Shteti që vret dhe parajsa e të çmendurve
Gushti i këtij viti do mbahet mend për kanibalizmin e pashoq ndaj 12 vjeçarit Andrea Zani në Palasë, koka e të cilit u shëtit në fshat për më shumë se 2 orë nga xhaxhai i tij, i sëmurë mendor. Është nga ato ngjarje që të lë pa fjalë dhe që ngre pikëpyetje shumë serioze lidhur me aftësitë tona humane për të bashkëjetuar me garancitë që të jep një shtet si ky i yni.
Janë një sërë ngjarjesh ku papërgjegjshmëria kriminale e strukturave shtetërore nuk fshihet, sado me heshtje të shoqërohen krime të tilla nga shumëpunët që gumëzhijnë në facebook për çdo “lyerje” fasadash e rilindje urbane. Në raste të tilla bëhen memecë, nuk flasin, sepse shteti që drejtojnë prodhon viktima, dhe nuk kursen as vrasjet e fëmijëve në format më barbare. Janë njerëz që kanë fituar të drejtën ose “konkursin siç quhet në gjuhën e pushtetit” për të mbajtur të veshur uniformën e shtetit si shpërblim për besnikërinë ndaj partisë, por që në fakt janë bashkëautorë në ngjarjet kriminale që kanë ndodhur.
Përgjegjësia nuk është vetëm e tyre, por shkon edhe më lart në majën e piramidës shtetërore, atje ku arroganca dhe gjithëdija janë në funksion të “frontit të së mirës” që udhëhiqet nga shtatlartësia që quhet kryeministër.
Çfarë ngjarje tjetër mund të parandalojë një inspektor i specializuar i policisë për zonën që mbulon nëse nuk i kufizon lirinë një “psikopati” që ka fituar famë në fshat për bëmat e tij çnjerëzore? Apo siç ndodh rëndom kush është i shtetit dredh zinxhirin deri sa të mbyllet orari zyrtar, duke ardhur vërdallë sa andej këndej për të raportuar ndonjë vjedhje të energjisë, apo duke bërë një sy qorr e një vesh shurdh për të mbjellat e sivjetshme.
E kujt është përgjegjësia që një i sëmurë psiqik me rrezikshmëri të lartë shoqërore livadhiste i lirë përveçse e policisë së shtetit dhe autoriteteve spitalore që lejuan monstrën të shijonte çmendurinë e tij deri në ekzekutimin barbar alla ISIS të djaloshit 12 vjeçar?
Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas masakrimit me skaf të turistit rus në Himarë, ku shteti hoqi sërish “bythën mënjanë”, duke luajtur ping-pongun e neveritshëm mes policisë dhe pushtetit lokal dhe duke dhënë vetëm 20 ditë arrest me burg për biznesmenin skafist, për ta liruar këtë të enjte pasi nuk gjeti prova.
Pak muaj më parë 3 fëmijë vdiqën në Kavajë pasi barrierat metalike të autostradës ishin ndëprerë për të favorizuar daljen në rrugë të një karburanti, biznesmen dhe ish-deputet i Partisë Socialiste. Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk zbatoi vendimin e Gjykatës për mbylljen e barrierave anësore, llamarina e të cilave preu në mes trupat e fëmijëve. Akoma më tragjik është fakti se çështja u mbyll me ndërmjetësimin e shtetit dhe ca para në dorë nga njerëzit e Haxhinastos për babain që bëri pazar me shpirtin e fëmijëve të tij.
Add new comment