Prishja e kontratave me HEC–et, investitorët refuzojnë të firmosin me OSHEE-në

Postuar në 12 Gusht, 2016 10:52

Qeveria shqiptare duket se do të ketë një tjetër përballje ligjore me investitorët vendas e të huaj. Një VKM e qeverisë  që i detyron konçesionarët në fushën e energjisë së rinovueshme që të prishin kontratat e lidhura me KESH sh.a dhe të nënshkruajnë një kontratë të re me OSHEE kanë ngjallur reagimin e ashpër të Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinoveshme.

Investitorët  thonë se kjo kontratë e re me OSHEE i bën ata jo vetëm që të pranojnë trajtimin në kushte të reja të investimeve të tyre, por edhe nënshtrimin ndaj një modeli tregu të aprovuar së fundi me një VKM, ku prodhuesit nuk trajtohen më si të tillë, por vetëm si tregtarë. “Investitorët, sipas kontratave ekzistuese, kanë rolin e prodhuesit të energjisë, për ta hedhur atë në sistemin e shpërndarjes, me blerje të garantuar nga KESH sh.a për të plotësuar nevojat e popullsisë me energji elektrike. Kontrata e miratuar nga ERE në mënyrë të njënashme ua heq atyre këto të drejta dhe u jep rolin e tregtarëve të energjisë”-thuhet në deklaratë.

Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinoveshme akoma më skandaloz është  fakti  se qeveria u kërkon investitorëve shqiptarë e të huaj të nënshkruajnë një kontratë në të cilën përcaktohet se ata janë dakord me një ligj, i cili është në proces draftimi dhe deri me tani askush nuk ka pasqyruar interesat e grupit të tyre të interesit në këtë draft - ligj.

Ja si shprehet qeveria për këtë ndryshim “Qeveria e Shqipërisë do të ofrojë skemat mbështetëse, në përputhje me aquis  përkatëse të Komunitetit Energjisë, në formën e kontratave për direfencë (CFDs) për prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike dhe furnizuesit e energjisë së rinovueshme, për të zëvendësuar marrëveshjen e tyre aktuale për blerje të energjisë, duke i lejuara ata të bëhen Palë Përgjegjëse Balancuese (PPB), sipas modelit të tregut. Çdo ndryshim në skemën mbështetëse do të paracaktohet në ligjin për burimet e rinovueshme”.  Investitorët e HEC-eve thonë se duke nisur nga ky muaj, OSHEE nuk pranon të faturojë energjinë e prodhur, duke shkelur hapur ligjin, megjithëse energjinë e prodhuar nga HEC –et e vegjël OSHEE e ka shitur tek konsumatori final.

“AREA konsideron se mos respektimi i kontratave koncensionare do jetë një kosto për ekonominë  shqiptare, pasi investitorët e huaj dhe shqiptarë u janë drejtuar rrugëve ligjore për zgjidhjen e situatës absurde të krijuar, që u shkel atyre të drejtat e fituara më parë me ligj”-theksohet më tej në deklaratë

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.