cili pasonte në fron të atin, krijuesin e piramidës së parë të vërtetë, Piramidës së Kuqe në Dashshur, faraonin Sneferu. Porti në el-Jarf  shërbente për transport bakri dhe mineralesh të cilat mandej shfrytëzoheshin për të krijuar vegla që nevojiteshin për ndërtimin e piramidës. Sipas arkeologëve ai shërbente si pikë lidhëse dhe transporti duke patur parasysh se bakri dhe turkuaza(bruz) nxirreshin në Sinain jugor.

Spiranca, mure kufizues për kontrollin e ujit, struktura ankorimi, qeramikë, enë etj., të gjitha këto bëjnë pjesë në zbulimin e ri që hedh më shumë dritë për atë proces kompleks shtetëror, ushtarak, tregëtar dhe ndërtimor që zhvillohej në Egjiptin e asaj kohe. Materiale të ngjashme janë gjetur edhe në bregun përballë në fortesën bregdetare të Al Markha, e cila konsistonte në ruajten dhe vëzhgimin e linjave të tregëtisë.

Arkeologët sugjerojnë se aty janë kryer edhe punime për anijet, derisa porti u zëvendësua në funksionet e veta nga një port tjetër, Ayn Sukhna, 120 km më në veri. Koleksioni i papiruseve është i jashtëzakonshëm për nga vlera: ai përmban një arkivë të detarëve dhe në të flitet për një inspektor që drejtonte një ekip prej 40 vetësh. Merer, quhet inspektori, i cili ishte nga Memphis, dhe që dihet se ka qenë përgjegjësi për ndërtimin e Piramidës së Madhe të Gizës.

Çdo katër ditë, blloqet do të dorëzohesh në një sit ndërtimi të piramidës, quajtur si “Horizonti i Keopsit”, citon gazeta izraelite, një prej papiruesve. Një proces i madh dhe i vazhduar pune që i jep portit të el-Jarf rolin e një pike të furnizimit me bakër, shumë i nevojshëm për punë të këtij niveli.

Tjetër panoramë sugjerojnë arkeologët edhe për Keopsin vetë dhe drejtimin e njerëzve. Herodoti cilëson se në këtë ndërmarrje faraoni egjiptian përdorte skllevër dhe se ai ishte shumë mizor. Tallet thotë se kemi të bëjmë me angazhimin e 5000 njerëzve, ose 15 mijë nëse llogariten edhe ata që sillnin materiale dhe se nuk ishin skllevër, por specialistë të punësuar përgjatë gjithë vitit nga administrata mbretërore.Madje, duke iu referuar papiruseve, “ata ishin shpesh të privilegjuar”. 

 

http://www.haaretz.com/jewish/archaeology/1.754616

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.