Kina, ambicie superfuqie edhe në fushën e IT. Plani 10 – vjeçar: 5.7 trilion dollarë konsum, shërbim interneti për 350 milionë njerëz më shumë
Qeveria kineze ka bërë të njohur së fundmi planin e saj dhjetëvjeçar në fushën e Teknologjisë së Internetit. Këshilli Shtetëror dhe Komiteti Qendror i Partisë Komuniste kanë zyrtarizuar draftin për strategjinë kombëtare të IT-së, që do të drejtojë politikën e qeverisë kineze në dekadën e ardhshme. Revista “The Diplomat”, e cila përqendrohet në çështjet e Azisë, informon se Pekini zyrtar e sheh zhvillimin e këtij sektori si një nga prioritetet kryesore dhe në strategjinë e sipërcituar kjo theksohet qartë: Kina synon të fuqizojë dhe sponsorizojë sektorët e IT në vend në mënyrë thelbësore, paralel me mbështetjen e kompanive kineze që konkurojnë në rrafsh global. Teknikisht strategjia synon imponimin e vendit si superfuqi teknologjike dhe dixhitale që përkthehet në ekonomi më e përshtatshme me atë ku po shkon sot bota. Dokumenti emfatizon parimin e vet që është edhe kusht i panegociueshëm për zhvillimin e sotshëm: pa zhvillimin e IT-së nuk ka modernizim. Dhe qeveria kineze bie dakord në këtë drejtim se pa investime thelbësore në këtë sektor vendi nuk do të mund të kalojë në atë që quhet “faza tjetër e zhvillimit ekonomik”.
Objektivat listohen disa: deri në vitin 2020 Kina pretendon që të ketë zhvilluar teknologjitë themelore, përfshirë qarqet e integruar dhe shërbimet softuerike në shkallë të gjerë sa për t’u konsideruar mes më të mirëve në botë. Po kështu Pekini zyrtar angazhohet që t’u ofrojë shërbim dhe akses interneti për 350 milionë njerëz të tjerë dhe të shtrijë më tej shërbimet 3G dhe 4 G në vend.
Deri në vitin 2025 Kina pretendon të ketë ndërtuar një rrjet komunkimi celular që do të jetë konkurues me rrjetet ekzsitues më të fuqishëm në botë.
Konsumi i këtyre shërbimeve dhe produkteve në terma monetarë është i jashtëzakonshëm: 5.7 trilion dollarë në vitin 2020.
Shifrat dhe ambiciet mund të duken të ekzagjeruara, por revista vëren se qeveria kineze ka kuptuar dhe po e hap qesen për ta parë sektorinai strategjik dhe me prirjen për të ndryshuar bazat ekonomike në vend. Në vitin 2014 Pekini akordoi 21.3 miliardë dollarë për Fondin e Investimeve për Qarqet e Integruara, duke sinjalizuar se gara në këtë fushë është hapur dhe aty pritet të vërshojnë shumë herë më tepër para sesa aktualisht.
(http://thediplomat.com/2016/08/chinas-master-plan-for-it-dominance/).
Nuk mund t’i hiqet këtij orientimi edhe aspekti ushtarak. Në një raport të muajit të kaluar të “Rand Corporation”, porositur nga qeveria amerikane, shqyrtoheshin opsionet e një lufte Kinë-ShBA. Raporti nënvizonte se diferencat teknologjike po zhduken me shpejtësi dhe se strategjia kineze për të të fuqizuar zonat e mbyllura me mbrojtje ajrore, hedhin dritë për kapacitetet e reja të këtij vendi. Por më shumë rëndësi ka rritja ekonomike që shihet në këtë drejtim dhe kjo konfirmon faktin se komunistët në kinë janë shumë racionalë dhe të hapur për të bërë ndryshimet e duhura.
Add new comment