Ambasadori rus Karpushin: Qeveria shqiptare nuk u përgjigjet as ftesave,në Moskë janë të gatshëm ta presin kryeministrin shqiptar

Postuar në 13 Tetor, 2016 11:40

Ambasadori rus në Tiranë, Alexander Romanovich Karpushin, gjatë një interviste për Shqiptarja.com ftoi kryeministrin Edi Rama për një vizitë në Moskë. Sipas ambasadorit nuk ka vullnet nga pala shqiptare për një dinamikë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Si pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve, ambasadori përmendi çështjen e sanksioneve dhe deklaratat e disa përfaqësuesve të udhëheqjes shqiptare për të ashtuquajturin “kërcënim rus”.

“Për sa i përket një vizite të mundshme të Kryeministrit shqiptar në Rusi, mund t’ju siguroj që jemi gjithmonë të hapur për iniciativa të tilla dhe do ta prisnim me gëzim udhëheqësin shqiptar, veçanërisht nëse kjo vizitë do të shoqërohej me një axhendë substantive. Për më tepër, në Moskë janë të gatshëm të presin jo vetëm Kryeministrin, por edhe delegatë të tjerë zyrtarë, si në rang ministrash, ashtu edhe në nivel ekspertësh. Ambasada rregullisht i dërgon palës shqiptare ftesa të shumta zyrtare për aktivitete të ndryshme ndërkombëtare dhe forume, të cilat zhvillohen në Rusi. Mendoj se do të habiteni, nëse ju them që pjesa më e madhe e këtyre ftesave thjesht mbeten pa asnjë lloj përgjigjeje”.

Megjithatë, ambasadori Karpushin shtoi se, Moska është gati të presë kryeministrin Edi Rama në një vizitë zyrtare, ndërsa theksoi ftesat e vazhdueshme që refuzohet nga pala shqiptare, për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

INTERVISTA E PLOTE
-Z. Ambasador, pavarësisht rotacioneve politike në Shqipëri, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbetur në një pikë ngrirjeje. Elitat politike shqiptare kanë një lloj kompleksi të flasin për zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë. Cili është shpjegimi juaj?

Nuk jam dakord me formulimin e pyetjes. Marrëdhëniet Rusi-Shqipëri, nëse i vlerësojmë ato në tërësi, natyrisht që nuk janë në një pikë ngrirjeje. Mund të bie dakord vetëm me një fakt që nuk ka dinamikë në zhvillimin e disa pikave të këtyre marrëdhënieve. I ulët është sidomos niveli i shkëmbimeve në fushën ekonomiko-tregtare. Është e vërtetë. Sipas mendimit tim, është Shqipëria ajo që humbet në radhë të parë. Po të flasim për dimensionin humanitar të marrëdhënieve tona, për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe kulturës, përfshirë këtu letërsinë dhe muzikën, mendoj që ky dimension mund të vlerësohet pozitivisht. Përveç kësaj, po mbahen kontakte të vazhdueshme normale mes dikastereve të politikës së jashtme të dy vendeve për çështjet e axhendës ndërkombëtare. Pak kohë më parë, pata një takim këtu në Tiranë me ambasadorin e Shqipërisë në Rusi z. Arben Gazioni. Diskutuam me hollësi për gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe ramë dakord të koordinojmë përpjekjet tona për avancimin e tyre.
Për të marrë një përgjigje për pjesën e dytë të pyetjes tuaj, se përse elita politike e Shqipërisë, gjoja duke ndjerë një farë kompleksi, nuk bën përpjekje për zhvillimin e bashkëpunimit me Rusinë, mendoj se do të ishte më mirë t’u drejtoheni vetë përfaqësuesve të kësaj elite. Unë personalisht jam për një skenar pozitiv të marrëdhënieve ruso-shqiptare, në themel të të cilit duhet të vendoset një gjykim i shëndoshë dhe një interes reciprok. Madje, që tani mund të konstatoj se në fushën e lidhjeve ekonomiko-tregtare janë bërë disa hapa pozitivë. Në veçanti, është aprovuar bashkëkryetari i Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri (z. Ervin Mete, Zëvendësministër i Financave të Shqipërisë), po bëhen përgatitje për sesionin e tij të radhës, ku po planifikojmë të zhvillojmë një forum biznesi ruso-shqiptar. Dëshirojmë të ftojmë nga Rusia investitorë potencialë, përfshirë këtu edhe përfaqësues të biznesit të madh, për t’i dhënë atyre mundësi të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me kolegët shqiptarë dhe të diskutojnë me ta mbi planet e mëtejshme të bashkëpunimit.

-Cilat janë pengesat e dukshme dhe të padukshme që pengojnë zhvillimin e raporteve mes dy vendeve? Pse ka kaq shumë mosbesim mes dy vendeve, dikur aleate, sot në pozicione antagoniste, nëse i referohemi orientimit gjeostrategjik?

Padyshim, ka disa faktorë, të cilët pengojnë zhvillimin normal të marrëdhënieve midis vendeve tona. Mund të përmendim të ashtuquajturën çështje të sanksioneve. Kam parasysh sanksionet antiruse, të miratuara në mënyrë të paligjshme në vitin 2014 nga SHBA-të, dhe nën ndikimin e amerikanëve edhe nga Bashkimi Europian. Siç dihet, këtyre sanksioneve iu bashkua edhe Shqipëria. Rusia ishte e detyruar të ndërmerrte kundërmasa dhe të ndalonte importin e prodhimeve bujqësore dhe ushqimeve nga vendet, të cilat i mbështetën sanksionet. Dhe pikërisht këto produkte bënin pjesën kryesore të eksportit shqiptar drejt Rusisë. Tani volumi i këtij eksporti me të vërtetë po shkon drejt zeros. Por kjo ndodh jo për fajin tonë. Për sa i përket orientimit gjeostrategjik, në këtë pikë sigurisht nuk mund të lëmë pa përmendur disa përpjekje të vendeve perëndimore, veçanërisht atyre që bëjnë pjesë në NATO, për të ringjallur disa elementë të luftës së ftohtë. Në këndvështrimin tim, deklaratat e disa përfaqësuesve të udhëheqjes shqiptare për të ashtuquajturin “kërcënim rus”, apo akuza për “agresivitet” të Rusisë janë të pamenduara dhe natyrisht nuk sjellin besueshmëri në marrëdhëniet tona bilaterale.

Megjithatë, mendoj se nuk ka pengesa të pakapërcyeshme për zhvillimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shqipërisë. Nga përvoja jonë në fushën e politikës së jashtme, i ashtuquajturi “orientim gjeostrategjik” nuk e pengon bashkëpunimin konstruktiv të vendeve të ndryshme me Rusinë. Nëse flasim konkretisht për BE-në dhe NATO-n, drejt të cilëve është e orientuar Shqipëria, duhet përmendur shembulli i Sllovenisë, e cila është anëtare e të dyja organizatave dhe nga ana tjetër nuk është jashtë përfitimeve nga bashkëpunimi me Rusinë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Serbinë, e cila po zhvillon bisedime për anëtarësim në BE, por njëkohësisht bashkëpunon edhe me Moskën. Sanksionet antiruse nuk i pengojnë për shembull parlamentarët francezë dhe deputetët e një sërë rajonesh italiane të vizitojnë Krimenë. Meqë përmendëm Italinë, gjithnjë e më shumë rajone të saj dalin kundër kufizimeve artificiale të lidhjeve tregtare me Rusinë.

Do doja të përmendja këtu që në sesionin e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov ka zhvilluar dhjetëra takime, përfshirë këtu edhe takime me ministrat e vendeve të Ballkanit, si Serbia, Maqedonia dhe Sllovenia. Nga ana ime mund t’ju siguroj, që Rusia nuk e konsideron angazhimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike si pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve. Vetëm duhet dalë jashtë kornizave të direktivave të politizuara dhe të veprohet në interes të vetë popullit.

-Cilat janë fushat ku Shqipëria dhe Rusia mund të thellojnë bashkëpunimin? Për cilat prioritete ka interes Rusia?

Siç e theksova më sipër, lidhjet tona në fushën e kulturës dhe arsimit po ecin mirë. Çdo vit rreth 40 maturantë shqiptarë marrin falas bursa studimi për në universitet ruse. Më të kërkuarat nga shqiptarët janë ato degë që lidhen me mjekësinë dhe teknologjinë bashkëkohore. Nga sa jemi në dijeni, të diplomuarit në shkollat ruse këtu janë mjaft të kërkuar. Nga ana tjetër, edhe studentët rusë çdo vit frekuentojnë kurset verore të gjuhës shqipe për të huajt, të organizuara nga Universiteti i Tiranës. Kultura dhe arti rus tradicionalisht kanë ngjallur interes të madh tek publiku shqiptar, i cili me të njëjtin entuziazëm i pret koncertet, ekspozitat, filmat dhe shfaqjet teatrale nga Rusia dhe për Rusinë. Do të dëshiroja që edhe në vendin tonë të krijoheshin më shumë mundësi për njohjen me Shqipërinë e mrekullueshme, me traditat dhe trashëgiminë e saj kulturore, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Një potencial të madh kanë edhe lidhjet midis rajoneve të dy vendeve. Rrethet e Permit dhe Rostovit, Republika e Tataristanit dhe qytetet e mëdha si Moska dhe Shën Petërburgu vazhdimisht kanë treguar gatishmërinë e tyre për zhvillimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, kryesisht në fushën e tregtisë dhe turizmit. Me kënaqësi mund të konstatoj interesin reciprok të palës shqiptare, dhe pikërisht të bashkive të Tiranës, Durrësit dhe Beratit. Po punojmë që këtë bashkëpunim ta çojmë drejt realizimit praktik. Shpresat e mëdha kemi tek takimi i ardhshëm i Komisionit Ndërqeveritar. Për fat të keq, ky instrument i fuqishëm i përparimit të bashkëpunimit dypalësh ka 7 vite që nuk funksionon. Dua të theksoj që Rusia është e hapur për bashkëpunim me Shqipërinë për një spektër të gjerë çështjesh. Ne po i ftojmë vazhdimisht partnerët tanë shqiptarë për të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare në Rusi: në samite, panaire, seminare e konferenca. Përfitoj këtu nga rasti dhe dua të ftoj të gjitha strukturat e interesuara shqiptare për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petërburgut në 2017. Këtë aktivitet e vizitojnë çdo vit më shumë se 10 mijë pjesëmarrës nga Rusia dhe vendet jashtë saj. Do doja të shpresoja që Shqipëria do të ndjekë shembullin e Italisë, Francës, Greqisë, Hungarisë, Sllovenisë dhe shumë vendeve të tjera anëtare të BE-së dhe NATO-s, të cilat po zhvillojnë në mënyrë aktive lidhjet humanitare dhe tregtare me Rusinë dhe po ndërtojnë bashkëpunim me përfitim reciprok, duke mos krijuar pengesa artificiale.

-Kemi një kryeministër që thyen akuj dhe tabu. Ka çuar në një stad të ri marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa nuk kanë munguar as vizitat e shpeshta në Kinë. Pyetje është, a është e gatshme Moska të presë kryeministrin shqiptar në një vizitë zyrtare?

Mos doni të thoni, që marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë dhe vizitat në Kinë janë konsideruar si “tabu”? Nuk besoj që vetë z. Rama i percepton këto çështje si të tilla. Për sa i përket një vizite të mundshme të Kryeministrit shqiptar në Rusi, mund t’ju siguroj që jemi gjithmonë të hapur për iniciativa të tilla dhe do ta prisnim me gëzim udhëheqësin shqiptar, veçanërisht nëse kjo vizitë do të shoqërohej me një axhendë substantive. Për më tepër, në Moskë janë të gatshëm të presin jo vetëm Kryeministrin, por edhe delegatë të tjerë zyrtarë, si në rang ministrash, ashtu edhe në nivel ekspertësh. Ambasada rregullisht i dërgon palës shqiptare ftesa të shumta zyrtare për aktivitete të ndryshme ndërkombëtare dhe forume, të cilat zhvillohen në Rusi. Mendoj se do të habiteni, nëse ju them që pjesa më e madhe e këtyre ftesave thjesht mbeten pa asnjë lloj përgjigjeje. Përjashtim këtë vit bënë vetëm Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, z. Gjiknuri, që mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petërburgut, dhe kryebashkiaku i Tiranës, z. Veliaj, i cili u bë pjesë në Forumin Ndërkombëtar Urban në Moskë. Domethënë, çështja këtu nuk qëndron tek gatishmëria e Moskës, por tek gatishmëria dhe vullneti i palës shqiptare.

-Rusia kërkon njohjen e Krimesë, sepse sipas jush në vitin 1954 Krimeja është ndarë me vendim të Byrosë Politike. Po Kosova që është ndarë nga Konferenca e Londrës, nuk ka të drejtë të bashkohet me Shqipërinë? Pse nuk e njihni Kosovën, si shenjë e parë të vullnetit të mirë dhe të sinqertë?

Rusia po kërkon jo “njohjen e Krimesë”, por njohjen e legjitimitetit të ribashkimit të saj me Rusinë, ribashkim ky që u realizua në vitin 2014 si rezultat i një referendumi absolutisht transparent. Rezultatet e tij flasin vetë: nga një pjesëmarrje prej 83%, më shumë se 95% e votuesve të Krimesë u shprehën për rikthimin e gadishullit në përbërje të Rusisë. Të heqësh paralele me Kosovën nuk është shumë e drejtë. Krimeja historikisht ka qenë pjesë e Perandorisë Ruse, pra ka qenë pjesë e pandarë e shtetit rus. Pas vitit 1954, pavarësisht kalimit të saj si pjesë e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës, Krimeja mbeti në përbërje të vendit tonë të bashkuar, dhe të flasësh për “ndarjen e saj me vendim të Byrosë Politike” nuk është korrekte. Vetëm në 1991, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Krimeja u bë një nga rajonet e Ukrainës së pavarur. Fatkeqësisht, siç doli, Ukraina nuk mundi të siguronte respektimin e të drejtave legjitime të banorëve të Krimesë, në veçanti të drejtën për të folur gjuhën amtare. Pikërisht për këtë arsye, pas grushtit të shtetit në Kiev në shkurt 2014 populli i Krimesë votoi pothuajse njëzëri në referendum për ribashkimin me Rusinë. Qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës mbetet i pandryshuar: ne nisemi nga dispozitat e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 të vitit 1999, e cila konfirmoi angazhimin e vendeve-anëtare ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë së atëhershme. Dhe Rusia këtu nuk është e vetme, pasi qëndrimin tonë e mbështesin dhjetëra shtete të tjera. Meqë ra fjala, nuk duhet harruar që vetëvendosja e Kosovës, ndryshe nga Krimeja, u realizua pa mbajtjen e ndonjë referendumi.

-Ka një Platformë për Shqipërinë Natyrale. Jeni njohur me këtë platformë? Cili është mendimi juaj?

Jo, nuk jemi në dijeni të ndonjë platforme të tillë.

-Ka një shqetësim të vazhdueshëm për rritjen dhe konsolidimin e influencës ruse në Ballkan. Çfarë fshihet pas blerjeve masive të pronave nga shtetasit rusë, sidomos në Bullgari, Maqedoni, Greqi dhe Shqipëri? Cili është plani i Rusisë për Ballkanin? Çfarë mendoni për aspiratën e vendeve ballkanike për t’u integruar në NATO dhe BE?

Mendoni seriozisht që një qytetar rus, i cili ka vendosur të blejë një pronë diku në bregdetin e Bullgarisë apo Malit të Zi, e bënë këtë nën ndikimin e autoriteteve të Rusisë dhe mendon njëkohësisht për “konsilidimin e influencës ruse në Ballkan”? Është për të qeshur me gjykime të tilla, që në opinionin tim, janë pasojë e drejtpërdrejtë e fushatës antiruse të mediave perëndimore, të cilës i bashkohen edhe disa analistë shqiptarë.

-Pse Ambasada Ruse, ndryshe nga ambasadat e vendeve të tjera, ka qëndruar larg procesit të reformës në drejtësi në Shqipëri? Çfarë mendoni për këtë reformë?

Ambasada jonë ka qëndruar larg kësaj reforme për një arsye të thjeshtë. Parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera. Lidhur me këtë, ne e quajmë të palejueshme përfshirjen në proceset e politikës së brendshme të Shqipërisë. Shqipëria është një vend sovran dhe ne nuk e vëmë në dyshim aftësinë e drejtuesve të saj për të zgjidhur në mënyrë të pavarur çdo detyrë që i del përpara.

-Çfarë fshihet pas misionit të ushtarakëve rusë, të cilët disa ditë më parë kryen një inspektim armëkontrolli në territorin e Shqipërisë?

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë znj. Kodheli tashmë ka bërë një koment shumë të qartë lidhur me këtë çështje. S’më mbetet të shtoj gjë tjetër. Mund të përsëris vetëm që ishte një inspektim rutinë në përputhje me dokumentin e Vjenës të OSBE-së të vitit 2011 “Për masat e forcimit të besimit dhe sigurisë”.

Për vizitën
“Për më tepër, në Moskë janë të gatshëm të presin jo vetëm Kryeministrin, por edhe delegatë të tjerë zyrtarë, si në rang ministrash, ashtu edhe në nivel ekspertësh”.

Për reformën

Ambasada jonë ka qëndruar larg kësaj reforme për një arsye të thjeshtë. Parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera.

SHQIPTARJA.COM

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.