Data 18 "i shtohet" festave të nëntorit

Postuar në 19 Nëntor, 2016 20:13

Në Tiranë po mbahet këto dy ditë Samiti i Diasporës. Një emër që tingëllon mirë e që ndihmon në institucionalizimin e marrëdhënieve me emigracionin shqiptar, të harruar për 25 vite. Por duhet thënë se organizimi i këtij samitit është kundërshtuar nga disa drejtime, qoftë për mënyrën sesi po thirreshin njerëzit, qoftë edhe për mungesë të një programi, objektivi etj..Këto janë normale në një vend që nuk është mësuar të ketë shtetin e vet si referencë të besueshme. Dhe ata që e kritikuan nuk mbetën pa u konfirmuar në kundërshtitë e tyre: Kryeministri Edi Rama, e konvertoi samitin në show personal, duke nisur që nga fotot, fjala, e deri te hollësi që nuk kanë vlerë, si ajo se “idenë e samitit ma dha gruaja”.

Në çdo rast disa gjëra duhen përtypur në emër të krijimit të një tradite, e cila nesër mund të sjellë përfitime.

Problemi me kundërshtimin merr tjetër natyrë kur sheh sesi sillet kreu i opozitës me këtë zhvillim. Lulzim Basha ishte i ftuar që të merrte pjesë aty, madje edhe për të mbajtur një fjalë në mbrëmjen gala.

Do të kisha dashur shumë të kisha ndarë mendimet nga afër me ju në tryezën e diskutimeve dhe të rrahjes së ideve, por e vetmja mundësi që organizatorët e samitit më dhanë është t’ju përshëndesja në mbrëmjen gala që qeveria ka planifikuar për nderin tuaj. Duke qenë se e kam të pamundur të marrë pjesë në këtë mbrëmje gala, po ndaj me ju publikisht, me përunjësi disa mendime të miat”, shkruan Basha përmes një letre që ia nis të ftuarve.

Siç mund të kuptohet, një rreng i vockël nga organizatorët që i kishin lënë Bashës një fjalë jo në samit por në mbrëmjen gala. Ndoshta duke menduar se kreu i opozitës do të vinte kasetën e akuzave, organizatorët janë kujdesur që ta spostojnë atë si dekor. Dhe Basha duke e kuptuar këtë ka refuzuar të marrë pjesë.

Mund të vazhdohej pafundësisht me këto rrengje të vockla ku dallojnë politikanët e Tiranës, por fakt është se këto mikrodredhi prej gruaje, dëmtuan vetë aktivitetin që mund të ishte diçka ndryshe.

Në letrën e vet Basha flet për 100 mijë të ikur, dramë kombëtare e quan ai këtë dukuri, sa kohë që sipas tij “po largohen më të diturit dhe më të zotët”.

Pa asnjë dyshim, çdo lloj kontribut i juaji për atdheun tonë është i vyer dhe i rëndësishëm. Investimet e diasporës në çdo fushë të ekonomisë janë të mirëpritura si ujët e pakët. Burimet dhe mundësitë e Shqipërisë janë të mëdha. Partia Demokratike ka gati një projekt të ri të stimulimit të investimeve private përmes uljes së taksave dhe çlirimit të sipërmarrjes nga monopolet klienteliste dhe një mori pengesash që ndrydhin lirinë e saj. Unë do të jem shumë i vëmendshëm ndaj propozimeve tuaja për t’i përfshirë e zbatuar në programin tonë të zhvillimit”, shkruan keu i PD-së me ton fushate. Vazhdon më tej propozimi i Bashës:

E drejta e votës për emigrantët, lehtësimi i marrjes së shtetësisë së dyfishtë, përfaqësimi juaj i vërtetë në vendimmarrjet e rëndësishme politike, nxitja dhe mbrojtja e investimeve të diasporës, mbështetja shtetërore për arsimin, kulturën, artin dhe sportin në komunitetet e diasporës, janë disa nga prioritetet kryesore të projektit tim dhe të Partisë Demokratike për Diasporën. Dua gjithashtu të pohoj se megjithë ndryshimet epokale që ndodhen pas rënies së regjimit shtypës në vitin 1990, unë njoh detyrimet e papërmbushura që vendi i ka borxh diasporës në tërësi dhe sidomos asaj antikomuniste të cilës iu imponua me dhunë ndarja me atdheun. Përmbushja e këtyre detyrimeve është një obligim moral dhe politik për mua dhe Partinë Demokratike”.

Kushdo që e lexon këtë letër e ka të qartë se duhet të mos i besojë asaj një rresht të vetëm. Janë fjalë të përgjithshme, gati automatike që i dëgjon nga çdo politikan. P.sh ditën që iu zu në gojë e drejta e votës për emigrantët, kryeministri që shpresonte ta kishte festën e vet samitin, u përtyp, tha se kjo këronte infrastrukturë, e mandej nxori ministrin e Brendshëm që të sqaronte se “më parë duhet regjistrimi”.

Duke parë vetëm kaq përciptaz mund të pyetet: Çfarë arrin ky samit? Çfarë problemesh trajton ai dhe çfarë projekti krijon? Qeveria nuk është gati të japë të drejta, opozita flet në hava, atëherë për çfarë shërbeu ky miting?

Me siguri për asgjë më shumë sesa për të ngacmuar një tel të marketingut politik në funksion të disa votave më shumë. Të kujtojmë se Edi Rama, në zgjedhjet e vitit 2015 u bënte thirrje nga Facebook emigrantëve që të telefononin familjarët në Shqipëri që të votonin. Dhe e kërkonte këtë pa bërë asgjë në këmbim.

Qeveria aktuale e ka lënë shërbimin konsullor njësoj si në kohën e qeverisë së PD-së: vende pëllumbash për miq e shokë, kushërinj e krushq, njëherë blu e herën tjetër të kuq, pa harruar të palëkundshmit e trëndafiltë të LSI-së. Vende ku emigranti përbuzet e pritet si qytetar i dorës së dytë në mjedise të selive diplomatike që i ngjajnë haneve me katinarë.

E ndërkohë që Lulzim Basha flet “për pjesëmarrje të emigrantëve në vendimmarrje politike”, diçka që nuk ka sesi të ndodhë, Edi Rama, flet për marrëdhënie reciprociteti me Greqinë, por pa dhënë dot asnjë zgjidhje konkrete për një problem si ai kalimit kufitar. Shteti fqinj ka një problem serioz, atavik me mentalitetin e vet kur sa herë ka probleme politike, u shfryn njerëzve në pikat kufitare. Kjo është për të vënë duart në kokë, por këtu qeveria e Edi Ramës, këtij luftëtari të çartur të drejtash, duhet të hynte në veprim, duke mos lejuar që sjelljet e policisë greke në doganë të përsëriten.

Për të mos vijuar më tej një gjë del qartë nga ky Samit: Diapsora shqiptare nuk ka asnjë forcë që të imponojë sot ndryshime reale në sjelljen e shtetit shqiptar, qeverisë së radhës që ka detyrime kushtuese ndaj emigracionit. Ajo nuk po hyn dot si aktor real interesash në lojë, por mbetet vetëm dekor për “emocionet” patriotike që i shtohen kështu me një datë 18, festave të nëntorit. Sepse ajo nuk është e organizuar.

Do të dukej kjo forcë qoftë edhe në kushtëzimin pozitiv të përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë, sjelljes në konsullata e ambasada, godina që të janë kaq të huaja kur je jashtë, saqë e kupton se përveçse të vegjël, kemi edhe veten kundër. Pa folur këtu për atë cinizmin e kryeministrit që sot bën selfie, kur nuk pranonte të njihte faktin se azilkërkuesit ishin shqiptarë Shqipërie, por ishin emigrantë, gjithnjë duke u arratisur nga përgjegjësia.

Bojkoti i Bashës, ashtu si paraqet ai arsyet, improvizon një frymë ndasie që nuk është edhe aq reale, pasi nuk ka gjëra reale te politika e zotërisë në fjalë. Por ky bojkot, ndryshon nga ai emigrantëve që kanë arsye të vërteta për ta bërë atë, pasi qeverisja e PD-së nuk la ndonjë trashëgimi pozitve në këtë drejtim. Bojktoi i opozitës thjesht shpëton fytyrën Bashës, nuk shton asnjë presion pozitiv mbi qeverinë.

Mund të thuhet madje jo pa cinizëm se dështimi dhe provnicializmi i dyshes PS-PD me sektorin diplomatik, po detyron edhe emigrantët të kapin filozofinë e LSI-së: Sot është sot. Nesër...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.