Kërkesë për heqjen e vulës së sulltanit nga fasada e Xhamisë së Parrucës në Shkodër

Postuar në 16 Shtator, 2016 04:01
Paul Tedeschini

Drejtue kryebashkiakes, zojes Voltana Ademi*

 

Para do kohe isha në Shkodër, ku kam parë një gja që më ka habitë e më ka lanë pa mend. Në fasadën publike të Xhamisë së Parrucës, nga ana e rrugës kryesore, Myftiu i Shkodrës, imami Muhamed Sytari kishte vendosë një shkrim osmanisht me përmasa të stërmdha rreth pesë metra me dy metra. Ky shkrim osmanisht më kujtoi njënën faqe të një monedhe të vjetër turk-osmane. Pyeta disa miq muslimanë shkodranë dhe kosovarë për kuptimin e këtij shkrimi, por asnjëni prej tyne nuk dijti t’ma spjegonte. Atëherë iu vuna vetë studimit nga ku nxora se:

 Në pjesën ma të sipërme të stemës së perandorisë turk-osmane asht nji rreth ngjyrë të gjelbërt, që osmanisht quhet “tugra” e sulltanit. Duke vazhdue kërkimet, konstatova se kjo “tugra” asht në fakt “myhyri” apo vula e sulltanve, dhe se shkrimi në fasadën e Xhamisë së Parrucës në Shkodër asht identik me “tugren” apo “myhyrin” pra “vula” e sulltanve. Poshtë nga e majta e shkrimit osmanisht në fasadën publike të Xhamisë së Parrucës, asht shtuar data “1379” dhe djathtas mbrenda “tugrës” një datë tjetër “1761 ose 1769”. Po djathtas nga sipër, jashtë “tugres” apo vulës së sulltanit, shifet nji shkrim tjetër osmanisht, i cili duket të jetë një shprehje fetare, që lartëson vulën e sulltanve.

Data e parë 1379 e shkrimit osmanisht në xhaminë e Parrucës përputhet (afërsisht) me datën e betejës së Fushë – Kosovës të sulltan Muratit të I-rë, mbas së cilës ushtritë e turqve osmanë filluen pushtimet e tyne të mëdha në Ballkan dhe shënuen fillimin e humbjes së pavaresisë së principatave shqiptarë. Ndërsa data e dytë 1761 (ose 1769) mendoj se mund të ketë lidhje me ndonjë datë me randësi të ndonjë pashai shkodran.

 Lindë pyetja: Pse myftiu i Shkodrës imami Muhamed Sytari nuk ka vue në fasadën publike të Xhamisë së Parrucës për shembull një shprehje fetare islame në gjuhen shqipe për harmoninë fetare, por ka vue në osmanisht, sot mbas një shekulli Pamvarsie të Shqipnisë, vulen e sulltanve të kalifatit islamik, të pushtuesve turq-osman masakrues të popullit shqiptar? A thue se xhamija nuk shërben për lutje fetare, por asht një garnizon i dikurshëm turk-osman ?!

 Imagjinoni Ju lutem vetëm për një minutë zoja kryebashkiake, se sa do të trumbetohej me të drejtë si veprim antikombëtar dhe skandaloz, sikur nëpër fasadat e kulteve të tjera fetare të vendoseshin stemat e mbretënve të dikurshëm pushtues sllavë o grekë o eruopianë !!!!

 Un mendoj se rranjët e këtij veprimi të myftiut të Shkodrës, imamit Muhamed Sytari, duhen kërkue tek Enver Hoxha, i cili në vitin 1967 prishi Kisha dhe Xhamia dhe zhduku kleret tona fetare tradicionale. Për të mbushë këtë boshllek klerikësh, mbas vitit 1990, shumë të rinj shqiptarë u dërguen për studime teologjike në vendet arabe, prej ku sot po na sjellin shumë gjana negative, që në vendin tonë nuk i kemi pasë, deri edhe evokimin dhe hymnizimin e perandorisë pushtuese turk-osmane.

 E nderta kryebashkiake, zonja Voltana Ademi !

 Vendosja në fasaden publike të Xhamisë së Parrucës në Shkodër e vulës perandorake të sulltanve të kalifatit islamik të pushtuesve turq-osman:

 1 – Asht një veprim antiligjor, sepse bjen në kundërshtim me vendimin e parë të Qeverisë së Parë Shqiptare të datës 28 Nandor 1912 në Vlorë mbi Shpalljen e Pamvarsisë së Shqipnisë nga pushtuesi turk-osman, vendim që asht në fuqi edhe sot.

 2 – Asht një veprim antikushtetues, sepse institucionet fetare në Shqipni me ligjë janë të shkëputuna nga Shteti dhe me ligj, institucioneve fetare u asht ndalue të merren me politikë, ose të bëjnë në kultet fetare propagandë politike.

 3 – Asht një veprim antikombëtar, sepse hjedh baltë mbi gjakun e mijëra patriotëve shqiptarë të qyteteve tona, të fushave tona dhe të maleve tona, të cilët pa asnjë dallim fetar, si vllazen, dhanë jetën e tyne gjatë luftrave shekullore për Pamvarsinë e Shqipnisë nga pushtuesi 500 vjeçar turko-osman.

 4 – Asht një veprim shumë i damshëm për mbarë shqiptarët edhe nga pikëpamja politike ballkanike. Shqiptarët nuk kanë asnjë interes politik të jenë hyzmeqarët e njenës apo tjetrës palë, të dy pretendentëve antishqiptarë shumë shekullorë në Ballkan, siç janë Turqia dhe Rusia. Vetem rruga europiane u garanton shqiptarëve një siguri politike, një siguri ushtarake dhe një perspektivë ekonomiko – kulturale. Këtë e vërteton shkëputja e Kosovës nga Serbia dhe futja e Shqipnisë në Nato. Jeta vërtetoi se çdo rrugë tjetër asht e gabueme dhe me pasoja fatale.

 Mbasi tash më shumë se 100 vjet s’asht ma Shkodra vilajet turk, si dhe per arsyet që ma nalt tregova, un, si qytetar i vjetër i këtij qyteti, kërkoj nga Ju zonja kryebashkiake: së pari ta verifikoni Ju vetë kuptimin e atij shkrimi osmanisht në fasadën publike të Xhamisë së Parrucës dhe pastaj, mbasi Ju jeni personi me kompetencë të plotë në Shkodër për problemet publike të qytetit, kërkoj:

 të urdhnoni heqjen sa më parë të vulës perandorake të sulltanve të kalifatit islamik të pushtuesve turq-osman nga fasada publike e Xhamisë, fakt që është pa preçedent në Shqipni dhe në Ballkan.

 Përfundoj me bindjen për mirëkuptimin dhe ndërhymjen Tuej.

Me nderime!

*Kërkesa i është dërguar Kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi në faqen e saj zyrtare në Facebook

Comments

Submitted by L.Hamja (not verified) on

Kur të bahet ferra Brahim dhe kur nxit urrejtje pa asnjë lloj të drejte, njeriu bahet gazi i botës, me injorancën e tij. Shkrim që nxit urrejte dhe aspak i saktë, por plot injorancë, sepse përmbajtja e kësaj pamje të bukur nuk është ashtu si pretendoni, nuk është vula dhe as myhyri i Sulltani, por diçka që shkruhet gjithandej nëpër literaturën dhe dekoracionet islame dhe kuptimi i saj në shqip është i tillë:
"La ilahe il'lall-llah" (Nuk ka zot tjetër, përveç Allahut dhe Muhammedi është i dërguari i Tij) dhe "Bismilahi Rrahmani Rrahim" (Me emrin e Allahu, Mëshiruesit Mëshirëbërësit).
Ndërsa injoranca tjetër e madhe e jotja, që tregon se kur njeriu e ka nijetin e keq, që në fakt nuk është dhe nuk ka qenë në traditën e shkodranëve, është se data të cilën ju e keni marrë si viti 1379, në fakt është viti 1429 hixhri, që po të konvertohet në kalendarit gregorian i bie viti 2007, vit në të cilin është inauguru hapja e kësaj xhamie. Dhe në atë vit myfti i Shkodrës nuk ka qenë Imam Muhamed Sytari, por Imam Ndriçim Sulejmani.
Këto shkrime nuk i bajnë aspak mirë askujt, prandaj mos u mundo të futësh urretje, sepse Shkodra dhe shkodranët nuk e kanë pasë dhe me ndihmën e Zotit, por edhe me drejtimin e mirë që Myftiu i nderuar i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, po bën, nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

Submitted by Edi (not verified) on

Z. Tedeschini, kur nuk dini se ç'është, përse fusni hundët? Ajo në foto nuk është tuğra - tugër, por një besmele (bismilah etj. ) e stilizuar! Kam frikë se më shumë duhet t'u ruhemi injorantëve të zellshëm si puna juaj, sesa xhon-osmanëve me të cilët na trembni!

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

Paul TEDESCHINI, pervec se eshte nje koker provokatori hileqar - i stilit jezuit, injorant autodidakt i klasit te pare, eshte edhe njeri negativ me shpirt te keq, dhe nxites i luftes fetare, sidomos ne Shkodren tone, ku kjo harmoni, eshte e spikatur ne menyre te vecante.
Ju kam thene dhe here te tjera, o Paul gjermani, mbasi ju nuk jeni shqiptar, dhe si i tille, nuk na duroni kur ne kemi harmoni e vellazeri, muslimane me katolike e ortodokse, por ju jeni luftenxites, shpirt keq, dhe si i tille, duhet edhe te ndeshkoheni nga DREJTESIA, si nxites i luftes fetare.
E ku ka shembull me te mire, se sa Imami i Shkodres, Muhamet Sytari. Djale me shkolle, me kulture, me gjuhe te huaja dhe me karakter te forte, duke rrezatuar moral personal e shoqeror, ndershmeri dhe drejtesi ne presikimet e tija, dhe asnjeher luftenxitje, por paqe e harmoni fetare.
Per t'u theksuar, eshte edhe me sinjifikativ fakti qe, Imam Muhamet Sytari, babane e ka musliman dhe nanen katolike.
E ku ka ne bote nje tjeter te dyte si imam SYTARI ?
Turp per ju TEDESCHIN antishqiptari.
Turp.

Submitted by Arben Çokaj (not verified) on

Paul Tedeschini ka parë një shkrim arab në xhaminë e Parrucës pa asnjë sqarim shqip. Po të kishte Sytari e ju që kritikoni pak kulturë evropiane, do të respektonit shqipen si gjuha jonë, që është para të gjithave. Por ju në egoizmin tuaj primitiv, e në nënshtrimin tuaj të pështirë para turkut, arabit e ideologjisë arabe, i keni sytë të verbër e nuk po e kuptoni as Paulin, se ku e ka synimin. Ai po thotë se ai shkrim arab gjendet në vulën, myhyrin e sulltanit osman. A mund ta mohhoni ju këtë? Nëse ai shkrim gjendet në vulën e stemën e sulltanit, Pauli ka të drejtë. Pauli nuk di arabisht, ju që dini, mohojeni me fakte, jo të merrni veglat e Muhos arab e të shani shqiptarët, që nuk gënjehen nga ato vegla si ju. Ju vazhdoni dhe arabizohuni sa të doni, për vete e keni, se kështu shkoni drejt Evropës (në jetën tjetër), por kur diskutoni e doni të kundërshtoini një argument, paraqitni argumente bindëse, jo sharje!

Submitted by Marknikolla (not verified) on

Ky Pauli tedeshini eshte turpi i gjithe katolikeve shkoder. Sipas tij duhet me. Prish kishat qe ndertoi musolini.

Submitted by daja (not verified) on

Vallahi nuk di ça ma thonë... latinçe i thonë : O Tempora o Mores!
Ky robi që as emnin e mbiemnin se shkru shqip, nuk e di a o shqiptar a noj rracë tjetër që ka mësu shqip, ka fillua me zbulu konspiracione alla osmane nëpër mure xhamishë! Nashti mor lum daja, mirë se ky ka hik prej fiqirit ene nuk merr vesh nga nga arti kaligrafik islam, e nuk dallo ça o tugër e ça o verset Kurani, nuk dallo vitet në numra indianë e ngatërro me ato tonat (arab) e që shko ene zbulo ene vite te ca grepa që shërbejnë për dekor zbukurimi, por ju që i botoni këto idiotsina ca me ju thanë?!
Kjo është përtej qesharakes, kjo o Muç o fatkeqësi, sepse ky robi oshtë një islamofob kaq i thekur dhe tendencioz, saqë Zoti e qiti zbulut me këtë idiotësinë e tij saqë edhe Don Kishoti do ishte habit prej tij, sepse kësaj i thonë me i fry kosit sepse të duket qull!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.