Rrugaçëria online, një mjet i fundit i pushtetit

Postuar në 25 Shtator, 2016 15:50

Është një fakt i njohur tanimë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka disa obsesione me median shqip. Ai ndërtoi një karrierë të suksesshme si polemist në gazetën “Koha Jonë”, eci mandej më vonë si ministër Kulture dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe më tej, si kryetar i Partisë Socialiste nën ombrellën e përkëdheljes së mediave: çdo deklaratë, çdo aktivitet sado banal dhe pa rëndësi, çdo aspekt i marketueshëm i “jetës private” ishte lajm i detyrueshëm i redaksive. Për ta nxjerrë Edin “ndryshe”, për të shitur qytetarinë në një vend ku politika dominohet nga katundarë. Sado që ngjan si një cilësi pa rëndësi, ajo luajti rolin e vet si kartë me vlerë për Edi Ramën. I cili sa më lart ngjitej dhe sa më shumë konsolidohej në pushtet, aq më shumë bëhej tekanjoz. Telefonata për një titër, për një titull, ankesa për shkrime, zënka me kameramanë e gazetarë nëpër konferenca shtypi, gjithë pra një absurditet i “lules mos më prek” që sot qeveris Shqipërinë. Kjo edhe për shkak të konçesioneve të medias dhe pronarëve të saj. Dhe më keq akoma: edhe për shkak të dashamirësisë së një shumice gazetarësh të cilët i ngatërrojnë në kësi rastesh “si të majtë”.

Mirëpo Edi Rama dhe të vetët, enturazhi i tij mbushur me askushë, i vënë në fokus vetëm këto kohë, e përmbushi qëllimin e vet. Erdhi në pushtet me një konsensus që ka një forcë negative në vetvete: eliminon efikasitetin e filtrave ndaj pushtetit pasi do kohë të krijojë simetrinë organike kundërshtuese. Një simetri që sot po përballet me karakteristikën konservatore dhe krejt amorale të socialistëve që kritikën jashët selisë e shohin si subversion. Me rritjen dhe gjallërimin e mediave online, për nga natyra të decentralizuara dhe pa kosto, problemi i Edi Ramës u shfaq për herë të parë në një përmasë të re. Dhe ky është një problem i cili po denatyralizohet jo pse mediat online po sjellin dhe aq inovacion në gazetarinë investigative, por sepse paranoja e kryeministrit ndaj një sektori ku deri më dje kishte kontroll absolut dhe sot nuk e ka më, amplifikon forcën opozitare të saj.

Në fillim u tentuan mënyrat legale: u propozuan disa ndërhyrje në ligj që kamuflonin qëllimin e vërtetë pas artificave që lidheshin me etikën. U fol për komentet online, kufizimin dhe fshirjen e tyre mbi disa kritere shumë evazive, ndërkohë që për të lexuar atë që ka në mendje kryeministri, mjafton të shohësh se cilat komente fshi ai apo stafi i e vet në profilin në Facebook. U ec më tej me një lojë në formën e letrës anonime me nenin e “influencave të papërshtatshme” në ligjin për SPAK-un në kuadër të reformës në drejtësi, e cila sërish dështoi. E ndërkohë që paralel me përpjekjet për të mbyllur rrugët e publikimit të disa të vërtetave, apo për të përpunuar opinionin me mundësitë e medias online, u hapën edhe media të qeverisë, rruga më efektive që i ka mbetur pushtetit sot për të larguar vëmendjen nga pasqyra që e nxjerr lakuriq, është vetëm të synojë ta thyejë atë.

Rrugaçëria e porositur në komentimet e pafundme dhe që pajtohen nga shqetësimi kundër Sali Berishës, kësaj fantazme që është shpresa e fundme e PS-së për të gënjyer akoma, është shenjë e qartë e degradimit final moral. Sulmet ndaj Koço Kokëdhimës, sulmet ndaj Ben Blushit, fërkimi anonim që i bëhet kritikave talasemike të Eduard Selamit, apo luhatja e humorit online ndaj Ilir Metës, zhgënjimi harbut ndaj Mustafa Nanos dhe përlavdimi i Andrea Stefanit pas letrës së këtij të fundit, janë provë antropologjike e socialistit të hedhur në veprim. Ato janë të njëjtat kritika dhe mburrje, e njëjta gjuhë, e njëjta sintaksë mendore, i njëjti predikim, të njëjta fyerje ekstreme si në rastin e Kastriot Islamit dhe e njëjta kulturë. Këtu nuk po futemi në konspiracionet nëse vetë kryeministri ulet e radhit ndonjë koment, apo nëse huazon ndonjë emër si maskë, por a do të çuditej vallë kush nëse do ta bënte?

Ky është një paradoks që thekson problemin e madh të pushtetit në Shqipëri, por ai na zbulon edhe njëherë atë boshllëk moral në PS, lidershipi i së cilës është futur në një luftë me mediat, pse nga brenda është i qetë që merret vesh edhe me sy me të vetët. Nga kjo pikëpamje sulmet rrugaçërore ndaj çdo kritike, pa folur këtu për pacientë mediatikë që vuajnë nga kompleksi Berisha, konfirmojnë se PS-ja si e vetmja strukturë e qëndrueshme politike në vendin tonë, është problem themelor për demokracinë në vend. Por edhe për lirinë, të cilën aty brenda e urrejnë nëse bie ndesh me interesat dhe rehatinë ekonomike të tyre. Ajo është një forcë për pranon e njeh kontribute nga brenda, por vetëm shërbime nga jashtë.

Dikush mund t’i bëjë thirrje kryeministrit të heqë dorë nga kjo lloj lufte perverse që e zhvillon i veshur tebdil me maska e me pseudonime, pse ky nuk është pozicioni i tij. Pse kjo nuk është puna e tij. Madje çdo punë e mirë e vërtetë e qeverisë do ta ulte profilin e goditjeve mediatike. Por kjo thirrje nuk ka asnjë vlerë sa kohë kemi një të dështuar që median e paska problem karakterial, obsesion final ku sheh se portreti që ka imagjinuar për veten, e ku fatkeqësisht ndoshta beson, po tjetërsohet për të marrë përmasën reale. Ndaj nuk mbetet veçse të gëzohemi të gjithë që Edi Rama të vazhdojë luftën, të polemizojë me gjithkënd, të sqarojë të gjithë friendsat që i shkruajnë, të akuzojë kë të dojë për sharlatanizëm. Sepse kështu edhe media detyrohet të marrë rolin e vet të natyrshëm, por edhe Edin e njohin të gjithë ndryshe sërish. Kësaj radhe ashtu siç është në të vërtetë.

Dhe le ta bëjmë një marrëveshje: t’i lëmë të gjitha komentet të kalojnë kur flitet për të. Mbase kjo e ngushëllon akoma, por edhe pse ta dallojmë nga të tjerët kur ai preferon të jetë pak popull?!

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

I pari qe u sulmua nga rrugacet me meditje te Rames , perfshire dhe kryeredaktore portalesh ka qene Lubonja e me pas Adi Krasta kur foli i pari per aferat mafioze te Rames. Ka per ta patur dramatic fundin Rama sepse Sakte e ka Nano. I ka dale gjithcka jashte kontrolli.

Submitted by Te shkuara qofs... (not verified) on

Nuk duhet habitur: Qeveria e tij, si kryeminisfri, ishte qysh ne diten e pare "e perfolur".
E pacipe. Shikoni lidhjet gjinore mes kabinetasve dhe familjeve te tyre.
As nuk zverdhen, as nuk skuqen....

A ka ane e udhe qe kryeminisfri te mbaj dy jave rresht fjalime per importin e plehrave?!

?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.