Intervista e parë si President, Trump refuzon pagën dhe lajmëron dëbimin e 3 milionë emigrantëve nga SHBA (Video)
Intervista me Donald Trump në show-n «60 Minutes» të CBS edhe pse u dominua nga deklaratat e tij se do të përzërë 3 milionë emigrantë dhe do të ndërtojë murin me Meksikën që e kishte premtuar para zgjedhjeve – një pjesë e të cilit do të jetë e gardh - nuk ishin të vetmet lajme në daljen e tij të parë në media si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Trump tha se nuk e dëshironte pagën si President prej 400 000 dollarësh në vit dhe se në vend të kësaj do të pranonte shumën simbolike prej një dollari në vit. "Jo, unë nuk do ta marrë pagën e presidentit. Do të marr vetëm një dollar amerikan në vit ", tha ai duke shtuar se nuk e dinte se sa ishte rroga e presidentit të SHBA.
Trump ftoi edhe mbështetësit e tij të ndalin sulmet raciste kundër minoriteteve, ndërsa u shfaq mospërfillës për çështjen e martesës së personave të të njëjtit seks. "Unë jam i trishtuar kur dëgjoj të ndodhin të gjitha këto. Dhe unë u them të gjithëve "Stop". Në qoftë se kjo ndihmon unë do të jem i qartë dhe do të flasë direkt në kamera, duke thënë “Stop” - ishte mesazhi i tij për ata persona që kanë kryer sulmet raciste në Amerikë pas zgjedhjes së tij. Në të njëjtën kohë ai kritikoi ata që protestojnë kundër zgjedhjes së tij, duke shpërthyer në kritika kundër mediave se “çdo incident të vogël e marrin dhe e bëjnë të madh."
Lidhur me kreun e FBI James Comey, njeriunqë filloi një hetim të ri kundër Hillary Clinton disa ditë para zgjedhjeve të 8 nëntorit, një lëvizje që për shumë njerëz mund të konsiderohet se ndikoi në rezultatin përfundimtar, Trump tha se nuk kishte vendosur nëse do t’i kërkonte dorëheqjen. "Unë e vlerësoj, ashtu si dhe shërbimin e FBI-së. Kishte një rrjedhje të madhe të informacionit, nuk kam asnjë dyshim për këtë, por do të preferoja të bisedoja me të më parë"-deklaroi kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë. "Mund të kishte arsye shumë të mira për të bërë atë që bëri," shtoi Trump.
Ai tha gjithashtu, ishte "ok" me martesat e të njëjtit seks, duke shtuar se nuk do të ndërmerrte ndonjë hap në Gjykatën Supreme për të përmbysur vendimet që i konsiderojnë legjitime martesa të tilla.Por ai tha se do të promovojë gjyqtarët të cilët nuk pajtohen me të drejtën e abortit dhe kufizimet mbi të drejtën e armëve.
Add new comment