Ahmetaj: Afër dakordësisë me FMN për rritjen e pagave dhe pensioneve pa prekur borxhin. Por qeveria nuk thotë ku do t'i gjejë paratë!
Fondi Monetar dhe Banka Botërore raportohet se kanë dhënë miratimin për rritjen e pagave dhe pensioneve dhe financimin e Reformës në Drejtësi me buxhetin e 2017-s. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në SHBA, ku po mbahen takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, tha dje për “Top Channel” se se rritja e pagave dhe pensioneve nuk do të sjellë rritje të borxhit. “Për vitin tjetër buxhetor jemi afër dakordësisë për të financuar një sërë reformash, si atë në drejtësi, atë territoriale, atë në administratën publike dhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Kuptohet, duke ruajtur parametrat makro-fiskalë, që do të thotë uljen e borxhit publik në minimalisht 1 për qind të GDP-së dhe ruajtjen e një balance fiskale pozitive. Qeveria parashikon që rritja e pagave të jetë 10 për qind, ndërsa pensionet 3 për qind. Fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve është llogaritur 12,4 miliardë lekë, apo 100 milionë dollarë. Nga rritja e pagave do të përfitojnë 81 mijë punonjës të administratës shtetërore dhe rreth 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Pyetja që shtrohet, të cilës ministri nuk i ka dhënë oërgjigje është se ku do t'i gjejë qeveria paratë për rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe financimin e reformës në drejtësi dhe kush do ta paguajë këtë faturë. Qeveria nuk ka dhënë shpjegime se nga do t' i marrë parë. Dy janë rrugët; ose do rrisë taksat ose do të marrë nga zëra të tjerë buxhetorë për të mbuluar këto shpenzime. Kryeministri tha para pak ditësh se në 2017 nuk do të ketë rritje taksash, kështu që mbetet të shohim se ku do e shtrëngojë rripin qeveria për ta liruar në rroga e pensioneve në prag të zgjedhjeve.
Add new comment