Dhuna fiskale është antikushtetuese(në vëmendje të Gjykatës Kushtetuese)
Beu i rilindur i Tiranës gënjen popullin e Tiranës dhe kërcënon ndërtuesit dhe pronarët e trojeve ku ndërtuesit ndërtojnë.
Edhe në periudhat më të errëta të sistemit feudal, mbasi bujku të punonte tokën e beut, të korrte prodhimin, pjesa që merrte beu ishte 10%. Sot në kohën e Republikës, beu i rilindur në Tiranë u kërkon ndërtuesve 8% të çmimit të shitjes brenda 5 ditëve të marrjes së lejes. Një marrëzi totale, sepse veç kësaj shteti i merr të gjitha kontributet e taksat e tjera pa bërë asnjë ndryshim. Në një presion të tillë do kemi prodhim më të ulët se në mesjetë.
Për nenin 14 të ligjit 142/2015 Për taksën 4- 8% te çmimit të shitjes se sipërfaqes së ndërtuar, sipas referencës që kanë zyrat e hipotekave.
Sipas komisionit të ligjeve këtë taksë e kanë kërkuar shoqata e Bashkive pasi sipas tyre kjo do të shmangë ndërtimin në zona të mbipopulluara. Ky arsyetim nuk e realizon këtë shmangie, sepse ato firma që kanë mundësi të paguajnë, do ndërtojnë edhe atje ku ka mbipopullim. Shmangia e sigurtë në këto zona realizohet nga Bashkitë me planin urbanistik që e bëjnë vetë. Pra kjo taksë nuk e shmang ndërtimin në këto zona, por krijon monopol pasi i jep mundësi të ndërtojnë vetëm ata që kanë para, oligarkët. Ky arsyetim i shoqatës nuk qëndron edhe për faktin se kjo taksë është vënë gjithkund, pra edhe në zona ku nuk ka mbipopullim, çka vërteton se nuk është qëllimi i vënies së saj për të shmangur ndërtimin, por vetëm nxjerrjen nga ky treg i pjesës më të madhe të ndërtuesve dhe monopolozimi i këtij tregu.
Bashkitë, atje ku nuk mund sipas tyre të ndërtohet, cilido qoftë çmimi që vendos për ta kufizuar, nuk duhet ta lejojnë, pasi nuk mund dhe s’duhet të ketë çmim dëmtimi i cilido vendi ku jetojnë qytetarët. Veç kësaj, këtë tarifë deri dje e kanë paguar 10 herë më të ulet ndërtuesit e tjerë, që do të thotë që deri dje ishte e arsyeshme në këtë masë, e sot duhet shtuar duke shkelur barazinë e bizneseve, sepse qyteti është njëlloj i të gjithëve dhe detyrimet duhet të jenë të njëjta.
Tjetër aspekt i kundërligjshmërisë së kësaj takse
Këtë taksë bashkitë e kërkojnë 5 ditë pasi zbardhet leja, e cila nuk të jepet nëse nuk e paguan. Ky arsyetim i ligjit nuk është proporcional, pasi kërkon të marrë 8% të objektit të ndërtuar pa nisur puna, punë që nuk dihet a do nisë, a do përfundojë për shumë arsye, qoftë edhe madhore. Nga ana tjetër edhe pronarët e tokës ku ndërtohet e marrin pjesën e tyre kur ndërtimi mbaron. Pavarësisht shifrës, në çdo rast kjo taksë duhet të ecte paralel me ndërtimin, që të mos rëndoheshin ndërtuesit pa filluar puna. Edhe një herë ky detyrim i vendosur në këtë kohë, pra 5 ditshi, provon qëllimin e vendosjes së kësaj takse që është vetëm monopolizimi i ndërtimit.
Për hapësirën publike, dje beu i rilindur e gënjeu popullin e Tiranës duke thënë se pagesa për hapësirën publike nuk ka ndryshuar. Mjafton të shohim Faturat e Arkëtimit sipas Taksave dhe Tarifave vendore të një subjekti në vitin 2015 dhe të po këtij subjekti në vitin 2016, për të parë që kjo tarifë është 10 fishuar; në cilindo biznes të zonës A ajo ishte 150 lekë/m2 në muaj dhe u bë 1500 lekë/m2 në muaj.
Nuk dimë në ka parë ndonjë faturë të tillë beu se mundet që punonjësit e administratës së tij të mos i kenë treguar. Apo vallë beu nuk bën dot dallimin ndërmjet numrave 150 dhe 1500?
Në nenin nr. 4 të ligjit 142/2015 hiqet fjala taksë. Ky nen i ka dhënë mundësinë bashkive që të veprojnë në mënyrë arbitrare me biznesin, pasi ato kanë vendosur tarifa të kundërligjshme e që bien ndesh me Kushtetutën. Të njëjtin arsyetim gjoja në shërbim të komunitetit, kanë përdorur bashkitë për ta rritur këtë tarifë deri në 10 fish, duke arsyetuar se rritja e saj do lironte hapësirat e zëna. Asnjë bashki në botë nuk do jepte me qira me çfarëdo çmimi sipërfaqet.
Është bashkia që vendos çfarë hapësire mund të japë për të përdorur biznesi, është ajo që përcakton kufirin e lejimit të sipërfaqes; pra është përsëri qartësisht e kuptueshme që edhe ky çmim është vënë për të nxjerrë të dobëtit nga tregu e sigurisht për ta monopolizuar sa më shumë tregun. Këto ndryshime të bëra nga beu, si rrjedhojë e mundësisë që i dha heqja e fjalës “taksë” për hapësirat publike, në nenin 4 të ligjit, janë antikushtetuse. Pra vetë ligji që krijon të tilla mundësi është antikushtetues.
Neni 4 i Kushtetutës pika 1: E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë se shtetit.
Neni nr.11 pika 2 : Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
I theksuam këto dy nene pasi tarifat që kane vendosur bashkitë në mbështetje të këtij ligji, janë antikushtetuese. Në VKM nr.469 datë 3.06.2015 janë përcaktuar tarifat që qytetarët, pra privatët në këtë rast mund të japin me qira pasurinë e tyre. Në këtë mënyrë shteti me të drejtë merr tatim fitimin mbi këto qira. Në këto tarifa të përcaktuara në VKM, përfshihen apartamentet, dyqanet, magazinat, parkingjet e mbyllura e të hapura etj..
Zakonisht në çdo vend, çmimi i qirave mujore arrin vlerën e pronës për25 – 30 - 40 vite, sigurisht në varësi të vendit e të pronës). VKM ka vendosur që për apartamentet kjo tarifë do jetë 0.3% e çmimit të referencës; për dyqane 0.6%; për parkingje të hapura 30% të çmimit të apartamentit sipas zonës(pika C).2
Shohim se çfarë do të thonë këto tarifa që vendos VKM. Nëse për 1 muaj qytetari paguan 0.3% të çmimit të apartamentit, për 12 muaj do paguajë 3.6% të vlerës. 100% do arrihej për 27.7 vite. Pra 1 m2 apartament do te blihet me çmimin e qerasë/m2 për 27.7 vite. Me arsyetimin se e drejta është baza e veprimtarisë së shtetit dhe se prona private e publike mbrohen njëlloj me ligj, duhej që edhe tarifat e vendosura nga bashkitë të ishin në këtë linjë.
Por çfarë ndodh konkretisht në një rast? Po marrim një shembull.
Në zonën më të shtrenjtë të Tiranës çmimi i apartamentit për/m2 sipas referencave është 200 000leke/m2(të reja). Qiraja e vendosur sipas VKM-së do të qe 0.3% e këtij çmimi/m2, që do te thotë baraz me 600 lekë/m2. Sipas VKM-së parkingu i hapur ka vlerën e 30% të apartamentit(në këtë përqindje është edhe çmimi i parkingut ndaj çmimit të apartamentit tek referencat e hipotekave)që do të thotë 180 lekë/m2.
Ky çmim do të ishte maksimumi që duhej te vendoste bashkia për hapësirat publike në zonën më të shtrenjtë të Tiranes; ndonëse në këtë llogaritje është favorizuar shumë bashkia, pasi VKM-ja përcakton çmimin përdoret si në kohë të ftohte ashtu dhe në kohe me shi, ndërsa hapësirat që bashkitë i ofrojnë biznesit në kohë të ftohtë e shi, pothuaj nuk përdoren(dikur punonjësit e ambienteve jashtë kishin kohëshënues ku regjistroheshin ditët me shi dhe të acarta).
Ta shohim në një aspekt tjetër antikushtetues këtë tarifë. Bashkitë japin truall me qira, më i shtrenjti ai i zonës A, sipas kompensimit që bën AKKP për pronarët është 69 000 lekë/m2. Bashkia e Tiranës më të shtrenjtin çmim që ka vendosur për hapësirat publike të zonës A është 1500 lekë/m2, që do të thotë se:
për të blerë, me pagesën e tarifës nga bashkia 1m2 sipërfaqe me çmimin e paguar do të duhet 69 000: 1500 = 46 muaj ose 3,8 vite.
Përfundimisht me mundësinë që u dha ky ligj i padrejtë bashkive, qytetari, një m2 të pronës së vet e blen për 27.7 vite me qiratë e vendosura nga qeveria, ndërsa bashkia një m2 të pronës së saj ia merr vlerën e pronës për 3,8 vite. Çdo të thoshim në këtë rast për pronat që shteti nuk ia ka kthyer pronarit për gjithë këto vite? Sa herë është marrë nga shteti vlera e pronës se tyre? Ku është në këtë rast e drejta që sipas Kushtetutës është në themel të veprimtarisë së shtetit? Ku mbrohet njëlloj me ligj prona private me atë publike? Nuk mund të këtë tarifa kaq dispropocionale në një shtet të së drejtës; qëllimi i vendosjes së tyre është pra nxjerrja jashtë tregut e të dobëtit dhe monopolizimi i tij në çdo drejtim.
Mbërritur në adresën elektronike nën autorësinë K.D
Add new comment