PS në negociata me PDIU-në për bashkinë e Dibrës
Zgjedhjet e parakohshme në Dibër janë një bast jo i vogël elektoral për Partinë Socialiste, jo vetëm për të përmirësuar imazhin e dëmtuar të Rilindjes nga pelivanllëqet e Shukri Xhelilit, por edhe një test para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Socialistët nuk do ta kenë të lehtë të rifitojnë bashkinë e Dibrës, jo vetëm se është një bashki që ka votuar djathtas, por në këtë betejë nuk do këtë në krah as LSI-në, marrëdhëniet me të cilën janë në pikën më të dobët, pavarësisht pazarit për të qëndruar bashkë deri në fund të mandatit. Në lojë për bashkinë e Dibrës është futur aleati më i ri i socialistëve, PDIU e Shpëtim Idrizit. Burime thanë për Republika se kordinatori i Qarkut të Dibrës Damian Gjiknuri është duke negociuar me drejtues të PDIU-së për bashkinë e Dibrës. PS mund ta tolerojë një fushë beteje për Shpëtim Idrizin në një terren të humbur si ai i bashkisë së Dibrës, duke mos humbur praktikisht asgjë. E vetmja sinergji që mund të favorizojë një fitore të PS në këtë bashki është përçarja e PD në Dibër, ku vështirë se do dilet me një kandidat konsensual.
Add new comment