Drejtësi apo polici gjyqësore në duar të të huajve? Shërbimet “partnere” do të verifikojnë kandidatët për gjyqtar dhe prokuror!!!
Tallja e madhe me reformën në drejtësi duket se po ndodh edhe pa vetëdijen e atyre që mendojnë se po shkruajnë ndonjë ligj. Draftet që po zbardhen dita –ditës zbulojnë se kriteret për emërimin në pozicionin e gjyqtarit dhe prokurorit, po rrëshqasin nga referimi kushtetues drejt të huajve, të cilët me gjasë do ta kenë sistemin e drejtësisë në Shqipëri një lloj policie në kufijtë e Bashkimit Europian. Ky konkluzion nxirret kur sheh draftin për pastërtinë e figurës që publikohet sot nga “shqiptarja.com”, gazeta në pronësi të italianit Carlo Bollino. Në kokë të lajmit është entuziazmi se spiunët, apo bashkëpunëtorët e shërbimeve të huaja nuk do të kenë mundësi për t’u zgjedhur në këto pozicione. Shkruan gazeta e Bollinos:
“Bashkëpunëtorët e shërbimeve të huaja jo partnere nuk do të jenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë. Armata e prokurorëve dhe gjyqtarëve, përfshirë edhe kandidatët që shprehin ambicien për t’u bërë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë, do t’i nënshtrohen verifikimit për lidhje me shërbimet e huaja, sidomos me UDB e ish-Jugosllavisë dhe shërbimet ruse. Fillimisht, kriteri ndalues u vendos vetëm për kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, por më pas, kushti është shtrirë për të gjithë kandidatët që synojnë të bëhen pjesë e drejtësisë së re, duke nisur që tek aplikantët për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës. Aplikantët do të hetohen njëherësh nëse kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtor ose të favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990 si dhe nëse kanë qenë ose janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të huaja”(http://shqiptarja.com/Politike/2732/spiun-t-e-udb-jasht--drejt-sis--shis...).
Siç shihet përralla me sigurim dhe UDB, në një shtet si Shqipëria e cila aderon në NATO, vazhdon po njësoj si në vitet ’90. E shton grotesken këtu fakti se votën për këto lloj ligjesh që bëhen për vende –koloni si Shqipëria i miratojnë deputetë që akuzohen se kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, apo edhe kanë mbajtur funksione politike në institucionet apo aparatin represiv të para ’90-ës.
Por këta nuk janë problemi, sepse ata që bashkëpunuan me një krah, bashkëpunojnë edhe me tjetrin. Problemi është ajo që nxjerr kokë te shkrimi i gazetës së Bollinos, te borderoja e sotme e bashkëpuntorëve të rinj, të cilët do të verifikohen nga shërbimet e huaja, që zhdoganohen me etikerën: Partnere.
“Për verifikimin e aplikantëve do të bashkëpunojnë një sërë institucionesh vendase dhe të huaja. Projektligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit parashikon që për të shkuarën e kandidatëve do të japin informacion shërbimet shtetërore informative, kryesisht SHISH, Byroja Kombëtare e Hetimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, organet e administratës tatimore dhe doganore si dhe çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës së aplikantit. Organet do të përgatisin një raport për çdo aplikant. Ndërkaq, institucionet shqiptare do të bashkëpunojnë me shërbimet partnere, sidomos me ato amerikane, franceze, gjermane dhe italiane, sikundër parashikohet në ligjet e tjera prioritare, për zbatimin e Reformës në Drejtësi”, shkruhet në tekstin “e eksituar” të gazetës në fjalë.
Është e natyrshme të pyetet se kush është ai shërbim partner që ndan bashkëpunëtorët e vet për t’i likujduar nga depërtimi në vendimmarrjen e një vendi ku ka interesa të caktuara? Pra pse vallë italianët do të deklarojnë se iks kandidat është bashkëpunëtor i tyre, ndaj duhet eliminuar? Dhe më tej: si do të rregullohet në ligj që bashkëpunimi me shërbimet partnere të imunizon nga skualifikimi, përkundrejt bashkëpunimit me shërbime jo partenere? Pra si do të zbatohet ky ligj kur praktika që sugjerohet e përjashton vetiu zbatimin korrekt të tij.
Për çfarë na duhen atëherë ShISh dhe institucione të tjera?
Që kjo reformë në drejtësi edhe në nivel legjislativ u bë qesharake këtë e provoi edhe ngërçi me afatet për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Dhe se këta ekspertë që firmosin këto lloj brroçkullash me të cilat tallet çdo njeri normal, janë aty vetëm për të marrë karrigen e vet, të premtuar nga e majta, partnerët, apo shokët e partenerëve, nga ata që kanë mundësuar lloj lloj kualifikimesh, edhe kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar. Është po ajo ngjyrë eksertësh e barazvlefshme me gazetarinë e gazetës së Bollinos që zbulon tek paragrafi që përjashton bashkëpunëtorët e shërbimeve të huaja, se armiqtë janë ata që nuk janë miq të amerikanëve, francezëeve, gjermanvëe dhe italianëve. Kjo nuk është reformë në drejtësi, por thjesht një kapje e drejtësisë nga të huajt çka do të thotë se Rilindja është kapitullim intelektual dhe politik i paprecedentë, me siguri në këmbim të licencës për zullume gjithfarëshe si ato koncesionet dhe projektet që dalin përdotë nga xhepi virtual i kryeministrit dhe shokëve të tij.
Add new comment