Po shtetit të Kosovës, jo kosovarizmit!

Postuar në 14 Tetor, 2016 14:14
Enis Sulstarova

Nuk ka identitet kombëtar kosovar, por ka kosovarizëm. Këtu kosovarizmin e kuptojmë si ligjërim dhe praktika institucionale që kërkojnë krijimin e kombit kosovar si i veçantë nga ai shqiptar, apo që synojnë  “pavarësimin” e Republikës së Kosovës nga varësia e supozuar apo ndikimet që burojnë prej Republikës së Shqipërisë. Kosovarizmi ka ekzistuar më përpara se sa shteti i Kosovës, tek idetë që qarkullonin se “kosovarët” janë të ndryshëm nga “shqiptarët”, apo se kosovarët kulturalisht ndihen inferiorë ndaj shqiptarëve të Shqipërisë etj.

Politikisht ka pasur përpjekje që lëvizja për pavarësinë e Kosovës që synonte një barazlargim si prej Serbisë po ashtu edhe prej Shqipërisë. Edhe formula koniunkturale e Rugovës për një Kosovë të pavarur të hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, ta krijonte ndjesinë se kishte diçka të gabuar në barazimin midis dy shteteve, edhe kur kjo bëhej në emër të mirëkuptimit që shteti i ardhshëm i Kosovës duhej të kishte ndaj shteteve fqinjëve.

 

Idesë së kosovarizmit i kanë dhënë jo pak dorë edhe politikat e mefshta e në disa raste të gabuara të qeverive paskomuniste të Shqipërisë ndaj lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, si edhe ndjenjat dhe idetë antikosovare që duhen pranuar se kanë ekzistuar në Shqipëri dhe që janë shprehur në parulla të tilla si “kosovarët po na prishin marrëdhëniet me fqinjët”, “ç’duan kosovarët, ata janë rehat, kanë para e udhëtojnë nëpër Evropë” etj. Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ideja e “kombit kosovar” riqarkulloi sërish në shtypin e Prishtinës, gjë që e bëri Rexhep Qosen të reagojë duke e quajtur si pjesë të “ideologjisë së shpërbërjes” së kombit shqiptar. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kosovarizmi është rifuqizuar nën petkun e “patriotizmit kushtetues”, pra të besnikërisë politike të qytetarëve ndaj shtetit e rendit kushtetues dhe jo ndaj kombit.

Kushtetuta ahtisariane e Republikës së Kosovës ka synuar të shmangë pronësinë shqiptare të shtetit të ri duke e zëvendësuar me një shumëkulturalizëm komunitar, sipas të cilit shteti formalisht njeh gjashtë komunitete etnike me status të barazvlefshëm ligjor. “Kosovari” duhej të ishte identiteti i qytetarëve të Kosovës, krahas identiteteve etnike/kombëtare. Si i tillë, ai shprehet përmes simbolikës neutrale shtetërore, të zbrazur nga kuptimet historike e kulturore: flamurit me gjashtë yje dhe himnit pa vargje të titulluar “Evropa”.

Agresioni i hapur i Serbisë ndaj Kosovës, me bllokadë në arenën ndërkombëtare dhe me strukturat paralele brenda Kosovës, ka bërë që shtetësia e Kosovës të jetë e pranuar nga shqiptarët e atjeshëm dhe jo nga serbët, përfaqësuesit politikë të të cilëve pretendojnë se Kosova është akoma pjesë e Serbisë. Si rrjedhojë, kosovarizmi nga një projekt shumëkulturor është kthyer në një projekt që u kushtohet vetëm shqiptarëve të Kosovës. Kjo gjë po duket qartë te presioni shtetëror që qytetarët shqiptarë ta shprehin atdhetarizmin e krenarinë e tyre përmes simbolikës shtetërore dhe jo me anë të simbolikës kombëtare shqiptare.

Shembulli më flagrant është përpjekja për të ndaluar flamurin shqiptar në ndeshjet e përfaqësueses futbollistike të Kosovës. Klani Pronto që po qeveris Kosovën dhe bashkëpunëtorët e tyre në media e shoqërinë civile kanë përqafuar kosovarizmin si ideologjinë e tyre sunduese, e cila përpiqet të fshehë interesat materiale dhe pushtetare të sundimtarëve. Thaçi, Mustafa, Veseli dhe bashkëpunëtorët e tyre janë bërë bashkë për të ruajtur pozitat që kanë në shtet dhe për të shpërndarë favore të vartësit e klientët e tyre. Këtë gjë ata nuk mund ta pranojnë hapur, ndaj u duhet të duken si “institucionalistë” në sytë e popullit dhe ndërkombëtarëve, pikërisht kur kanë instaluar një shtet policor që shtyp opozitën politike.

Thaçi, Mustafa e Veseli nuk mund ta pranojnë hapur se janë kthyer në shërbëtorë të interesave të Beogradit në Kosovë, prandaj hiqen si përfaqësues të interesave të mbarë qytetarëve të Kosovës, jo vetëm të shqiptarëve. Zajednicën ata po e justifikojnë si një kërkesë që vjen nga serbët e Kosovës, kur në fakt ajo është fabrikuar në zyrat e Nikoliçit e Vuçiçit. Kosovarizmi u duhet atyre për ta trajtuar Serbinë jo si armike, por si partnere. Thaçi dhe Veseli i kanë zhveshur me kohë uniformat e UÇK me simbolikën shqiptare, ata i kanë tradhtuar idealet e dëshmorëve të luftës, ata duan ta harrojnë fare luftën, prandaj po mundohen t’i qepin vetes kostumet e identitetit të ri kosovar, si “evropianë të rinj” pa barrën e kujtesës historike të identitetit shqiptar.

Ndërsa kryeministri Mustafa është mësuar që nga koha e Jugosllavisë që të luftojë “kundërrevolucionarët” e agjenturës së Tiranës, siç shpreheshin dikur aparatçikët titistë kundër demonstratave popullore në Kosovë. Thaçi, Mustafa dhe Veseli janë larguar nga rruga e shqiptarisë dhe duan të marrin me vete shqiptarët e Kosovës. Kuptohet me bekimin e Serbisë që ndarjen shqiptar/kosovar (shiftari/albanac) e ka pasur strategji të vjetër. Përballë rritjes së pandalshme të përkrahjes për Lëvizjen Vetëvendosje!, e cila motivohet nga ideja se Republika e Kosovës duhet të jetë shprehje e aspiratës historike e kombit shqiptar për vetëvendosje, klika sunduese në Prishtinë po kapet fort pas kosovarizmit. Domethënëse për këtë janë deportimet e paligjshme të aktivistëve të Lëvizjes me shtetësi të Republikës së Shqipërisë.

Disa opinionistë në Prishtinë që e heqin vallen sipas melodisë së klanit Pronto e kanë barazuar rolin e këtyre aktivistëve me atë të strukturave paralele serbe për destabilizimin e shtetit të Kosovës. Ndaj rasteve të përsëritura të deportimit të shtetasve të saj, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka qëndruar në heshtje, siç duket për të mos ua prishur rehatinë Thaçit e Mustafës.

Gjithashtu, në kohën kur po kundërshtohej fuqishëm në Kuvend dhe në sheshe kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, prej të cilit Kosova humbiste 8000 hektarë tokë, në kohën kur Kosovës akoma i mungon kontrolli kufitar efektiv me Serbinë, disa deputetë të shumicës qeverisëse kishin paturpësinë dhe poshtërsinë që të hidhnin bomba tymuese mediatike për gjoja pretendimet kufitare që mund të ngrinte Republika e Shqipërisë ndaj territorit të Republikës së Kosovës. Kosovarizmit, si projekt për krijimin e një kombi të ri midis shqiptarëve të Kosovës, i nevojitet përmbajtja kulturore dhe historike. Në mungesë të kujtesave dhe miteve të veçanta, meqenëse që prej një shekulli përpjekja për çlirimin e Kosovës është bërë në emër të kombit shqiptar, kosovaristët po kapen pas gjuhës letrare shqipe, duke kërkuar një standard të veçantë të drejtshkrimit që të jetë më pranë dialekteve të Kosovës.

Ky kosovarizëm gjuhësor nuk është aspak i ri. Ai është njëlloj si projekti i krijimit të identitetit kombëtar maqedonas nga Tito për t’i larguar sllavomaqedonasit nga përkatësia bullgare. Një plan i ngjashëm i Titos për themelimin e një gjuhe letrare enkas për shqiptarët e Jugosllavisë nuk eci, sepse ata përqafuan si gjuhë zyrtare të Kosovës standardin e vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, edhe pse ai bazohej te dialektet jugore të shqipes. Shumë kritika, madje edhe mallkime, janë lëshuar ndaj vendimeve të atij kongresi për favorizimin e toskërishtes ndaj gegërishtes. Edhe pse një pjesë e kritikuesve ka të drejtë, në krahun tjetër nuk mund të mos përmenden meritat e tij.

Ai theksoi edhe njëherë njësinë e kombit shqiptar dhe me përcaktimin e gjuhës së një- suar letrare lehtësoi ato pak shkëmbime kulturore që mund të bëheshin midis pjesëve të kombit në situatën e atëhershme kur kufijtë ishin të mbyllur. Miratimi i vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit prej delegatëve nga Kosova duhet parë edhe në vijim të lëvizjes politike e shoqërore të viteve ’60-’70 që kërkonte statusin e republikës për krahinën e Kosovës.

Një nga gënjeshtrat më të mëdha që janë përhapur te shqiptarët është se ata të Shqipërisë e flasin shqipen letrare, ndërsa ata në Kosovë jo. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka si të jetë përderisa ka të bëjë me ligjërimin gojor. Njerëzit gjuhën amtare e flasin siç kanë mësuar në familje dhe si duan ata vetë, kuptohet edhe sipas shtresës shoqërore e nivelit të arsimimit. Shqiptarët në Shqipëri flasin në dialekte lokale, sikurse shqiptarët jashtë këtij shteti dhe kjo është e natyrshme, sepse dialekti është gjuha natyrore që mësohet duke thithur ajrin e qumështin e nënës. Përvetësimi me shkrim dhe me gojë i gjuhës letrare ka të bëjë me arsimimin kryesisht.

Arsimimi i detyrueshëm dhe përqendrimi i të gjithë komunikimit publik te partia-shtet gjatë komunizmit ka bërë që gjuha letrare në Shqipëri të jetë më e ngulitur në popullatë. Në dekadat e fundit, edhe Shqipëria ka pasur probleme të mëdha të përvetësimit të gjuhës letrare te brezat e rinj, madje edhe te studentët e universiteteve, sepse ka rënë niveli i shkollimit. Liberalizimi i mediave dhe përhapja kohët e fundit e mediave ndërvepruese elektronike, ka sjellë shmangie të ligjërimit të shkruar prej rregullave të gjuhës letrare.

Pra, nuk duhet fajësuar gjuha letrare në vetvete (e cila sigurisht që evoluon me kohën dhe ka nevojë për rishikime), sepse problemet janë strukturore. Shpikja e kosovarishtes në ditët tona nuk mund të fshihet si gjoja një çlirim kulturor nga shtypja koloniale e shqipes, sepse ajo realisht është projekt politik për ta përçarë edhe më shumë dhe për ta dobësuar kombin shqiptar. Republika e Kosovës është akoma një arenë e përplasjes së shovinizmit serb me nacionalizmin shqiptar.

Për fajin e diplomacisë ndërkombëtare, por edhe të qeverive që e kanë qeverisur vendin që nga viti 2008, Republika e Kosovës nuk po lartësohet në statusin e duhur të një subjekti sovran në marrëdhënie me Serbinë. Siç duken nga ngjarjet e njëpasnjëshme (rasti i fundit është ai i objektit të paligjshëm në mjediset e Universitetit të Prishtinës), presidenca dhe qeveria e Kosovës po veprojnë si vasalë të Beogradit, duke shkelur madje edhe ligjet në fuqi. Nëse zbatohet, Zajednica do të jetë grepi me të cilin Serbia vazhdimisht do ta tërheqë Kosovën pas interesave të saj dhe do të pengojë shtetndërtimin.

Pasojat e varësisë ndaj Serbisë po i vuajnë dhe do t’i vuajnë shqiptarët e Kosovës. Zgjidhja nuk është fshehja pas identitetit efemer kosovar, por përballimi i Serbisë si shqiptarë dhe në emër të shqiptarisë. Edhe Republika e Shqipërisë duhet të ndryshojë qasjen e saj të distancuar në lidhje me marrëdhëniet Beograd-Prishtinë dhe të luajë një rol më aktiv në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve, përfshirë ata që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Nëse qeveritarët e Kosovës, të ndrydhur e të shantazhuar prej dosjeve të korrupsionit dhe Gjykatës Speciale, nuk e mbrojnë dot interesin kombëtar, ekonomik e shoqëror të shqiptarëve të Kosovës, atë duhet ta artikulojë me forcë qeveria dhe diplomacia e Tiranës. Kjo e fundit duhet të kapërcejë druajtjen proverbiale për të mos u prononcuar për çështjen e dialogut Prishtinë-Beograd dhe të deklarohet qartë për efektet negative që do të prodhojë Zajednica për ardhmërinë e shtetit të Kosovës. Dhe ta bëjë tani, jo si kofini pas të vjeli.

 

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.