Rikthehet teza krahinore. PD-ja “rifortifikohet” në Shkodër, por qeveria nuk përgënjeshtron dot akuzat për shpërndarjen e fondeve
Pasi iku nga ministër i Jashtëm me motivin se ishte lodhur, pasi bëri kritikun e mërzitur nga media “të majta” ndaj qeverisë së Sali Berishës dhe mandej PD-së në opozitë, Besnik Mustafaj është rikthyer në politikë. Atij ja kanë hapur derën në një parti opozitare si PD-ja, e cila është në nevojë të madhe për çdo lloj ndërhyrjeje që jep idenë e ndryshimit dhe çon në fitimin e kohës. Është një rikthim si ai i Eduard Selamit, që pasi u përfol gjatë si një politikan me kushedi se çfarë kapacitetesh, provoi se në fakt është thjesht një anonim i keqkuptuar qëllimisht nga media.
Edhe Mustafaj hyn te kjo kategori. Nuk di njeri të thotë se çfarë kontributesh ka ky njeri në politikë dhe në PD. A mund të besohet një njeri i cili duket se divorcin nuk e ka patur parimor, por thjesht një lodhje dhe trill prej të përkëdheluri që pasqyron edhe defiçencë në instinktet politike?
Kjo sjellje kushtëzon shumë besimin mbi të dhe vetë opozitën, edhe kur ka diçka sërioze për të thënë. Sot Mustafaj ka bërë një vërejtje jo pa rëndësi në gazetën “Panorama” ku ka shkruar një opinion. Duke portretizuar kryeministrin Edi Rama si hakmarrësh primitiv, ai ka çuar muhabetin te diferencimi mbi bazë krahinore të fondeve.
“Ata që e njohin nga afër Edi Ramën, e tregojnë si njeri verbërisht hakmarrës. Në qoftë se ai nuk do të kishte pushtetin që ka, ky do të mbetej një tipar i karakterit të tij, sigurisht një tipar primitiv, por me ndikimin vetëm mbi njerëzit që e rrethojnë. Privatisht le ta durojë kush të dëshirojë. Ndryshon krejt puna kur ai është Kryeministër, de facto drejtues i shtetit.
Cili shqiptar, i ri a i vjetër, demokrat a socialist, do e merrte me mend se Divjaka merr jo për frymë, por në shifër absolute 5 herë më shumë fonde se Shkodra? Vetëm sepse atje është deputet socialisti i thekur, Erion Braçe. Apo Librazhdi? (nuk është për të qeshur). Librazhdi merr nga qeveria, në sajë të besimit që i ka dhënë Taulant Ballës, 3 herë më shumë fonde se Shkodra.
Po sjell një rast tjetër që tregon se fryma hakmarrëse e Edi Ramës është frymë e gjithë qeverisë së tij. Këto ditë që po zhvillohet fushata zgjedhore në Dibër, ministri Damian Gjiknuri u shfaq me zë e figurë në të gjithë mediat duke shpallur se ‘kryeministri Rama dhe qeveria nuk do të japin fonde për një demokrat në krye të Bashkisë’. Ky sigurisht është shantazh i pastër”, shkruan Mustafaj(http://www.gazetatema.net/web/2016/09/07/besnik-mustafaj-rama-nje-hakmar...).
Edhe pse këto i shkruan Mustafaj, kjo shpërndarje fondesh është një turp i vërtetë.
Add new comment