Cenimi i së drejtës me pranimet në universitet

Postuar në 13 Shtator, 2016 14:59
Prof. Bardhyl Musai

Parregullsitë dhe amullia me sistemin e ri të pranimeve në universitete vazhdojnë, në vend që të zgjidheshin duke respektuar të drejtën e maturantëve për mosndryshimin e rregullave pas fillimit të shkollës së mesme, sepse ministria këmbëngul që të zbatohet sistemi i ri, i cili konceptua disa muaj më parë pas fillimit të viti shkollor 2015-2016, kur maturantët kishin filluar mësimet. Tashmë, kur faza e parë përmbyllet, maturantëve jofitues të kësaj faze, që përbëjnë më shumë se 80% të aplikantëve, u kërkohet të zgjedhin 10 preferenca për fazën e dytë që është përfundimtare.

Se çfarë do të sjellë faza e dytë pas 20 shtatorit, as ministrja vetë nuk e di, pasi deri tani ka folur përçart, aspak e sigurt, e pasinqertë, por, përkundrazi, ka qenë cinike dhe arrogante përballë lotëve dhe pezmatimit të maturantëve. Duke e ndjekur procesin që nga nisja, pas fillimit të vitit shkollor e deri tani, vërejmë se janë shkelur parimet e shtetit të së drejtës.

 

Nëse në fazën e parë kanë dalë fitues më shumë se 10% e aplikantëve, një shifër e përafërt 7 deri 9 mijë, ata bllokuan dhjetëfishin e degëve, pasi ishin më të mirët dhe kur të regjistrohen do të zhbllokojnë pjesën tjetër, nga 9 degë secili prej tyre. Në raundin e dytë do të aplikojnë pjesa e mbetur, afërsisht 15 mijë deri në 18 mijë, atëherë më të mirët e tyre do të bllokojnë përsëri 10-fishin e pjesës së mbetur. Pas raundit të dytë do të mbeten jo fitues në asnjë degë afërsisht 10 mijë aplikantë. E që të fitojnë të gjithë, pasi kuotat janë të mjaftueshme, procesi duhet të zhvillohet në disa raunde të tjera dhe të mos befasohemi,ai mund të përfundojë pas dy a tre muajsh. Pretendimi se në përfundim të raundit të dytë do të regjistrohen në vendet bosh edhe ata poshtë vijës së kuqe është i dyshimtë, pasi mund të kryhen manipulime.

Krahas parregullsive së deritanishme si heqja e mesatares së ponderuar, që u kthye në mesatare aritmetike e cila ka ulur ndjeshëm pikët e maturantëve; ndryshimet e vlerësimit të lëndëve të avancuara dhe që kanë barazuar peshën e lëndëve të vështira me atë të lëndëve më pak të tilla; penalizimi i disa aplikantëve, maturantë të vitit të kaluar për lëndë që nuk i kanë zhvilluar dhe që fakultetet i kanë vënë si kritere në përzgjedhje; caktimi i fakulteteve të shpallin fituesit në mënyrë të pavarur me tabela në excel, krijon kushte për abuzim duke ndë- rhyrë në të dhënat deri edhe veprime korruptive, duke bërë spostime të renditjeve në lista me pretendime nga më të ndryshmet, pa folur për ndryshimet, duke nxjerrë rregullore e udhëzime përgjatë vitit shkollor arrijmë në përfundimin se ministria nuk është në gjendje të menaxhojë procesin, sikurse ka nisur.

Caktimi i lëndëve si kriter nga universitetet, heqja e notës së ponderuar dhe aplikimi i mesatares aritmetike ka bërë të mundur që të jenë fitues në fazën e parë disa aplikantë që kanë bërë zgjedhje “të mençura”, vetë apo me konsulencë, por janë shpallur fitues pa meritë, duke përfituar nga këto kritere. Për ilustrim po sjell vetëm një shembull: është fitues në degën e Inxhinierisë Informatike një maturant, i cili ka përzgjedhur një nga lëndët Qytetarinë, pasi në lëndët e shkencave kishte rezultate më të ulëta. Ai ka përfituar edhe nga nota mesatare shumë e lartë e të tri viteve të shkollës së mesme, e cila përbën 50% të mesatares.

Prandaj, çdo përpjekje që vazhdon të bëhet nga ministria është jo për të vendosur drejtësinë e kërkuar nga maturantët, por për t’i qetësuar ata që vala e tyre e zemërimit të ulet dalëngadalë dhe të sistemohen në universitete, por jo sipas meritës.

ZGJIDHJA Problemet e shumta që padrejtësisht i kanë penalizuar maturantët, nuk mund të trajtohen si teknikalitete, duke u dhënë këshilla e sugjerime atyre se si duhet të veprojnë në fazën e dytë për të korrigjuar gabimet që kanë bërë në fazën e parë. Çështja është se ky sistem, nuk duhet të zbatohet për arsyet e përmendura më lart.

Ndonëse procesi, sikurse është zhvilluar deri tani, ka krijuar amulli, çoroditje, zhgënjim e pakënaqësi, ai ka zgjidhje dhe maturantëve duhet t’u jepet shpresë, nëse me të vërtetë ekziston vullneti i mirë. Të rivendoset modeli i mëparshëm meritë-preferencë.

Ky model nuk ia vlen ta diskutojmë në këtë moment, pasi edhe unë, shkruesi i këtyre radhëve, kam vërejtje për përmirësimin e tij dhe i kam shprehur publikisht më parë, por është më i mirë se ky i tanishmi dhe mund të zbatohet menjëherë, që dëmi të jetë sa më i vogël për aplikantët. Të riplotësohen formularët për lëndët me zgjedhje, sikurse edhe vitin e kaluar. Aplikantët të mos paguajnë tarifë, pasi e kanë paguar një herë. Të shpallen koeficientet, sikurse vitin e kaluar.

Mesatarja e shkollës së mesme të jetë si ajo e viteve të mëparshme, pasi është më e drejtë pesha kryesore e provimeve të Maturës Shtetërore dhe më pak mesatarja e shkollës së mesme, e cila është relative nga shkolla në shkollë, e nga zona në zonë. Të zbatohet formula e viteve të më- parshme dhe procesi të jetë i centralizuar, jo nga universitetet, duke bërë amendimet e nevojshme ligjore. Ky proces do të zgjasë pak në kohë, por edhe ai i deritanishmi nuk zgjat më pak.

Jam i sigurt se viti akademik nuk do të mund të fillojë normalisht më 20 tetor sipas urdhrit të ministres. Është më mirë të ketë një vonesë të justifikuar ligjërisht, nisur nga vullneti i mirë; t’u realizohet maturantëve dëshira për të studiuar sipas meritës dhe preferencës, me transparencë maksimale, në respektim të zbatimit të parimeve të shtetit të së drejtës dhe jo të shkelen ato sikurse po veprohet.

Asnjë sistem nuk është i përkryer dhe nëse mendohet për ndryshime në të mirë të maturantëve, duke pasur si qëllim të vetëm cilësinë, atëherë ato të kryhen në kohën e duhur, të sigurohet informacioni duke u krijuar qasje nxënësve, prindërve, mësuesve dhe të gjithë qytetarëve, e jo të veprohet në kushte emergjence. Kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë sektor, aq më pak në arsim.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.