Largimi i biznesmenit libanez, Mitri, Manjani: Kërkesë për shkarkim gjyqtares Qeleshi, shkarkim Avokates së Shtetit në Durrës
Ministri i Drejtësië, Ylli Manjani ka deklaruar sot marrjen e disa masave që kanë të bëjnë me çështjen e biznesmenit libanez ë krye të kompanisë Omnix. Manjani ka akuzuar Avokaturën e Shtetit, gjyqtaren Joana Qeleshi si dhe ka bërë të ditur masat dhe nismat që do të merren. Më poshtë deklarata e ministrit që mund të cilësohet reagimi i parë nga qeveria për të bërë diçka konkrete rreth një problemi që solli largimin e biznesmenit Faadi Mitri. Kryeministri Edi Rama e cilësoi rrahjen e këtij të fundit si vepër të gjyqtares që dha vendimin e kthimit dhe solli konfliktin, por sot ministri Manjani ka akuzuar për përgjegjësi edhe Avokaturën e Shtetit:
“Kompania OMNIX ka filluar përpjekjet e saj në Shqipëri që në vitin 2008. Ka prova të faktuara tashmë se këtë vit kjo kompani ka blerë rreth 200 mijë metra katrorë tokë nga pronarët legjitimë dhe 200 mijë të tjerë i ka marrë me qera nga Drejtoria Pyjore për të ndërtuar një resort turistik. Leja e ndërtimit është lëshuar vetëm në korrik 2016 kur qeveria vendosi ta çlirojë zonën nga fondi pyjor.
Paralelisht, pra në 2015, nga familja Selçuni, është depozituar në Gjykatën e Durrësit një padi, kthimi i një sipërfaqeje toke në Gjirin e Lalzit, 45 mijë metra katrorë, ku 40 mijë korrespodonin në tokën që kompania kishte marrë nga Drejtoria Pyjore me qera.
Ky ishte pretendimi dhe sipas parashtrimit të fituesit, nëse dikush mban një pasuri për 20 vjet duhet ta marrë atë dhe ky ishte pretendimi që u paraqit. Gjykata ka bërë rreth 12 seanca dhe ka marrë vendim, ia njeh pronën familjes Selçuni dhe tokën që i ishte dhënë ndërtuesit, t’ia japë ndërtuesit të ri.
Një fakt tjetër është se familja Selçuni ka kërkuar kthimin e tokës por ka marrë gjithmonë refuzim se nuk kishte dokumentacion ligjor se ishte pronare. Ata kanë shkuar në gjyq dhe gjykata ka dhënë atë vendim që ka dhënë.
Vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë në shtator 2016 dhe nuk është ankimuar. Në fakt, zyra vendore e ZRPP nuk e ka regjistruar këtë vendim pikërisht për këtë arsye, që do të krijohej mbivendosje se i ishte dhënë dikujt tjetër për zhvillim.
Me këto fakte që kemi provuar rezulton se kemi përgjegjësi shumë të rënda ligjore duke filluar nga Gjykata e Durrësit.
Gjykata e Durrësit ka gabuar procedurialisht dhe në substancë dhe ka thirrur në gjyq vetëm bashkinë që nuk kishte përgjegjësi direkt.
Gabimi i Gjykatës ishte se nuk thirri asnjëherë as ZRPP dhe as Drejtorinë Pyjore që e kishte dhënë me qera.
Si është e mundur që një çështje e tillë me vlerë ka të madhe të gjykohej nga një gjykatëse?! Duhej të ishin tre gjykatës minimalisht.
Rezulton se gjykata nuk ka qënë e bindur me ligj dhe fakte se personi që e ka marrë i takonte; mund t’i takonte për arsye tjetër po jo me parashtrim fituesi.
Nuk mund të shkohet në vendim gjyqësor pa u thelluar më parë. Ka dështuar gjykata ta bëjë këtë gjë dhe sigurisht nuk lihet pa përgjegjësi as Bashkia Durrës dhe as Avokatura e Shtetit. Ato duhet ta kishin ankimuar. Nëse Gjykata ka bërë gabim që e ka shkelur ligjin, ai vendim është në fuqi se nuk është ankimuar.
Kam vendosur të filloj procedim disiplinor për shkarkim të gjyqtares në KLD dhe pasi të fillojnë procedurat ligjore. Nuk kam asnjë arsye të tërhiqem nga kjo ankesë si një rast që nuk duhet të ndodhë më. Nëse biznesi në këtë vend trembet nga nga kjo, nuk duhet të ndodhë.
Gjyqtarja rezulton si e vlerësuar pozitivisht në vite, por kjo është një çështje e rëndë dhe kam vendosur të kërkoj shkarkim në KLD.
Së dyti, kam kërkuar dhe kërkoj nga Avokatura e Shtetit që të thellojë analizat. Avokatja e Shtetit në Durrës është e shkarkuar.
Kërkesa e tretë është për Prokurorin e Shtetit që ta hetojë çështjen dhe do të pres përfundimin e hetimeve. Kjo çështje meriton vëmendje të jashtëzakonshme dhe reagim profesional.
Nuk ndërhyjmë në vendimin e gjykatës, pork y është rasti tipik kur Ministri i Drejtësië duhet të reagojë në favor të interesit publik”.
Add new comment