Marrëveshja e Mirëkuptimit për 2017-ën

Postuar në 12 Tetor, 2016 17:44

Sot Elvis Roshi përfitoi një masë lehtësuese nga gjykata. Ai fitoi ndryshim të masës së sigurisë nga arrest shtëpiak në detyrim paraqitjeje. Avokati i tij, Theodhori Sollaku, deklaroi se klienti i tij mund të kthehet lirisht në detyrën e vet, që nuk dihet se cila është sa kohë që Roshi ka dhënë dorëheqjen(http://rtsh.al/lajme/arrestohet-kryebashkiaku-i-dorehequr-i-kavajes-elvis-roshi/). 

Ky moment i ardhur në vështrim nga një vendim i Gjykatës së Lartë rishtron për diskutim atë qëndrim me dy faqe që kemi parë nga mazhoranca dhe kryeministri. I cili nuk ka nguruar që të cilësojë gjykatësit si kriminelë kur kanë dhënë vendime që nuk i kanë pëlqyer për vartës të vet, si p.sh ai për drejtorin e Policisë, Haki Çako. Sot me lirimin e Roshit ka heshtje, një heshtje që duket se miraton vendimin e një prej gjykatave shqiptare që akuzohen si fajtoret kryesore për gjendjen në vend. 

Nuk flet kryeministri, sjellja e të cilit është tregues i themeleve të inkriminuara dhe në mungesë të plotë të etikës normale i ngrehinës ku qëndron sot pushteti, e cila ka disa kate. Nëse do t’i shihnim deputetët e PS-së në perspektivën e sjelljes së Edi Ramës, do t’i ndanim ata në disa kategori: 

Së pari janë ata që Kryeministri nuk i pyet për asgjë, por thjesht u kërkon kartonin. 

Së dyti janë deputetë që i mban në vëzhgim si Ben Blushin dikur. 

Së treti janë ata të cilëve Edi Rama zgjedh t’u shkojë nga pas. Kthehemi pas në kohë e kujtojmë sesi kryeministri fotografohej në lokalet e Kavajës me Elvis Roshin kur ky akuzohej nga opozita, me Artur Bushin në Krujë, u pa në një lokal në Pukë që thuhej se përket Arben Frrokut, në Tiranë me Tom Doshin dhe së fundmi ne Peqin, ku ishte i ftuar i nderit i deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi. Kjo kategori është një hallkë ndërmjetëse mes politikës, realitetit elektoral dhe një Shqipërie informale që gjeneron atë pushtet që politika nuk arrin ta akumulojë në rrugë institucionale. Deputetë specialë ndaj të cilëve Edi Rama është debitor, aq sa edhe për raste flagrante si ai i Armando Prengës ka heshtur e ka vënë të tjerë të bëjnë deklarata gjoja distancuese. 

Në fund është edhe kategoria e deputetëve të cilëve Edi Rama u bindet dhe këtu nuk hyn më askush, sa kohë që këtë vend e ka patur tërë kohës vetëm Koço Kokëdhima. Historia e kësaj marrëdhënieje politike do ta bënte librin “Kurban” kurban të paturpësisë dhe dobësisë organike që fshihet pas arrogantit që sot qeveris Shqipërinë. 

Duke e parë në tërësi këtë "demografi" politike është mëse e qartë se oferta e Edi Ramës për 2017-ën është identike me atë të vitit 2013. Madje mundet që të shtyhet më tej në këtë varësi shkatërrimtare për jetën institucionale në vend meqenëse po synon që të likujdojë LSI-në. 

Një ofertë që anulon dekriminalizimin, që zhbën çdo kontratë sociale të vërtetë, çdo orvajtje për drejtësi të vërtetë. Borxhi është i akumuluar, por edhe i detyrueshëm në kushtet kur pasiguria për zgjedhjet është e madhe. Nuk ka rëndësi do jenë sërish këta apo jo: enturazhi është po ai, sikurse investimi politik. Kjo është shumë e dukshme, dhe në këtë drejtim kryeministri ka fituar mirëkuptimin edhe të atyre diplomatëve që deri më dje përshëndesnin arrestime. Përgjegjësia kalon vetiu te qytetarët dhe votuesit që tashmë nuk kanë sesi të besojnë atë që dëshpërimi ua bëri si opsion në vitin 2013. Skalioni i parë politik vendimmarrës në Shqipëri është një botë e cila nuk ka asnjë lidhje me ligjshmërinë. Përkundrazi.

Ajo fiton imunitet dhe legalizim përmes emëruesit politik që jep aleanca me PS-në, që nuk e ka për gjë që të minojë çdo kredibilitet në funksion të një pazari që ka shanse për fitore. Krim, drogë dhe politikë: Ja koalicioni që ka lokalizuar fitoren permanente në këtë vend. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.