Alibitë dhe dështimet që çuan në largimin e Haxhinastos

Postuar në 02 Shtator, 2016 13:09

Kryeministria konfirmoi edhe zyrtarisht largimin nga detyra të ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, me anë të një njoftimi të shkurtër ku, lëvizja në fjalë u prezantua si dorëheqje. Në tekstin e shkurtër të përcjellë nga zyra për shtyp e qeverisë thuhet se "Ministri Haxhinasto i ka paraqitur sot Kryeministrit dorëheqjen e tij nga detyra, për shkak të angazhimit të mëtejshëm në parti. Kryeministri e ka falenderuar ministrin e infrastrukturës e transporteve për punën e bërë në krye të dikasterit, kontributin e tij aktiv në skuadrën qeveritare dhe bashkëpunimin shumë të mirë më të.". Përtej këtij sqarimi publik ka ardhur edhe reagimi i LSI-së që e ka argumentuar largimin e Haxhinastos me angazhimin e tij në hartimin e programit elektoral të LSI-së duke lajmëruar edhe emërimin e Sokold Dervishit si ministër. Në çdo rrethanë zëvendësimi i Haxhinastos do të ishte i motivuar.

Dështimi i negociatave me kinezët për Rrugën e Arbrit mbetet përgjegjësi e tij, po ashtu marrëveshja e dështuar me konçesionarin e Rinasit ka për autor ministrin e Transporteve. Për Rrugën e Arbrit PD thotë se Haxhinasto ka kërkuar rryshfet jo të vogël. "E gjetën gati projektin për Rrugën së Arbrit. Tani po u vjen fundi dhe nuk kanë guximin të vijnë t’u thonë dibranëve të vërtetën. E gjitha bota e ka marrë vesh që është prish me bankën kineze për shkak se kanë kërkuar ryshfet 40 milionë euro për të ndërtuar tunelin, prandaj nuk u ndërtu tuneli. Kjo është një mundësi për t’i treguar kësaj qeverie me votë se dibranët në emër të gjithë shqiptarëve i thonë jo kësaj politike të mashtrimit, të poshtërimit, të sh’punësimit,” tha Basha në një takim me banorë tëPeshkopisë. Dështimi në përfundimin e Rrugës Tiranë-Elbasan, sërish ngarkon me përgjegjësi të njëjtin ministër dhe së fundmi rritja e primit të sigurimit të automjeteve nxori zbuluar Ministrinë e Transporteve si rregullator. Ndaj dhe largimi i Haxhinastos nuk është suprizë, surprizë ishte qëndrimi i tij kaq gjatë në detyrë.

Comments

Submitted by Leonida i SPARTES (not verified) on

BESOJ SE CESHTJA "BANKERS" ESHTE PROBLEMI.
KOHA DO E VERTETOJE

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.