Mëkmëku i mjeshtrit të Politikës së Jashtme

Postuar në 09 Nëntor, 2016 14:01

Donald Trump fitoi. Ky është lajmi kryesor sot në botë. Ky është një zhvillim që pritet të ndryshojë shumëçka në orientimin e SHBA-së, por edhe në metodën e qasjes së politikës ndaj elektoratit dhe kapitalizimit të emocioneve, ankthit dhe normave identitare. Një leksion që do të studiohet gjatë. Analiza apo komenti nga vende të vogla, periferike si Shqipëria, bëhet në raport me atë që pritet të ndodhë me politikën amerikane në rajonin e me vendin tonë.

Nëse Trump i përmbahet asaj që ka premtuar, atëherë një riafrim me Rusinë e defaktorizon Ballkanin dhe elementët anti rusë siç pretendon se është qeveria shqiptare. Edhe zgjidhja e problemeve në Lindjen e Mesme, e ul peshën e rajonit në kuadër të sfidave të sigurisë. Këto mbeten ende spekullime sa kohë Trump nuk ka marrë ende vendimet e para.

Cila është e ardhmja e Nismës së Berlinit në kushtet e një ndryshimi kursi ndaj Vladimir Putinit? Kjo dhe të tjera janë pyetje që do të marrin vlerë në një të ardhme të afërt.

Por nëse kjo votë nuk varet nga Shqipëria dhe shqiptarët, qasja ndaj SHBA-së dhe zhvillimeve aty mund të kontribuojë diçka për të ruajtur statusin e “partnerit strategjik”.

Dhe kjo bëhet kur politika e jashtme nuk i lejon vetes që të tejkalohet as paralelizohet nga gjeste personale që burojnë nga egocentrizmi, nevoja për show, por edhe nga interesa të pasqaruara. Nuk është sekret që Clinton është e afërt me çështjet shqiptare. Ish-presidenti Bill Clinton ka lënë shenjë në historinë e Ballkanit dhe të shqiptarëve me luftën e Kosovës. Por është njëra gjë të respektosh dhe nderosh një mik, e tjetër të përfitosh nga afeksione e politika të tilla për të ndërtuar imazhin e një miqësie personale që garanton partneritetin mes vendeve. Lufta e Kosovës ishte luftë e Amerikës e pastaj e Clinton. Njësoj sikundër deklarimet e kryeministrit shqiptar lexohen si qëndrime të Shqipërisë.

Kujt i vlejnë atëherë ato deklarata e ato kapardisje në media shqiptare e të huaja, kundër Donald Trump për të cilat sot kryeministri Edi Rama po tallet në media? Askujt, përveçse një shprese tanimë të vdekur për fitoren e Hillary Clinton. Që përkthehet patjetër në atë mbështetje ndonjëherë absurde që kemi parë t’I jepet, Jo Shqipërisë, por qeverisë aktuale nga SHBA, apo ambasada e saj në Tiranë.

Këto gjeste të një predikuesi të vetëshpallur të demokracisë, mundet të rëndojnë e të ndikojnë raportet mes dy vendeve, njësoj sikurse mundet edhe të harrohen. Por një leksion ato e përcjellin: Politika e Jashtme, edhe ajo e një vendi si Shqipëria, është diçka serioze. E si e tillë, ajo dëmtohet nga kllounët e radhës që sot nuk u mbetet veçse mëkmëku i postimeve të sforcuara. 

Comments

Submitted by tomi (not verified) on

Ate qe i thote opozites per persheshin po i kthehet ne bumerang. O i ziu ti o politikan aksidental; futju tasit te persheshit tani, qe te shijosh persheshin qe bere vete. Yyyyyyt aventurier qe s'ndalesh perpara asgjeje. Turp te kesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.