Rrogat e magjistratëve/Republikë parlamentare apo republikë gjyqësore?

Postuar në 04 Shtator, 2016 07:47

Gazmend Oketa, një nga drejtuesit e Frymës së Re Demokratike dhe ish-ministër në qeverinë e Sali Berishës ka dhënë sot një intervistë “Gazeta Shqiptare” ku ndërntë tjera përcjell edhe disa komente për reformën në drejtësi. Duke qenë se politika i mohoi qytetarëve një debat real mbi reformën, për t’u zhytur e gjitha në manovrat për përfitim, një vlerësim në distancë ka rëndësinë e vet. Dhe probleme kjo reformë ka jo pak.

“Nuk besoj se kjo reformë do të sjellë një ndryshim aq të madh sa propagandohet në raportin që politika ka me drejtësinë, por edhe në raportin që shoqëria shqiptare ka me politikën dhe institucionet e shtetit. Sot theksi në deklarimet politike vihet te fakti se nga kjo reformë rrezikojnë të shkojnë në burg disa politikanë të niveleve të larta, dhe këtu nuk kam asnjë kundërshtim që drejtësia të funksionojë edhe për ata, por pak dëgjohet të flitet nëse kjo reformë për shembull do të sjellë ndonjë zhvillim të ri në zgjidhjen sa më shpejt dhe sa më drejt të çështjeve që kanë të bëjnë me pronën. Nga ana tjetër, diskutimi për trajtim financiar të punonjësve të sistemit të drejtësisë në raporte disi të zhbalancuara qoftë me institucionet e tjera, por edhe me profesione të tjera, nuk besoj se është garancia se drejtësia do të funksionojë plotësisht. Duket sikur nga një republikë parlamentare, po kalojmë në një republikë gjyqësore, duke krijuar ndoshta përsëri një sistem të zhbalancuar. Nga ana tjetër, njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme, për pengimin e ecurisë normale të punës së këtij institucioni, deri në miratimin e paketës së plotë të reformës në drejtësi, tregon se ka ende shumë punë për të bërë. Megjithatë një reforme kaq të rëndësishme duhet t’i lihet kohë për të parë realisht efektet e saj”, thotë Oketa. Janë probleme që po vihen re pas kalimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese e që duhet të ishin debatuar dhe analizuar me kohë.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.