Një qeveri e inkriminuar që fiton me zgjedhje dhe një opozitë e reduktuar në selinë e saj

Postuar në 12 Shtator, 2016 20:54

Kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet për pushtetin vendor në Dibër, Sherefedin Shehu, ka humbur përballë rivalit Muharrem Rama. Rezultati zyrtar dhe njohja e tij janë tashmë formalitete.

Humbja i shkon sa kandidatit dhe fushatës së tij, aq edhe PD-së me opozitën. Sepse duhet thënë që humbja nuk diskriminon në kësi rastesh, siç bën fitorja. Në humbje je i humbur dhe duhet ose ta pranosh e të nisësh reflektimin, ose të vazhdosh qorrazi me një politikë e qëndrim që thjesht trashin guackën ku po mbyllet opozita.

Fitorja nga ana tjetër është më shumë shtresore: sot në Dibër padyshim që ka fituar Muharrem Rama, kandidati, ka fituar kumbari i tij, Edi Rama, ka fituar PS-ja e Dibrës. Por është shumë e vështirë të thuhet nëse kanë fituar apo jo dibranët, qoftë edhe duke nisur nga shifrat e pjesëmarrjes. Ka shumë rëndësi të nënvizohet kjo, pasi qysh tani, zëdhënësat e mazhorancës, analistët dhe kalemxhinjtë e superpaguar kanë nisur të flasin “për çaste historike” kur “populli bën kthesë”, apo duke i parë zgjedhjet si një proces përballjeje mes të mirës dhe të keqes, ku e keqja dhe e liga padyshim janë Sali Berisha dhe ata që i shkojnë nga pas.

Kjo nevojë për emfatizuar një fitore lokale tradhëton sa një urrejtje, patologjike tanimë, për Berishën dhe klanin e tij, aq edhe një domosdoshmëri të shumicës, kupto PS-së, për të tonifikuar emocionalisht të vetët. Ajo tradhëton keq vetëdijen e një qeverisjeje të dështuar, të një Shqipëri të krimit e të drogës, e cila si e tillë po kthehet në interes të një klase. Kjo nevojë për të shpallur fitore është dëshmi për lustër të re imazhi dhe entuziazmi për atë që po vjen, e në krah të një partie si LSI-ja e Ilir Metës. Ata që sot flasin për një popull të mençur që di se çfarë voton, dhe në fakt kështu është, harrojnë qëllimisht se me kë janë në koalicion. Sepse mandej do t’u duhet të shqyrtojnë edhe popullin...

Parë kështu, rezultati është një matematikë e cinizmit politik, ku nuk ka asgjë morale, ku nuk zhvillohet manikezimi tradicional mes të mirës dhe të keqes. E gjitha kjo është një qasje për të nihilizuar vlerat e opozitës në funksion të zgjedhjeve parlamentare që janë shumë më komplekse dhe me shumë faktorë.

Por për shkak të renditjes së kufizave dhe peshës së tyre politike humbësi vjen në vështrim primar. Nëse lexon sot atë që ka thënë Lulëzim Basha, kryetar i PD-së, shpresat se diçka do të korrigjohet janë shumë të pakta. Dhe kjo është me të vërtetë një fatkeqësi:

Një betejë e përmasave epike na pret në meidanin e historisë. Edhe njëherë kujtimi i Azem Hajdarit, vepra dhe kurajoja e tij janë në krahun tonë. Ai vetë si një engjëll mbrojtës në krahun e rinisë demokrate në këtë betejë që duhet e do të fitohet me çdo çmim. Shqipëria e kartelit të drogës, Shqipëria e politikës së bërë njësh me krimin, vuan në papunësi, pasiguri, varfëri e mungesë lirie që thellohet nga dita në ditë. Vepra e Azem Hajdarit është në radhë të parë vepra e kurajos, e kurajos për t’u çuar dhe për t’u përballur me të keqen...Ndaj e sotmja është po kështu një ditë apeli për çdo shqiptar pavarësisht bindjeve politike që të mos pajtohemi me politikën e inkriminuar, të mos pajtohemi me inkriminimin e politikës, për demokratët e në veçanti për rininë demokrate, e sotmja është një ditë kushtrimi”, tha Basha gjatë ceremonisë përkujtimore për Azem Hajdarin.

Patjetër që kjo merr notën katër, jo vetëm për patetizmin dhe falsitetin e përmbajtjes, por edhe për disproporcionin donkishotesk që Basha i atribuon vetes si drejtues politik. Ai flet për mejdan të historisë, kur dihet fare mirë se që të kesh pretendime të tilla ndaj vetes, do të duhet më së paku që të kesh gjurmë të tuat dhe ego dominuese. E vërteta është se Basha është një dhuratë e Sali Berishës për PD-në, madje me një garë të kontestuar. Ai operon në drejtim në formën e një miniature të Berishës, me klientelizëm dhe favoritë, brenda një koniunkture politiko-partiake, ku pa elementin Berisha do të ishte likujduar menjëherë.

Lulëzim Basha hyn tek ata drejtues politikë që nuk lexohen se çfarë mendojnë realisht, nuk dihet se çfarë u pëlqen, çfarë shijesh kanë, çfarë hobi, çfarë i emocionon, kanë dikë inat apo jo, për ta thënë shqip. Këto karakteristika “nordike” mund të jenë të vlefshme si drejtues shteti, por deri sa të mbërrish aty politikani ka nevojë më së pari të kolaudojë zërin e vet. Atë të kordave që të mos i ikë e që i jep identitet, por edhe zërin politik, atë që të jep rolin e përfaqësuesit.

Basha nuk po di as të përshtasë imazhin e vet, karakteristikat e veta, shkollimin dhe cilësitë me detyrën, për të mos realizuar dot as asosacionin e ri me demokratët që janë mësuar me tjetër stil; ai po u kthen kurrizin qytetarëve opozitarë shqiptarë, por që nuk janë anëtarë të PD-së duke preferuar të jetë një vazhdues hije i Berishës edhe në metodikë, çka nuk e bën dot. Kjo e vendos opozitën para problemit strategjik të lidershipit.

Një tjetër problem është gara në PD. Flitet shumë për hapje të partisë, për prurje të reja etj.. U ndërtua një kryesi a këshill kombëtar me detyra dikasteriale, imitim i kryesisë së Edi Ramës, që në fakt nuk bën asgjë. Nuk duket asgjëkundi. Nuk thotë asgjë për qytetarët. Degët e PD-së popullohen nga të njëjtët aktorë të djeshëm të pushtetit të Berishës, gjithnjë në pritje të radhës për të rimarrë frenat aty ku u ndërprenë në vitin 2013. Kjo është e qartë se ka kostot e veta dhe duhet thënë se “rakia e Rilindjes” nuk ka dalë akoma. Nuk ka asgjë të keqe që një parti të ketë afër vetes njerëz të biznesit, por është krejt tjetër gjë që kryetarët e degëve të jenë biznesmenët e parë me paranë publike. Vjen kështu në vështrim ajo që u tha shpesh në vitin 2013, pastrimi dhe reforma, të cilat Lulëzim Basha, i realizoi vetëm në intervista televizive. Le të na thotë z. Basha sesa është numri i të rinjve që hyjnë vullnetarisht në PD, pa patur një lidhje të brendshme? Me siguri shumë pak dhe ky është një problem i të gjitha partive, por opozita kishte shansin që të ndryshonte diçka.

Humbja e sotme në Dibër vjen shumë afër zgjedhjeve parlamentare ndaj edhe ajo imponon përpunimin e një programi të ri, i cili duhet të jetë diçka më shumë sesa formula magjike “do të ulim taksat”. Një dokument serioz që synon të jetë alternativë qeverisëse do të duhet të vërë gishtin edhe mbi plagët e krijuara në vitete 2005-2013, të japë zgjidhje dhe të konsiderojë trajtimin e tyre edhe ligjor. Formalisht PD-ja ka firmosur miratimin e reformës në drejtësi, por nuk ka bërë asnjë distancim nga qeverisja e vet, e cila ka jo pak fatura. Nëse do ta kishte bërë këtë, edhe karta e mazhorancës për të përdorur eventualisht disa arrestime të bujshme për efekt elektoral, do të kishte pak jehonë. E kundërta ndodh. Sot kemi një opozitë që mburret me ligjin e dekriminalizimit, me të drejtë, por që nuk di të thotë asnjë fjalë për krimet ekonomike të qeverisjes së vet. Një opozitë që është dëshmuar jo rrallë selektive në akuzat ndaj qeverisë, pse siç mund të merret me mend është në Pazar me të. Dhe ky realitet i heq asaj avantazhin e madh moral që duhet për të kthyer prirjen e elektoratit.

Mundet që zgjedhjet të denoncohen për parregullsi, për blerje etj., por dy aspekte të tyre nuk japin alibi për PD-në:

Diferenca e madhe në humbje dhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje. Një opozitë e vërtetë do të dinte t’i minimizonte këto. Fakti që nuk ndodh do të thotë se në sytë e elektoratit(duke mbajtur parasysh se Dibra është vetëm një kampion) PD-ja barazohet me qeverisjen e së shkuarës dhe qëndron ende më poshtë sesa qeveria aktuale. Kjo është teorike, por në çdo rast nuk është pa bazë reale.

Kemi një qeverisje të dështuar dhe të inkriminuar që fiton me zgjedhje. Përveç inercisë së elektoratit që aktualisht në një pjesë nuk zgjedh, por shërbehet si prurësi më i parë, fajin nuk ka kush ta ketë tjetër pos PD-së, e cila duket se po pret dekantimet dhe firot e pushtetit për të vënë pak dhjamë, njësoj sikundër për disa, ajo mjafton edhe si shtëpia e imunitetit nga zullumet.  

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.