Rezultatet befasuese nga sondazhi - në fshat dhe në qytet - për Erjon Veliajn
Në Bashkinë e Tiranës punohet. Jo pak madje. Sidomos po të krahasosh punët që po bëhen me epokën e gjumit të Bashës, rezultatet janë jo të pakta. Natyrisht mund të bëhet më shumë, më mirë, por siç thotë kryetari i ri i Bashkisë: Tiran nuk ndalet.
Shumëkush pyet: po kush do ta ndalë? Fundja përherë është bërë ndonjë punë. Postblloku i zhvillimit është ajo që Veliaj e zë në gojësh si nëpër dhëmbë: media. Sikur këtë të fundit të mos e anatemonte kryeministri, Veliaj do mendohej dy herë për ta thënë. Por meqë kryeministrin mediat e kanë detyruar të bëjë çdo javë nga një video për temë, Veliaj po shpejton që t’i japë një dorë, duke kërkuar betejë me mediat në mënyrë, që kur t’i mund, siç shpreson ai duke i nxjerrë bllof, t’i dëshmohet Ramës si fitues. Një mënyrë që të shmangen keqkuptimet, apo të eliminohet diferenca mes punëve të vërteta dhe realitetit keqdashës të mediave janë sondazhet. Zgjedh një grup njerëzish sipas një kategori, i telefonon, u bën ca pyetje, i mban shënim dhe në fund nxjerr ca përqindje. Këtë punë bëri edhe Qendra për “Shpim&Kërkim” e punëve të Bashkisë.
U pyetën gjithësej 1000 njerëz, 500 brenda Unazës së Tiranës dhe 500 në Tiranën e re, pra fshatrat që iu bashkangjitën me ndarjen e re territoriale.
Nga këta, në grupin e parë 489 u pyetën banorë të ish-njësisë bashkiake nr. 5 dhe zonës së Bllokut, shumica të moshës së dominosë. Apo ndryshe, grupmosha mbi 60 vjeç. Arsyeja pse ndodhi kështu është krejt rastësore: Duke qenë se në orën kur bëhej telefonata gjithë grupmoshat e tjera janë në punë, telefonin e ngrinin vetëm pleqtë. Tirana nuk ndalet...
Në grupin e parë, rezultatet ishin suprizuese. Erjon Veliajn e njohin të gjithë. Punën e tij e përshëndesin dhe e admirojnë. Trotuare të rregulluar, ndriçim, asfaltim, stola, pemë dhe sidomos ndalimi i urinimit publik ishin pikat e forta.
“Unë i kam propozuar shokëve të lagjes që t’i themi presidentit ta dekorojë me Medaljen e Punës, Klasi I”, tha Veizi, ish-punonjës në aparatin e Komitetit Qendror, 65 vjeç. Kur iu sqarua se kjo dekoratë është hequr Veizi tha se këto punë antishqiptare i ka bërë Saliu.
“Ajo dekoratë do rikthyer sa më shpejt”, shtoi ai. Ky rast na provon një paradoks shumë të madh: Populli, ose një pjesë e tij të paktën, do me çdo kusht që t’i vlerësojë njerëzit e punës, por nuk ka se si. Edhe një dekoratë që kishte e kanë hequr. Shpërblimi me para është diçka që Erjoni nuk e njeh, pasi nga hulumtimet e Qendrës, doli se në Tiranën e Re funksionoi disa ditë një iniciativë për krijimin e një Kumbaraje publike, ku hidheshin lekë. Këto do t’i jepeshin Erjonit si shpërblim për ditën e Vitit të Ri. Kumbaranë e hoqi dega e PD-së së lagjes, në një akt të paprecedentë banditizmi. Ka edhe spekullime se Veliaj pagoi kryetarin e degës që ta bënte këtë gjë, por nuk është e konfirmuar.
Por më shumë sesa rezultatet e punës, është një lloj kulti që është ngritur për Veliaj në zonën e Bllokut. Nga një vëzhgim sipërfaqësor rezultoi se që nga viti 2015 e këtej, emri Erjon si zgjedhje për të porsalindurit është përdorur 45% më shumë sesa vitin 2014. Dyshimi është se mos kjo ka të bëjë me Erjon Braçen, por pas interesimit tonë në INSTAT na konfirmuan se kjo është e pamundur.
“Shpeshtimi i emrit Erjon ndodh për herë të parë pas 7 vjetësh. Asokohe studimi ynë nxori në dritë se si model referues ishte Braçe meqë mori detyrën e Kryeredaktorit të “Zërit të Popullit”, por u ndërpre menjëherë pas 3 muajsh. Një gjurmim antropologjik në këtë drejtim zbuloi se ishin gratë ato që frenuan këtë gjë, për shkaqe supersticioze: kishin frikë mos fëmijët me emrin Erjon mbeteshin të shkurtër. Rikthimi i kësaj prirjeje aktualisht lidhet pra logjikisht me suksesin e Veliajt”, tha burimi ynë nga INSTAT.
Pjesa tjetër e këtij grupimi nuk ka interes statistikor.
***
Në grupimin e dytë rezultati ishte krejt tjetër. Nga 500 të telefonuar, 450 që u përgjigjën ishin gra. Pyetëm në Bashkinë e Tiranës për të parë si e lexon ajo këtë ndryshim që ndodh mes zonës urbane dhe asaj rurale. Përgjigja ishte se në fshatra ka dalë lajmi se së shpejti përurohen tregjet bujqësore dhe fshatarët i janë futur punës. Meqë vrulli është i madh, fillimisht celularët i vinin në silence mode dhe i linin me torbat e bukës. Pastaj, për të shmangur shkëputjet e shpeshta i lanë në shtëpi.
Përshtypja për Erjonin në thuajse të gjitha zonat ishte shumë e mirë, ndonëse pak e njihnin me emrin e vërtetë. EriVeli, Erjon Fiku, Fikaxhiu, Erjoni i Ramës, Erjoni me parfum, Shoku i Bamirit, Laci nga Tirana, këto ishin disa nga emrat që fshati i atribuon kreut të Bashkisë. Shoferët e furgonëve e njhinin të gjithë si: Lali Eri. Ndërkohë dega e PS-së nëpër fshatra ka adoptuar devizën: Nuk ka gjumë.
Nga të pyeturit rezultoi se Erjon Veliaj ka një problem komunikimi.
“Ai as hyn brenda dhe as të pi një gotë raki në shtëpi. Plus na ngriti mendjen kur na tha “se prodhimet tuaja mund t’i tregëtoni lirshëm në tregje në Tiranë. Ne mbollëm hashash të gjitha fushat, sepse kështu na porositi i Plotfuqishmi, polici i këtushëm”, tha Liljana, 45 vjeç. Ajo shtoi se pasi e mbollën dhe po bëheshin gati ta korrnin, erdhi policia dhe ua dogji.
“Ndaj edhe po shtyhet përurimi i tregjeve”, shtoi Liljana.
Kurse Albina, 15 vjeç tha se:
“I kam bërë like page të Erjonit në Facebook. I bëj like statuseve të tij dhe ai komentoj. Mendoj se puna më e mirë e tij është se ai nuk fle”. Kur u pyet se kush flinte, Albina nga Priska tha se:
“Në fakt ish-kryetari i Komunës rrinte gjithë kohës në lokal dhe këndonte. Por Erjoni nuk fle si Basha që nuk erdhi asnjëherë këtu te ne”.
(Kujtojmë lexuesin se në kohën e gjumit, Tirana nuk e përfshinte Priskën). Është e dukshme pra, gati në masën gati 60% se rinia e zonave rurale e admiron Veliajn.
“Unë u gëzova që ai do vinte për shkollën e re, por pastaj pashë se në vend të tij erdhi Edi me atë gruan bjondje me syze. U mërzita. I shkruajta në Facebook dhe më dërgoi një nga figurat me qeshje dhe faqe të skuqura. Unë Edin e shoh përditë, ai erdhi edhe aty”, tha Mira, 24 vjeç nga Sureli.
Konkretisht, pyetjes se: “Nga çfarë keni lexuar, dëgjuar e parë si mendoni se ka punuar Veliaj”, përgjigjet ishin:
40% Kemi lexuar vetëm postimet e Veliajt në Facebook dhe mendojmë se ai ka punuar shumë mirë
25% Kam lexuar qytetarin dixhital dhe Erjoni nuk bën.
15% Nuk e di kush është Erjoni. Iliri nuk na ka thënë gjë për të.
20% Liri Demokraci. Poshtë komunistët.
Vihet re pra se berihai do ta rivotonte Veliajn në detyrë pavarësisht problemeve. Sa për premtimet e pambajtura, ato në përgjithësi i atribuohen qeverisë. Erjoni madje e ka kuptuar se NUK duhet të NDALET tek ato. Sepse as Tirana nuk ndalet!
Shaptilografisti
Add new comment