Mbi gjendjen e librit shqiptar*
Sërish Ardiani(Vehbiu – shënim i redaksisë) kishte një shkrim në bllokun e tij mbi vorbullat e librit shqip. Sërish portale të tjerë interneti dhe disa gazeta e ribotuan këtë shqetësim të tij. Sërish do kalojë një vit tjetër pa ndryshuar gjë në këtë drejtim, derisa Ardiani të na japë shkrimin e radhës mbi panoramën e vobegtë të librit shqiptar, kështu çdo vit dhe pafundësisht, si ai ngacmimi që i bëjmë me shkop një uji të ndenjur, pa bërë më shumë, pa i çelur burimin dhe rrjedhjen, që do ta kthenin letërsinë dhe përgjithsisht librin shqip në në një oaze mjaft tërheqëse dhe mahnitëse për shoqërinë shqiptare dhe atë të huaj!
Një dramë e përjetuar kjo nga shumica e autorëve shqiptarë! Një tragjedi e zakonshme kjo për këtë vend! Një komedi cinike, po të mendosh se libri shqip nuk është më poshtë se ai në gjuhë të tjera, –padiskutim edhe letërsia– nga fakti i thjeshtë, se realiteti bazues i këtij libri nuk ka pat të krahasuar me realitete të tjera gjatë shekullit të kaluar! Përse kjo gjëndje e librit shqip?...
Nga mungesa e agjentëve të librit? Nga çmimet e larta? Nga mos-financimi i librit prej shtetit? Nga ftohja (ashtu kot) e brezit të ri me librin? Nga konkurrenca e multi-mediave të tjera? Nga ekzistenca e librit elektronik? Apo ngase përmbajtja e librit letrar dhe atij special shqiptar është e pakonkurrueshme me nivelin e librit në gjuhë të tjera? –siç pretendojnë në këtë “argument” të fundit disa pak specialistë dhe teoricientë/e të ndryshme të librit; ndërsa në argumentet e mësipërm kemi të rreshtuar Ardian Vehbiun, ministren e tashme të kulturës, komentues interneti, etj..
Këto janë gjysma e të keqes, do thoja, duke plotësuar, se e keqja më e madhe e kësaj indifferenzia mortale (e thënë ndryshe: papërgjegjshmërie) ndaj librit është
1. mungesa e lexuesit shqiptar,
2. makutëria materialiste e shoqërisë shqiptare,
3. dënimi i librit shqip nga të tëra subjektet superstrukturale që kanë të bëjnë me të.
1. Lexuesi i dikurshëm shqiptar ka kaluar në tre gjëndje të reja, a) ka vdekur, b) ka emigruar, c) është dobët nga gjëndja ekonomike. 2.Shoqëria e sotme në Shqipëri ka disa dekada tashmë që e nxjerr lekun nëpërmjet a) vjedhjes, b) mashtrimit, c) gënjeshtrave. 3.Shteti shqiptar, a) e takson librin po njëlloj si produktet e tjera, në mos edhe dyfish, b) kemi përzgjedhje në të nënës dhe njerkës ndër autorët shqiptarë, c) nuk kemi forma të ndryshme dhe të shumllojshme të reklamimit të librit shqip. Dhe le ti shohim këto më detajërisht!
1a Të mos harrojmë se një pjesë e madhe e lexuesve të dikurshëm shqiptarë janë plakur dhe kanë vdekur, një pjesë e madhe e tyre nën 70 e 60 vjeç, kjo nga shkaku i shtreseve dhe gjëndjeve kanceroze të përhapura shumë në ajrin e ndotur të qyteteve shqiptare.
1b Një pjesë e këtyre lexuesve kanë emigruar jashtë dhe janë këta të vetmit që blejnë libra kur ndodhen me pushime në Shqipëri. Por, ngaqë librit shqip i bëhet reklamë jo e njëllojtë në media, (shumica nuk përmenden fare ose përmenden me nga një fjali të vetme), ky kontigjent lexuesish blen vetëm ato libra që janë ngritur me balona shumngjyrshe në qiellin mediatik. Siç e kërkojnë ligjet e kapitalit, shumica e këtyre librave mbeten të harruar pas këtyre reklamave, për tu hapur kështu rrugën titujve të rinj!
1c Lexuesi në Shqipëri ndodhet për momentin në gjendje jo të kënaqshme financiare; ai duhet të mendojë për barkun më parë, pasi çmimet e shumë produkteve ushqimore janë –për shkak të monopolizimeve mafioze të tregut– mjaft të larta. Ndaj dhe ai blen shumë rallë libra.
2abc Pas periudhës “socialiste”, për disa vjet rresht, një pjesë e madhe e fshatarve, për t’mos thënë shumica e tyre, u dyndën nëpër qytete. Thuajse të gjithë këta ishin pa profesione, përveç asaj të bujkut. Për të mbijetuar, shumica (e përsëris: shumica) e tyre përdorën grabitjen e pronave “pa zot”, vjedhjet e ndryshme, mashtrimet me toka dhe dokumente, gënjeshtrat sy për sy, sikur njihnin këtë dhe atë zanat, për të hyrë kështu në ato vënde pune të mbetur vakant nga ikja jashtë shtetit e shumë qytetarve. Ky kontigjent i madh fshatarësh të vendosur nëpër qytete dhe rrethinat e tyre ka patur gjatë gjithë kohës probleme mbijetese. Edhe ai grup i vogël i tyre, që duket se e ka kapur veten dhe merret me biznes dhe politikë, edhe ky grup –si të jetë i dënuar prej Qiellit– është gjindur gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni nën trysninë e problemeve nga më të ndryshme, si ato ligjore, administrative, fiskale, konkurrence, natyrore, kolizione social-politike, etj. Pra, për të gjithë këtë kontigjent libri ka qenë diçka e huaj, diçka e tepërt. Edhe nëse është blerë prej tyre, kjo është bërë për modë, por jo për ta lexuar.
3a Libri shqip taksohet qysh në shtypshkronjë. Pra, autori paguan taksën e letrës dhe çdo lloj takse tjetër, që është në këtë proçes. Natyrisht që autori do të paguajë edhe fitimin e botuesit, në të kundërt nuk kemi botime librash. Për fat, kostoja absolute e botimit të librit në Shqipëri është më e ulët nga kosto e botimit të librit në vendet perëndimore. Pas kësaj, ky libër do taksohet nga shteti edhe në librari, ku libraria paguan taksën vjetore të biznesit. Edhe kjo është në kurriz të autorit, si i vetmi subjekt i interesuar ky për daljen e librit në mejdan. Kemi thuajse të njëjtin fenomen si të lindjes së një fëmije nga barku i nënës. Është nëna ajo mbi cilindo subjekt tjetër që kujdeset për lindjen e fëmijës së saj. Por, nëse një nënë nuk ka ndihmë gjatë shtatzanisë, gjatë lindjes dhe gjatë rritjes së fëmijës së saj, ky fëmijë i saj do të ketë mangësira në jetë. Për fat, nënat tona dhe fëmijët e lindur prej tyre e kanë një farë ndihme dhe kujdesi, duke filluar më së pari nga rrethi familjar e shoqëror, e vazhduar deri tek disa ndihma dhe favore shtetërore, që nisin me mjeken e lagjes, vazhdojnë në maternitet, në çerdhe e kopshte, dhe përfundojnë me mbarimin e shkollave. Ndërsa tek autori kjo ndihmë dhe kujdes për librin e tij nuk ekziston dhe as ka pse të ekzistojë, përderisa botuesi i ka marrë lekët e tija dhe librashitësi nuk ka paguar asnjë cent për librat që shet; ky i fundit jep vetëm buzëqeshje dhe fatura, vlera e të cilave është në më të shumtat e rasteve = 0 lek.
Nëse një autor do të ndjekë hap pas hapi librin/librat e tij, ai jo vetëm që nuk do të marrë të gjitha ato lekë që i takojnë, e ndoshta fare jo, por edhe mund të mos-pranohet më nga librashitësi në titujt e rinj! Librashitësit mbijetojnë pikërisht nga ky kontigjent autorësh, (shumica e tyre emigrantë), të cilët nuk mund të ndjekin orë e çast ecurinë e librave të tyre. Edhe nëse këta autorë do të kërkonin hakun e librave të shitur, do të përplaseshin me lloj-lloj triks, duke filluar nga rrëmuja e shumicës së librarive, që duken si magazina letrash, e deri tek mos-gjetja e fletë-hyrjeve të librave të tyre, pa përmendur pastaj falimentimin e shumë librarive! Tragjedi-komedia e këtyre momenteve është se, në një shumicë rastesh, kemi përballë dy subjekte krejt të ndryshëm; nga njëra anë një robot (librashitësi), i cili kalkulon si e si ta heqë sa më shpejt qafe zhvatësin e tij financiar, siç ai e kujton qënien përballë, dhe në anën tjetër kemi këtë qënie që interesohet më parë mbi ecurinë e librit të tij tek lexuesi, se sa për lekët, që regjistron padashur më parë veprimet dhe fjalët e partnerit (teorik) përballë, se sa regjistron problemin financiar, dhe këtë për të dalluar jo aq karakteristika individuale tek ky partner librash, se sa për të dalluar –si tek edhe të tjera pik-takime të tij me subjekte të tjerë– karakteristika të ndryshme të një grupi të madh të shoqërisë, si dhe ndryshimin në kohë të këtyre karakteristikave; biles ky aspekt i fundit, ndryshimi, është ajo që e tërheq më shumë një autor dhe shkrimtar, pasi ai di edhe më mirë si të orientohet në punimet e tij të ardhme.
3b As mos e shkoni nëpër mend se ligjet janë për të gjithë njëlloj. Kjo as dikur, as sot, e as në të ardhmen. Kjo as në Amerikë, as në Kinë dhe as në Shqipëri. Por sidoqoftë, janë autorët dhe shkrimtarët ata më të parët, që, sëbashku me grupime të tjera, si një pjesë e juristëve dhe një pakicë e politikanve, një shumicë e shkencëtarve dhe njerëzve të artit, ata që përpiqen ti ngushtojnë këto dallime anti-ligjorë, që bëhen në shumë sfera dhe drejtime në shoqëri. Pra, këta më sipër janë edhe pjesa më idealiste e një shoqërie, (pa injoruar këtu edhe mjaft individë të tjerë në shoqëri). Vetvetiu që do të jenë po këta edhe pjesa më e prekur shpirtërisht gjatë trajtimeve në të nënës e në të njerkës, që u bëhet atyre nga subjekte shtetërore dhe çfardo superstrukturale, përfshi dhe mediat këtu.
Nëse në kohën e “socializmit” që lamë pas, ky lloj trajtimi bëhej në bazë (gjoja) ideollogjie, ky është yni e ai jo, sot ky lloj trajtimi i krijuesve të ndryshëm bëhet më së shumti për arsye egoje, interesa shoqërie dhe përfitimi material. E para, nga egoja, kur një autor kritikon dhe nxjerr disa të vërteta jo të këndshme për dikë me pozitë “të lartë”, i kritikuari dhe rrethi i tij i gjërë më poshtë, përfshi dhe mediat, e injorojnë këtë autor, në mënyrë që fjala dhe vepra e tij të bien në vakum dhe harresë. E dyta, interesa miqësie dhe shoqërie, kur autori kritikon dhe nxjerr të vërteta që prekin një shoqëri të caktuar; në këtë rast ky autor injorohet nga ky grup i caktuar i superstrukturës së shoqërisë, përfshi këtu dhe median e caktuar shoqëruese të këtij grupi. Në këtë rast ky autor mund të hidhet e të vazhdojë fjalën e tij në pjesë të tjera të kësaj superstrukture, përfshi këtu edhe mediat e tjera, (pasi polet ekzistojnë kudo), mirpo një autor i caktuar, aq më tepër po qe edhe shkrimtar letrar, apo shkencëtar, aq më pak di ai mbi kontradiktat egoiste dhe materialiste të grupimeve të ndryshme në superstrukturën e shoqërisë së tij, ndaj ky autor nuk e gjen kollaj rrugën e reklamimit të fjalës së tij. E treta, përfitimi material, sot shpesh autorë dhe vepra klasike me përmbajtje ideore janë më tepër të dëmshme për kastat dhe klasat “e larta”, sepse tregojnë dallaveret e pasurimit dhe jetës së këtyre kastave, janë shpesh të pakuptueshme nga masat e sotme gjysëm-analfabete, sepse këto masa kanë më të lehtë dëfrimet e shumta që ofron jeta e sotme, se sa leximet dhe mësimet kokçarëse, janë mjaft realiste dhe pak mikluese për këdo, sa gati ofendojnë një pjesë të madhe të shoqërisë së sotme, sidomos këtë shqiptare. Në vend të këtyre veprave, lexuesit shqiptar mund ti ofrohet nga mediat një vepër erotiko-kriminaliste, që zgjon kureshtjen dhe epshet seksuale, mund ti ofrohet një titull bombastik me çudira të pandodhura, që i zgjon lexuesit dëshirën për atë botë fantastike, sa ta harrojë realitetin ku jeton, mund ti ofrohet një libër me zbulime etimologjike dhe historike të vendit, që i përkedhelin atij sedrën kombëtare, aq sa ai jo vetëm mos ta kuptojë mashtrimin e autorit në fjalë, jo vetëm të harrojë bataçikllëqet që ka sajuar deri këtë kohë në jetën e tij, por edhe të kujtoj se ai është diçka i veçantë, aq sa këtë ndjesi ta shoqërojë edhe me simbole kombëtare, kështu edhe të vazhdojë ta përçudnojë dhe përdhunojë këtë vend edhe më shumë se e ka bërë deri më tani. Të gjithë këto tituj bombastikë dhe miklues xhirojnë më shumë lekun dhe sjellin para edhe për mediat e ndryshme, ndaj konsiderohen të nënës.
3c Në fakt çdo libër e ka paguar taksën e tij gjatë proçesit të botimit, ndaj ai nuk ka pse të taksohet më gjatë proçesit të shitjes, ndaj dhe është e pakuptueshme frika e librashitësve për ti marrë librat vetëm nga shtëpitë botuese dhe jo nga vetë autori! Mirpo injoranca dhe varfëria shkojnë bashkë, thotë llafi i urtë. Kështu ky shtet, duke qenë i varfër, është edhe injorant. Don tu marri sa më shumë lekë shitësve të librarive, duke bllokuar kështu shitjen e librave, pra edhe botimin e mëtejshëm të librave dhe taksimin e tyre. Pra, ky shtet i varfër dhe injorant, bën harakiri! Sepse detyron shitësit e librarive ti marrin librat vetëm nga shtëpitë botuese, të cilave as u plasi në u shitën apo nuk u shitën librat, pasi lekët për librat e botuar i kanë marrë. Ndaj dhe është vënë në dukje disa herë në shtyp sot, se këto shtëpi botuese po kthehen në magazina librash!!!
Përse e bën ky shtet këtë detyrim? Për t’u treguar i rregullt? Për ti ngjarë Europës? Nëse është kështu, ky shtet duhet ta dijë se në Europë nuk ka një kufizim të tillë, por atje dominon marrja e librave prej shtëpive botuese, sepse në shumicën e rasteve këto marrin përsipër botimin e librave me lekët e tyre, duke marrë kështu përsipër edhe të drejtën e shpërndarjes. Në këtë rast autori merr ose një pagë/honorar të caktuar, ose bën kontratën për të marrë 1% deri max. 10% të shitjes së çdo libri në bazë të çmimit në kapak. Në Shqipëri nuk ka asnjë kontratë të tillë, sepse të gjithë e dinë që për lindjen e bebit (librit) është më parë e interesuar vetëm nëna (autori), ndaj dhe kjo (ky) do ta mbajë që do ta mbajë në kurriz barrën e shpenzimeve të kësaj lindjeje (botimi)! Atëhere?!...
Padiskutim që tek libri ka shumë e shumë për të përmirësuar, nëse duam mos ta fundosim më thellë në humnerë fatin e tij! Çdo titull libri mjafton të prezantohet me faturën e kontratës së autorit dhe shtëpisë botuese, e pas kësaj çdo kërkesë tjetër e shtetit për ‘të duhet të jetë anti-ligjore. Libri jo vetëm që duhet lejuar të shpërndahet nëpër librari nga autori, siç ky i shkreti e shpërndan po vetë edhe nëpër biblioteka të ndryshme të vendit, por shteti duhet të lejojë një deri dy herë në vit në një vend të caktuar vetë autorët (apo njerëzit e autorizuar prej tyre) të shesin librat e tyre. Kjo gjë do të detyrojë së fundi vetë libra-shitësit që mos tu japin autorve dhe shtëpive botuese vetëm fatura pa vlerë, por tu japin vetë autorve qysh në marrje të librave të tyre 10% deri në 30% të vlerës së librave në bazë të çmimeve në kapak, sipas vlerësimit të tyre, duke patur kështu për xhepin e tyre shumicën e këtij çmimi, për të patur kështu mundësi edhe variabiliteti në uljen e çmimit të atyre librave që nuk u ecin, për të patur kështu edhe mundësi mbijetese në aktivitetin e tyre të libra-shitësit.
Gjithashtu do të thoja se në Kushtetutën Shqiptare duhet të ekzistojnë ligje të tilla që mediave t’u japin edhe karakterin e tyre informues të detyruar, çfarë do të thotë që këto media ta dinë se kanë jo vetëm të drejta, por edhe detyra, dhe një nga këto detyra është informimi i publikut mbi çdo titull të ri, mbi çdo vepër të re artistike, çdo titull të ri filmi, teatri, ekspozite, dhe çdo lloj evenimenti kulturor. Nën këtë detyrim nuk duhet kuptuar reklama për një titull dhe vepër të caktuar arti, pasi këtë e arrin pagesa me lekë tek këto media, nga të cilat ato do të jetojnë, por duhet kuptuar thjesht një informim i shkurtër mbi këto tituj dhe vepra të reja artistike. Në kushtetutën e sotme shqiptare, megjithë përmisimet shumta që i janë bërë gjatë viteve të fundit, akoma nuk ekzistzon ky detyrim për mediat, biles as dhe roli i tyre i përcaktuar në kushtetutë!
E përfundoj këtë shkrim duke mos harruar edhe rolin e shoqatës së botuesve të Shqipërisë, nën drejtimin e një drejtuesi shtëpie botuese (!), i cili bën gjëmën nëpër media kur nuk merr përgjigje nga Min. e Kulturës. Mirpo, po i njëjti person dhe shoqata e tij përtojnë ti japin përgjigje një autori të harruar e të dërrmuar si puna ime, i cili vetëm sa i kërkon kësaj shoqate –deri më tani tre herë përmes e-maileve– të dijë nëse lejohet pjesmarrja si autor në panairin e librit!!! Deri më tani as edhe një përgjigje për këtë pyetje!!! Ky është një shembull i veçuar, si një nga tullat e shumta të këtij muri heshtjeje për autorët e njerkës. Sepse mund të tregoj edhe më shumë tulla të tilla, sa lexuesi vështirë të më besojë për sa mund t’i tregoj mbi këto mure ndaluese të librit!..
*Titulli është i redaksisë së ResPublica. Po kështu teksti i dërguar nga autori që ka preferuar të qëndrojë anonim, është dhënë këtu i shkurtuar. Janë hequr disa konsiderata apo pasazhe të personalizuara të cilat mund të kishin kuptim dhe do ishin brenda normës etike nëse autori do të kishte firmosur shkrimin me emër dhe mbiemër. Për sa më sipër, gjykojmë se shkrimi sjell një kontribut për temën që prek.
Comments
Autori nuk ka problem ta jape
Autori nuk ka problem ta jape emrin e tij, problemi qendron tek ju mediat, qe shkrimet me emrin tim i hidhni ne kosh te plehrave, ndersa ato me pseudonim i botoni. Meqe shkrimi i mesiperm nuk eshte agresiv, as edhe pjesa e hequr, po e jap ketu tek komentet pjesen e hequr, qe dhe lexuesi mos te kete keqkuptime:
"Ah, se për pak harrova diçka! Mirë shqetësimi i ngritur mund të qëndroj!... E ndoshta edhe jo!... Por Ardian Vehbiu ç’hyn në këtë mesele!?! –do pyesë ndokush. Vërtet! Ardiani nuk ka lidhje direkte me këtë mesele muresh shqiptare. Dhe as ka pse të mbajë përgjegjsi për pengesat që shteti dhe superstrukturat e tjera të shoqërisë i nxjerrin librit. Edhe pse shoqëria shqiptare i është larguar librit mjaftërisht, edhe për këtë nuk mban përgjgjsi Ardiani, as edhe ministrja e kulturës. Edhe unë as kam kritikë e as kam lavdërim për Ardian Vehbiun. As kam kohë ta analizoj për këtë problem, ndaj as dua të them, se mirë bën që na e kujton gjëndjen e librit shqiptar, e as dua të them se kot që e trazon këtë ujë të ndenjur! Por –të lutem Ardian mos e merr personale, sepse sinqerisht e kam për shumë e shumë të tjerë– por ti Ardian si i nënës (përderisa ke mundësi të botosh në emrin tënd në shtypin shqiptar) dhe unë si i njerkës (që vetëm me pseudonim –i maskuar– kam mundësi të botoj shqetësime të ndryshme), a nuk të duket se jemi të dy për momentin në të njëjtin vend, në të njëjtin pozicion, në të njëjtin istikam!?! Ha-ha, sa për të qeshur dhe ironike kjo ngjashmëri! Ngushëllim?!.. Çudi?!.. Inat?!.. Ah, koha i lan dhe shplan të gjitha!.. Koha na relativizon të gjithve!...
Kjo pjese nuk do ishte
Kjo pjese nuk do ishte problem nese ne do kishim botuar shkrimin e Vehbiut dhe nese ju do kishit vene emrin ne shkrim. Nuk di te kemi refuzuar ndonje shkrim per arsye te personit. Perndryshe edhe shkrime tuajat qe mund t'i nisni me pseudonim mund te refuzohen per botim nese do vleresohet kwshtu. Nuk shoh ndonje problem te vecante ketu pertej "zakonit" te punes. Te pakten flasim per ketu te ResPublica.
Add new comment