Zbulohen dy romanet e panjohura të Konicës me pseudonimin Jean de Kroïa
Nën pseudonimin ‘Jean de Kroïa’ ose ‘Gjoni i Krujës’ rreth 115 vjet më parë, Faik bej Konica do të shkruante dy romane deri sot ende të panjohura. “Sotiri dhe Mitka” dhe “Martesa e Lejlës” janë botuar së fundmi nga “Zenit”. Romanet u gjetën nga studiuesi Fotaq Andrea, i cili i shoqëron me një studim shpjegues me titullin”Faik Konica- Përlindësi modern”-sërish nën siglën e “Zenit”, ndërsa botuesi Krenar Zejno, në një parathënie jep detajet e nevojshme për dy romanet.
Sipas Fotaq Andreas, romanet duhet të jenë shkruar në vitin 1909, ndërsa një analizë e bërë prej tij sugjeron se janë botuar në vitin 1911 në Paris- në një vëllim të vetëm nën titullin “Le mariage de Leila”. Mendohet se janë shtypur në një shtypshkronjë të vogël, çka sipas tij e shpjegon edhe tirazhi i kufizuar, “aq sa edhe Biblioteka Kombëtare e Francës, nga më të pasurat në botë, nuk e disponon një libër të tillë me tematikë të mirëfilltë shqiptare!”
Romanet e zbuluara nga Fotaq Andrea, qenë shkruar e botuar në gjuhën frënge nga Konica dhe janë përkthyer në shqipe po prej tij. Në kopertinën e pasme të librit përmbledhës të dy veprave, shkruhet: “Dy romane misterioze- Dy ikona të Letrave shqipe”. Mandej jepen të dhëna mbi secilin. “MARTESA E LEJLËS- Të njëzet kapitujt e kësaj pastoraleje dashurore shkojnë fjollë, pa përplasje as pengesë, rrjedhin si një burim me ujë kristalor drejt një zgjidhjeje të dëshiruar, duke përbërë në tërësinë e tyre një akt të lartë, tek vërtetojnë (gjë e rrallë sot) që një roman mund të jetë interesant duke mbetur i ndershëm; ndërsa sa i takon pjesës “SOTIRI DHE MITKA” vihet në dukje se “është një tregim i shpejtë që të mban të lidhur dhe që fillon në Amerikë për të përfunduar në Shqipëri. Mund të themi se kemi të bëjmë me një novelë të shekullit XVII, aq shumë janë pikturuar e treguar me hollësi e delikatesë portretet e dy miqve… ku jeta e re buthton, zhvillohet, shpaloset në rritje të shpejtë, gjersa dramatizohet më në fund nëpërmjet një rrethane të llahtarshme e tragjike, për të përfunduar siç duhet… lumturisht”. Të dyja këto shënime, janë të Edmond de Gabory, për “L’Avenir d’Arcachon”, më 8 tetor 1911.
Andrea vëren se në romane autori ka vënë si personazhe të afërmit e tij, nga mbesa te e ëma, madje, një prej personazheve, është vetë ai.
Te “Martesa e Lejlës”, Andrea thotë se (personazhi kryesor Lejla), është mbesa e shkrimtarit, e bija e vëllait të tij, Mehmet Konicës. Në roman përfshihen edhe nëna e Faik Konicës- Zeliha Delvina (Konica), vetë Faiku si personazhi Vangjel, ose princi Aladro Kastrioti – pasardhësi i Gjergj Kastriotit që pretendonte fronin e Shqipërisë, personazh pozitiv që gjendet në të dy romanet. Te romani tjetër, “Sotiri dhe Mitka”, personazhi kryesor është Dominiku, i cili ka në fakt emrin e pagëzimit në fenë katolike të vetë Faik Konicës.
Ky personazh sipas Andreas, pasi ka kryer studimet në Vjenë e Paris, kthehet në vendlindje në Vlorë dhe ngre fabrikën e parë të industrisë vajore. “Ekrem bej – është me gjasa Eqerem bej Vlora në rini”, thotë Andrea, duke shtuar se Sotiri dhe Mitka janë emra krejt të zakonshëm shqiptarësh që mërguan nga Korça për në Amerikë, e po aty ka edhe emra Gjergj, Guri, Trifona, Trimi.
"Gazeta Shqiptare"
Add new comment