Paska ndasi ideologjike në koalicionin qeverisës!!! Meta: “Shmanga revolucionin kulturor në drejtësi”
U publikua me copëza dhe pas dy ditësh doli në dritë e plotë. Është fjala për intervistën e kreut të LSI-së për revistën “Mapo”, përmes së cilës Ilir Meta ka sqaruar se pse bëri deklarimin për qeveri teknike, të cilën mandej e mohoi tre herë “që pa u gdhirë”. Në një nga pyetjet e bëra, Meta ka deklaruar se propozimi në fakt synonte neutralizimin e shantazhit.
“Ndjeva se kishte një përpjekje për ta konceptuar procesin si një revolucion kulturor në drejtësi. Gjykoj se gabimi më tragjik i Enver Hoxhës në politikën e jashtme ishte pikërisht pse mori anën e revolucionit kulturor dhe jo atë të reformatorëve. Shqiptarët e njohin këtë revolucion dhe më kuptojnë mjaft mirë kur them që dhe ky proces po konceptohej si i tillë ndërsa po përdorej populizmi, presionet, shantazhet, provokimet… Nuk po analizohej se si do t’i zgjidhte në të vërtetë problemet kjo reformë. Diskutohej vetëm kush është pro e kush kundër por asnjëherë rruga që do të garantonte një reformë të sigurtë që nuk do të dështonte”, tha ai.
Mund të pyetet se kush ishte në anën e revolucionit kulturor në drejtësi dhe nëse i hamendësojmë ata, pse vallë reformatori Ilir Meta, që pretendon pra ndasi ideologjike me partnerin e tij në qeverisje, vijon të qëndrojë me të? Megjithatë është befasi e këndshme për të gjithë që fërkimet nuk kanë të bëjnë me ndonjë tender, apo koncesion, por për të ardhmen e shqiptarëve.
Add new comment