Mos vallë Ilir Beqaj meriton dëmshpërblim për shqetësimin e krijuar?

Postuar në 16 Nëntor, 2016 22:36

Përgjimi i ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj nuk është ndonjë gjë e madhe. Ai është si të thuash, lajm darke, ndryshe nga lajmet rutinë. Jo vetëm se nga Ilir Beqaj mund të presësh të tjera thagma, por sepse në fakt në atë telefonatë zbulohet ai realitet mbytës ku partia vendos për çdo gjë. Këtë e dimë të gjithë dhe nuk na befason.

Është pra një akt normal i një situate anromale me të cilën bashkëjetojmë prej kohësh. Por kur ministri në fjalë, reagon duke thënë se personi është hequr për shkelje ligji, atëherë kjo kërkon një tjetër qasje.

Po, ajo çka është inçizuar dhe transmetuar sonte si një "skandal" i madh, është e vërtetë, por jo e gjithë e vërteta. Sepse, faktikisht, zotëria nuk është larguar nga puna si anëtar i padisiplinuar i PS-së dhe as është larguar me kërkesën time.

Por, është larguar pasi është kapur në shkelje flagrante të ligjit.

Shkelja në fjalë ishte se i ka paguar rrogën për tre muaj personit në detyrën e ekonomistit, i cili që nuk ka qenë fare në Shqipëri gjatë kësaj kohe.

Kështu që, duke shprehur keqardhjen që “u mbars mali e polli një mi”, si dhe duke i siguruar teleshikuesit apo lexuesit e gjysëminformuar mbi këtë episod, se hakmarrja e asnjëlloj natyre nuk është as pjesë e kulturës sime shoqërore, apo aq më pak e edukatës sime familjare, mbetem i përkushtuar në realizimin e objektivave të Qeverisë në sektorin ku kam nderin të drejtoj si ministër i shëndetësisë”, shkruan Beqaj.

Është e qartë se ministra si ky dhe Sajmir Tahiri ja kanë marrë dorën çdo akuze, pasi kanë vënë dorën në thesin e parasë publike. Kështu thonë akuzat. Por në regjistrim, i cili pranohet nga vetë ministri, dallohet qartë kur Beqaj i drejtohet Hajdarmatës me një mesazh shantazhues:

Fati i keq për ty që unë kam dy marrëdhënie me ty: një si i deleguar, një si ministër. Suksese në jetë!”.

Tani regjistruesi mund të jetë hequr për shkelje ligji dhe s’kemi si ta dimë, por ky reagim në raport me atë që dëgjuam, sidomos me fjali si këto, e bën Beqajn të duket si një autik në dispozicion të publikut. Nuk mbetet vetëm që qeveria t’i akordojë dëmshpërblim këtij ministri që i qenka prishur qetësia sot. Për një gjë që me të vërtetë s’ishte ndonjë kushedi se çfarë se si i thonë asaj fjalës: “Partia ime më hoqi”.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.