Nuk arrijmë të kontrollojmë plehrat kimike për bujqësinë, por do kontrollojmë mbetjet në doganë?!

Postuar në 01 Tetor, 2016 02:35

Dje kryeministri Edi Rama ishte në Strumë të Fierit ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me disa banorë. Fjala e tij dhe pyetjet e disa banorëve janë publikuar edhe në faqen e kryeministrisë, por disa pyetje janë lënë jashtë. Kështu pasi u ka folur për ujitjen dhe për shembullin e Italisë në menaxhimin e mbetjeve, Kryeministri është pyetur edhe nga një banor i zonës për plehrat kimike dhe farat. “Dua të spërkas serën...por nuk di se çfarë domateje më del”, i ka thënë ndër të tjera banori duke lënë të kuptohet se ka pasiguri në kimikatet e liçencuara që janë në treg. “Ne nuk kemi arritur dot të kontrollojmë as farërat dhe as kimikatet”, u përgjigj kryeministri.

Kjo përgjigje që implikon drejtpërdrejt shëndetin e njerëzve bashkëlidhet në kuadrin e përgjegjësisë së qeverisë dhe dikastereve të saj me problemin e shumëdebatuar të importit të mbetjeve. Ligji u miratua dhe sot pritet një protestë e organizuar nga shoqëria civile e për të cilën ka shprehur mbështetje edhe PD-ja. Por pikëpyetjet e mëdha dhe pasiguritë mbeten sado që kryeministri jep garanci majtas dhe djathtas. Është befasuese të shikosh sesi në një takim të vetëm në Strumë, Edi Rama nga njëra anë garanton se mbetjet do të kontrollohen, por kimikatet që lidhen me ushqimin nuk janë kontrolluar sepse “nuk kemi arritur dot”. Kjo çështje që shfaq në formën më lakuriqe mungesën e seriozitetit mund të gjejë argumente të tjera nga diskutimi i kryeministrit në Facebook me qytetarët. Në një nga përgjigjet më të përsëritura Rama thotë se:

Keto ndermarrje kane investuar per teknologji moderne riciklimi mbi 230 milion euro dhe nderkohe me lende vendase arrijne te punojme vetem ne 30% te kapacitetit.Pa importin kjo industri falimenton dhe po falimentoi, 120 mije ton mbetje te vendit qe i riciklon aktualisht, mbeten rrugeve e fushave te plehrave”.

Këtu nuk po futemi në diskutimin sesi ia bëjnë këto ndërmarrje që të mbijetojnë në këto kushte, pra kur investimi nuk vihet në punë. Por po shtrojmë një tjetër pyetje: nëse lënda e parë e riciklueshme është kaq e kërkuar saqë ndërmarrjet shqiptare do blejnë në bursë, pse vallë nga pezullimi i tyre do të mbeten mbetjet në Shqipëri, kur kompani të huaja mund të shfaqin interes? Është një pyetje që kryeministri, i cili ka marrë rolin e zëdhënësit vetëm të industrisë nuk i është përgjigjur.

Në një tjetër përgjigje, Edi Rama nxjerr një të dhënë që nuk e ka zënë në gojë gjatë deklaratave në televizion:

Sot i kemi kushtet e munguara me pare ne dogana. Kemi instaluar ne te gjitha doganat mjetet e kontrollit radiometric (radiokativiteti) dhe stafi eshte specializuar nga partneret nderkombetare. Kjo ka ndodhur gradualisht ne keto tre vite dhe ne menyre te pavarur nga ligji i ri. Kapacitetet e rritura ne dogana jane njohur dhe vleresuar edhe nga Komisioni Europian. Per me teper, ligji i ri e ben akoma dhe me te veshtire kalimin e mbetjeve te rrezikshme, duke i ndaluar ne menyre kategorike”, thotë Edi Rama.

A mund të kishte kaluar ky investim pa një foto në Facebook, pa një video, pa një spot? Përvoja me Tv Selfie na thotë që jo, por këtu nuk po spekullojmë. Fakt është se besimi te doganat nuk ka të bëjë me pajisjet teknologjike të tyre, por tek operimi nga njerëzit. Është e ditur se në doganë mjafton të ndryshohet kodi doganor i mallit në deklarim në marrëveshje me doganierin dhe çdo gjë shmanget. Dhe në 3 vite të qeverisjes socialiste nuk kemi dëgjuar për ndonjë arrestim apo hetim në dogana. Vallë çdo gjë shkon vaj, ndërkohë që kontrabanda dhe shkeljet u konstatuan edhe nga kompania e kontraktuar Croën Agents?

Në lidhje me këtë kontroll që mbiu si argument në Facebook duhet thënë se sot ish-kryeministri Sali Berisha, ka publikuar një listë të mbetjeve të ngurta që importohen në zbatim të ligjit të ri. Nga lista rezulton se ka një numër mbetjesh skrapi, metalesh dhe produktesh të lëngshme që janë të detyrueshme për kontroll. Por a e rrregullon dot këtë fluks pune dhe këtë proces kompleks një ligj i cili u amendua me shpejtësi? Nëse shohim nga përvojat e vendeve të tjera, si Italia p.sh që është vendi që importon më shumë mbetje metalike në BE, praktika kërkon masa të tjera. Italia është prekur nga ato që njihen si aksidente dhe ka ndjekur metoda rigoroze për mbikëqyrjen radioaktive:

Matje radioaktive për çdo kamion, vagonë treni apo konteiner që përdoret për transportin e skrapit metalik përpara se të shkarkohet

Inspektim viziv i skrapit...

Personeli duhet të jetë i trajnuar të dallojë shenjat apo simblet e burimeve të radioaktivitetit Monitorim i vazhdueshëm i radiokativitetit në mjedis përmes alarmeve...”(http://www.irpa.net/irpa10/cdrom/00052.pdf).

Përvoja italiane detyroi stabilizimin e praktikës së kontrollit kufitar për skrapin të paktënnë vendet që kanë kufi vende të Europës Lindore. Mbetjet siç na thotë kryeministri do të blihen në bursë ndaj përgjegjësia më e madhe i kalon shtetit me kontrollin. Nëse sheh se çfarë kriteresh duhen për të kontrolluar kategori të tilla mbetjesh si skrapi, kuptohet se dispozita që i jep të drejtën shoqërisë civile që të kontrollojë është praktikisht e pavlefshme sa kohë që aty duhen njerëz të trajnuar.

Në planin politik një pjesë të peshores do ta lëvizë protesta e sotme, nëse do të ketë forcën që pritet, ndonëse njoftimi i ambasadës amerikane në Tiranë sipas të cilës atë e organizon opozita, jep të kuptojë se mbështetja për këtë qeveri anashkalon edhe drogën, korrupsionin dhe së fundmi edhe të drejtën për të protestuar. Nuk do paragjykuar çdo përpjekje e mirë, por pasiguritë mbeten dhe janë të mëdha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.