Taksë ‘private’ shtesë për ilaçet, SICPA kërkon 3 milionë euro në vit

Postuar në 18 Tetor, 2016 14:52
Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare ka ndër mend të marrë përsipër një detyrim tjetër kontraktual me vlerë prej minimalisht 3 milionë euro dhe ka premtuar t’ia japë këto para kompanisë SICPA, e cila sakaq ka arkëtuar gati 26 milionë euro nga shitja e pullave të akcizës së cigareve e alkoolit, pavarësisht se rritja e premtuar e të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë kohës së zbatimit të këtij koncesioni ka rezultuar zhgënjyese.

Një propozim i qeverisë me nismë nga Ministria e Financave, aktualisht në diskutim në Kuvendin e Shqipërisë, përcakton ndryshime në kontratën e koncesionit të miratuar fillimisht mes debateve të shumta në vitin 2010 dhe të zbatuar që nga viti 2012.

Ndryshimi i kontratës përcakton që ilaçet, të cilat aktualisht tregtohen me pulla sigurie të prodhuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, do të duhet të pajisen me pulla të reja të prodhuara nga SICPA, pulla që do të kushtojnë 2.4 për qind e vlerës së barnave, ose në total jo më pak se 3 milionë euro në vit.

Kontrata fillestare mes Ministrisë së Financave dhe SICPA përcaktonte që pullat e prodhuara nga kjo kompani, të cilat janë disa dhjetëra herë më të shtrenjta se sa pullat e mëparshme, do të vendoseshin përveç produkteve tradicionale me pulla akcize si pijet e forta alkoolike e duhani, edhe te birra dhe te ilaçet. Por pjesa e kontratës sa i përket ilaçeve nuk u vu në zbatim. Qeveria duket se nuk u mjaftua me vënien në zbatim të kësaj pjese të kontratës, por edhe me një ndryshim thelbësor, në bazë të së cilit, nëse pullat e ilaçeve nuk vihen në zbatim për çfarëdolloj arsyeje, Ministria e Financave detyrohet t’i paguajë kompanisë një shumë prej së paku 3 milionë eurosh.

“Nëse është e zbatueshme, brenda 30 ditëve pune nga fundi i çdo viti kalendarik, autoriteti do ta bëjë Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Kontrollit të Pajisjeve të Shqipërisë t’i paguajë SICPA Albania shumën e nevojshme për të bërë të mundur që koncesionari të paguhet me të paktën një vlerë vjetore të garantuar të barabarte me 2.4 % të 128 milionë eurove çdo vit (pa përfshirë TVSH-në)” shkruhet në këtë projektligj.

Kontrata fillestare e koncesionit e vitit 2011 është mbajtur sekret nga ana e qeverisë së kohës dhe nuk është publikuar as nga qeveria aktuale. Rrjedhimisht, është e vështirë të krahasohet kontrata e mëparshme me ndryshimet e propozuara në projektligjin e ri. Kjo kontratë është kritikuar ashpër nga Partia Socialiste kur ajo qe në opozitë si një tradhëti e interesave të publikut, krijim i një “atdheu privat” nga qeveria e kaluar etj.

“”Ekonomia për vete” pasuroi pakicën, ka përqendruar tek pakica të mira materiale e financiare të mëdha, por dhe ka përjashtuar shumicën nga pjesëmarrja në burimet e ekonomisë kombëtare. E detyroi atë të paguajë shtrenjtë çdo shërbim, duke e varfëruar ditë pas dite. Edhe kjo nuk është liberale apo e djathtë, kjo është thjesht e korruptuar,” deklaroi në atë kohë deputeti Erjon Braçe përPartinë Socialiste. Kritikat e Braçes ndaj këtij konçesioni vijuan edhe pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet.

Braçe, i cili sot është kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, në Kuvendin e Shqipërisë, do të duhet të shqyrtojë propozimin e qeverisë për ta ndryshuar kontratën e shumëkritikuar prej tij të SICPA në ditët e ardhshme. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka nënshkruar këtë kontratë gjashtë vjet më parë, është zëvendëskryetar në këtë komision në emër të opozitës.

Kontrata që nuk solli rritje të të ardhurave

SIPCA fitoi kontratën me Ministrinë e Financave sipas formulës së shumëkritikuar të “propozimit të pakërkuar” nën supozimin se instalimi i pullave fiskale të reja do të sillte kontroll më efikas të tregut të mallrave të akcizës si duhani e birra dhe rrjedhimisht, kontrata e koncesionit do të justifikonte kostot përmes rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit. Sipas kontratës, për çdo mijë pulla fiskale të duhanit duhet të paguhet 20 euro pa TVSH dhe për verën, 32 euro. Birra u ngarkua me 22 euro për mijë pulla. Për çdo paketë cigaresh, qytetarët, mbi të cilët bie çmimi final, paguajnë 2.8 lekë ndërsa për çdo shishe birrë 33 cl, pulla fiskale kushton 3.08 lekë.

Në fakt, instalimi i pullave fiskale u shoqërua me rënie drastike të konsumit të taksueshëm të duhanit, ndërsa konsumi i taksueshëm i birrës pati luhatje por nuk shënoi rritje.

Në vitin 2010, kur në Shqipëri qarkullonin pullat e vjetra fiskale, importi i duhanit qe 4,500 tonë në vit ndërsa në vitin 2015, importi i duhanit ra në 2,478 tonë ndërsa pullat moderne fiskale të SICPA duket se nuk ndihmuan të luftohet kontrabanda dhe evazioni fiskal. E njëjta gjë ndodhi me importet e taksueshme të birrës, të cilat, në vitin 2010, kur ky produkt nuk kishte pullë akcize, qenë gati 34 milionë litra ndërsa në vitin 2015 qenë 30 milionë litra. Pavarësisht kësaj, koncesioni SICPA i kushtoi shqiptarëve rreth 6.4 milionë euro çdo vit për një total prej 25.8 milionë eurosh për periudhën 2012-2015. Në rast se propozimi i qeverisë miratohet në Kuvend, kostoja totale vjetore e koncesionit do të mbërrijë në gati 10 milionë euro në vit.

SICPA është një nga shumë koncesionet që qeveritë shqiptare kanë dhënë përgjatë 20 viteve të fundit.

"BIRN"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.