Kokëdhima: Ligji i mbetjeve me kosto për PS-në, nuk ka mbaruar përpjekja e mafias për të depozituar ndotje të rrezikshme në Shqipëri
Koço Kokëdhima, përforcon dyshimet se pas nismës së mazhorancës për të lejuar importin e plehrave qëndrojnë segmente të mafias. Gjatë një interviste në emisionin Oktapod, Kokëdhima thotë se situata, niveli i institucioneve dhe aftësia e tyre i japin akoma më shumë të drejtë shqetësimit të shoqërisë civile.
“Ky ligj është i panevojshëm për mënyrën dhe kohën si u bë. Është një kosto e pamerituar për PS-në dhe socialistët kalimi i këtij ligji. Unë e kam shpjeguar edhe këto ditë. Ligji për importin e mbetjeve nuk ka asnjë lidhje organike me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Nëse qeveria do të bëjë një ligj për importin e mbetjeve duhet ta bëjë të veçantë dhe jo të përzjerë me ligjin e manaxhimit të integruar të mbetjeve, që është problem i shëndetit dhe i jetëve tona.Kam qenë gjithmonë pjesë e kësaj lufte, jam edhe sot në gjyqe, në shkallën e dytë në Romë, ku biznesi i dëmtuar nga mosimporti më ka paditur dhe kërkon 5 milionë euro. Sipas tyre ne nuk kishim të drejtë të mbronim të drejtën dhe tokën tonë. Nuk ka mbaruar përpjekja e mafias për të depozituar në Shqipëri mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”,
Ish-deputeti socialist thotë se ligji kaloi, por kjo çështje nuk ka mbaruar. Sipas tij, shoqëria dhe ambientalistët nuk do të ndalojnë.
Add new comment