Nënë Tereza, një përvojë në një shkollë në Nju Jork

Postuar në 07 Shtator, 2016 16:40
Ilir Hashorva

Kur takohesh me Nënë Terezën, nuk mund të mos ndiesh inferioritet
Indira Gandi

Këtu e trembëdhjetë vjet të shkuara, pata bërë shkrimin e mëposhtëm për Nënë Terezën i cili, duke parë drejtimin e shtrembër moral që ka marrë shoqëria jonë sot, më duket më aktual se
atëherë.

Në ceremoninë që u zhvillua në shkollën e mesme "Teodor Ruzvelt" në Jankes, në Nju Jork, me rastin e mbarimit të vitit shkollor në vitin 2002, shkollë prej së cilës mbaroi vajza ime, mora pjesë edhe unë si prind. Gjatë asaj ceremonie, e cila u zhvillua e bukur dhe serioze, diku nga mesi i programit, një prej drejtueseve, pasi thirri një nxënëse në skenë, filloi të recitonte: "Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë", dhe nxënësja, e thirrur pranë saj, vazhdoi: "Ji i ndershëm dhe i sinqertë, megjithatë". "Të kujt janë këto mendime?", pyeti drejtuesja. "të Nënë Terezës" iu përgjigj nxënësja. "Pa dyshim", tha drejtuesja. Dhe, më pas, ato, së bashku, recituan të gjithë poemën e shkurtër të Nënë Terezës, "MEGJITHATË" e cila u duartrokit nxehtësisht. Poema ishte vërtet një koncentrat mendimi e urtësie i shkallës më të lartë. Ajo përmblidhej në tetë rreshta dhe kishte të bënte me sjelljen e njeriut të mirë në një botë të keqe.
Nuk e kisha dëgjuar më parë atë poemë, ndonëse dija vargje të tjera të ngjashme, apo gjerdane maksimash, po të Nënë Terezës, me titull "JETA" dhe që në Tiranë i kisha vendosur në xhamin e bibliotekës sime të punës.
Pasi dëgjova atë mbasdite poemën e Nënë Terezës, u interesova të mësoja diçka më shumë për të. Dhe ja se çfarë mësova:

Origjinën ato vargje duhet ta kenë nga feja e lashtë indiane Xhain, e cila është një fe, ndonëse jo shumë e përhapur (për shkak të rregullave shumë të forta që i imponon besimtarit), me parime shumë interesante, ndërmjet të cilave edhe parimin e Ahimsa-s, që do të thotë "pa dhunë", dhe që ka frymëzuar lëvizje të mëdha botërore të shekullit që lamë pas, duke përfshirë atë të Gandit në Indi dhe të Martin Luter Kingut në Amerikë. Në citatet që jepen për të njëjtin subjekt nga ajo fe, përveç vargjeve të ngjashme me ato që përmbahen në poemën e Nënë Terezës, janë edhe dy vargje të tjera që nuk ndodhen në thëniet e saj. Ato janë: " Njeriu më i lartë me idetë më të shquara, goditet nga njeriu më i ulët me idetë më të errëta - Përpiqu të bëhesh i lartë, megjithatë" si dhe "Në qoftë se mendon ndryshe, mund të kritikohesh nga të tjerët - Përpiqu të mendosh ndryshe, megjithatë". Mundësinë më të madhe të prejardhjes ato vargje duket se e kanë pikërisht nga kjo fe, por Nënë Tereza u dha atyre një përhapje dhe njohje universale.

Në vitin 1966 një nga udhëheqësit kryesor të studentëve amerikanë, Kent Keith, shkroi një pamflet për udhëheqës të tjerë të studentëve të asaj kohe të cilin e quajti "Revolucioni i qetë". Në këtë pamflet u paraqitën disa maksima që u quajtën "Urdhëresa paradoksale ". Janë gati të njëjta me ato të Nënë Terezës. Në vitin 2001 ato u riparaqitën në librin e tij "Urdhëresa paradoksale: të gjeturit e kuptimit personal në një botë të çmendur ". Në këtë libër tetë mendime janë si të Nënë Terezës, një është personal dhe një është si ai i fesë Xhain.

Fillimisht Nënë Tereza ato vargje i kishte vendosur në një mur të shtëpisë së të vegjëlve jetimë, Shishu Bhaven, në Kalkuta, por sot ato vargje gjenden të vendosura kudo nëpër botë: në mure, në zyra, në dyer frigoriferi, në dollapë, kudo. Ndikimi i tyre në edukimin moral të njerëzve, duket se është shumë i fuqishëm. Uein Daier (Waine Dyer) i quan ato vargje " "Plani me tetë pika për dendotizim" i Nënë Terezës.
Më poshtë është poemthi i Nënë Terezës, "MEGJITHATË`"

MEGJITHATË

Njerëzit janë të paarsyeshëm, të palogjikë dhe egoistë Duai ata, MEGJITHATË

Kur bën mirë, të tjerët të akuzojnë se nise nga egoizmi Bëj mirë, MEGJITHATË
Në sukses fiton miq të rremë dhe armiq të vërtetë Përparo, MEGJITHATË

Të mirën që bën sot, do të ta harrojnë nesër
Bëj mirë, MEGJITHATË

Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë
Ji i ndershëm dhe i sinqertë, MEGJITHATË

Atë që ndërton me vite, mund të ta shkatërrojnë brenda natës
Ndërto, MEGJITHATË

Njerëzit duan ndihmë, por mund të të godasin, po t'i ndihmosh
Ndihmoi njerëzit, MEGJITHATË

Jepi botës më të mirën që ke dhe ajo do të të thyejë dhëmbët
Jepi botës më të mirën që ke, MEGJITHATË

Nuk duhet që Nënë Tereza të na shërbejë vetëm si një zbukurim të cilin e demonstrojmë sa herë që duam t'u tregojmë të huajve se ajo është jona. Ajo duhet bërë pjesë e kulturës dhe shpirtit tonë. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur nga indiferenca jonë, Nënë Terezën na i marrin të tjerët. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur harrojmë t'i përkujtojmë asaj ditëlindjen apo përvjetorin e vdekjes. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur kujtohemi që asaj nuk i është ngritur një bust a një përmendore për të qenë, ashtu siç e meriton, në atdheun e saj, në Shqipëri, pikërisht sepse ai vend u tregua aq i padrejtë dhe aq mizor ndaj saj.
Nuk di nëse mendimet e Nënë Terezës, apo moralistëve dhe humanistëve të tjerë të ngjashëm me të, mësohen apo jo në shkollat tona, por, në qoftë se nuk mësohen, apo nuk mësohen siç duhet, aty duhen kërkuar edhe rrënjët e një pjese të shkaqeve të gjendjes së mjeruar morale të popullit tonë sot.
Nënë Tereza dhe moralistët dhe humanistët e tjerë, të cilët nuk janë vetëm shpirtra të mëdhenj, por edhe mendje të ndritura, duhen futur urgjentisht kudo: në kopshte fëmijësh, në shkolla, në universitete, në spitale, në burgje, në gjykata, në politikë, në pushtet, në ministri, në kryeministri e kudo. Dhe, po të bëhet kjo, me siguri Shqipëria do të ndryshojë dhe do të ndryshojë për mirë; po qe se s'bëhet kjo, të tjerat janë formalitete të karakterit hipokrit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.