Gazeta "Shekulli" rikthen një zotim solemn të Edi Ramës për plehrat
Zgjati vetëm 3 vjet zotimi solmen i Edi Ramës për ndalimin e importit të plehrave. Gazeta “Shekulli” ka risjellë një fjalim të kryeministrit Rama, për ndalimin e importit të plehrave, të cilin qeveria e miratoi menjëherë pas ardhjes në pushtet, por që 3 vite më vonë e amendon për të lejuar importin e mbetjeve.
* Një pjesë e fjalës së kryeministrit në seancën plenare, datë 3 tetor 2013, gjatë diskutimi të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”.
Nga Edi Rama
Jam shumë krenar që sot ky Kuvend do të miratojë përfundimisht ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë. Ky Kuvend sot do të votojë për të çuar në vend një zotim solemn të marrë përpara publikut shqiptar dhe njëkohësisht për t’i dhënë mbështetjen e merituar një përpjekjeje të gjatë, deri edhe sfilitëse të shoqërisë civile dhe të gjithë faktorëve emancipues të shoqërisë shqiptare, që kanë kërkuar me këmbëngulje, përmes pengesash të panumërta dhe artificiale të vendosura nga qeveria paraardhëse që Shqipëria të mos jetë vendi i importit të plehrave. Shqipëria sot lëngon mes plehrash. Shqipëria sot është vendi më problematik për sa i përket mbledhjes dhe trajtimit të plehrave në të gjithë hartën e Europës. Shqipëria sot nuk garanton asnjë standard europian, por jo vetëm europian, në trajtimin e plehrave. Është krejtësisht e qartë që Shqipëria sot dhe nesër nuk mund të importojë plehra nga jashtë. Ka vetëm një arsye pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të paafta për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, i hapin rrugë importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë: interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve.
Ka vetëm dy kategori vendesh që importojnë plehra: ose vendet me standarde maksimale dhe me garanci maksimale, që i lejojnë vetes import edhe të mbeturinave më të rrezikshme, për shkak se kanë të gjitha aftësitë për t’i kontrolluar dhe për t’i trajtuar këto lloj mbeturinash, dhe vendet me standardet më të ulëta të kontrollit, madje inekzistente të përpunimit të tyre. Fatkeqësisht, Shqipëria që trashëgojmë bën pjesë tek të dytat dhe gjëja më e mirë që ne mund të bënim për Shqipërinë e rrënuar që trashëgojmë është ndalimi i importit të çdo lloj mbeturine.
Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë deri ditën kur Shqipëria të jetë në gjendje t’i seleksionojë, t’i ndajë, t’i mbledhë, t’i përpunojë plehrat që prodhon vetë. Pastaj, në një epokë tjetër, mund të jetë e mundur, por deri kur të vijë ajo ditë ne nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër për të respektuar deri në fund popullin, për të respektuar deri në fund shëndetin e çdo qytetari dhe për të respektuar deri në fund interesin tonë kombëtar dhe publik. Nuk ka më plehra që të hyjnë në kufijtë e Republikës së Shqipërisë. Nga këtu fillon rimëkëmbja dhe nga këtu fillon edhe ripërtëritja e organizmit të këtij vendi me një politikë tërësisht të re në raport me mjedisin, në raport me mbetjet, në raport me ndotjet.<br />
Sigurisht, rruga për të shkuar deri atje ku qytetarët dhe ku ky vend e meriton, si një vend të cilit Zoti apo natyra i kanë falur bukuri të rralla, është një rrugë e mundimshme, nuk është një rrugë e shkurtër sot për nesër, por një rrugë që unë jam i bindur se kjo shumicë dhe kjo qeveri në 4 vjetët e ardhshëm do ta shkurtojnë, siç nuk kanë mundur ta bëjnë të gjithë ata që për 20 vjet e kanë lënë Shqipërinë të katandiset deri këtu: një vend i ndotur nga të katër anët, një vend ku bukuritë e rralla bashkë me cilësitë e mikëpritjes së këtij populli bashkëjetojnë nga të katra anët me plehrat, që i vrasin sytë çdokujt që e viziton këtë vend. Ne do t’i heqim plehrat nga sytë e gjithkujt që e ftojmë të vizitojë këtë vend, të shijojë bukuritë (dhe për të shtuar fuqinë tonë të industrisë së turizmit) dhe që nuk mund ta mikpresim sërish pasi e kemi shëtitur mes malesh, kodrash dhe pirgjesh me plehra.
Add new comment