Rasti i mrekullishëm kovaliovik
Nikollaj V. Gogol ka qenë ndoshta nën mbërthimin e fare pak prej frutit të skizofrenisë kur shkroi tregimin “Hunda”, ose i shtrënguar vetmevete për të qenë shkrimtari më i mrekullueshëm që Rusia mund të piqte prej pemës së saj. Një shkëputje nga realiteti apo një tallje në trajtën e një soditjeje letrare? Ç’mëton të jetë “Hunda”? Një proverb arab thotë se, “Hunda mbetet një pjesë e jotja, edhe në qoftë se të është prerë”, por ja që në tregimin tonë kjo hundë nuk është prerë; kjo hundë ka mbathur këpucët dhe ka ikur, po po, ka ikur vet. E përse vallë? Ndoshta lipset të kujtojmë se çfarë ka ngjarë.Gjithka fillon atë mëngjes të 25 Marsit në Peterburg, kur “Berberi Ivan Jakovleviç […] u zgjua mjaft herët dhe ndjeu një aromë buke taze”. Dhe ky kopuk berber, sherrxhi edhe me të shoqen, zgjedh mes kafes së mëngjesit dhe bukës së ngrohtë me qepë, këtë të fundit. “Si njeri me edukatë, Ivan Jakovleviçi veshi frakun mbi këmishë, ndenji në tryezë, vuri krypsen përpara, pregatiti dy kokrra qepë, mori thikën në dorë dhe, hijerëndë, zuri të presë bukën”. Ja ku nis edhe filli i çudisë sonë letrare, “Kur e preu më dysh, pa në mes i çuditur diçka të zbardhylët”. I gjori berber, imagjinojeni duke e ngarë, atë gjënë, pak me thikë, si kundrejt diçkaje të panjohur që ke frikë se mos të bën gjëmën nga çasti në çast, e prek me gishtrinj për t’u siguruar që nuk është e gjallë dhe, mbani vesh!, pasi pyet veten ç’dreq gjëje i ka rastisur brenda bukës së tij, “Futi gishtrinjtë dhe nxorri një… hundë!”. Kemi të bëjmë me një rrëfim të mrekullishëm, pararendës i absurdit me të cilin hyri në lojë Kafka tek brumbulli i tij Samsa. Po vallë ç’kërkon një hundë brenda bukës? Sa gjasa ka që një hundë të përfundoj në tulet e një buke të sapopjekur? Rasti e kërkon të besohet se ajo është vendosur që kur buka ishte ende brum i ardhur, të cilit bukëpjekësi apo bukëpjekësja, para se ta ngjishte edhe një herë për t’i dhënë formën, i ka vendosur brenda këtë hundë. Apo mos vallë i gjithi është faj i hundës? Do të shohim pak më poshtë se kjo hundë është harrakate, pasi ia ka mbathur vet. Kësisoj është hunda ajo mbi të cilën bie përgjegjësia e të qëndruarit brenda një buke. Dhe ja ku na shfaqet një element artistik i gjetur, i cili, duke u lënë në mungesë të sqarimeve përkatëse (Si u ndodh hunda në bukë, Kush e vendosi aty brenda, etj), shndërrohet në një vlerë letrare që merr trajta komike dhe groteske.
Është një nxitje ndaj asaj kategorie lexuesish të cilën nuk mund të rrinë pa u ushqyer me përgjigje, qofshin këto të mbramet nga më të komplikuarat. Kjo mënyrë rrëfimi e Gogolit është ndoshta forma ku të tjerë shkrimtarë u janë rikthyer për ta përpunuar. Ajo çka rreket të bëjë Ivan Jakovleviçi është ta heqë qafe sa më parë këtë objekt të vyer letrar, pra, këtë hundë, për të shpëtuar nga po ato pikëpyetje të cilat u mbijnë në krye edhe lexuesit të kësaj historie.Marcel Proust shkruan, “[…] fatkeqësisht, nëse sytë janë me raste organi prej së cilit shfaqet inteligjenca, […] hunda, në përgjithësi, është organi ku budallallëku shprehet më me lehtësi”. Në pjesën e dytë të këtij tregimi të shkurtër përshëndoshemi edhe me personazhin të cilit i përket kjo hundë, Asesori i kolegjit Platon Kovaliov, i cilin për lehtësi të kësaj esseje do të përmendet në vazhdim si Majori Kovaliov. Majori Kovaliov zgjohet herët në mëngjes dhe urdhëron t’i sjellin pasqyrën për të parë një puçër që i kish mbirë në hundë, ashtu siç mund t’i ndodhë çdokujt në botë. Por, si mundet ta kqyrë puçrën kur hunda e tij nuk gjendet dhe e ka marrë atë me vete? Gogoli e rrëfen këtë moment me fare pak tension, pa dramatizim. Rrëfimi është i qetë kur ai e vendos Kovaliovin përpara një fakti të pakundërshtueshëm, a thua se bëhet fjalë për humbjen e një ore apo të një unaze. Është një hundë, dhe po me kaq qetësi rrëfimore Gogoli na pohon se majori u tremb, edhe pse i mbetet lexuesit në dorë të hamendësoj tronditjen e këtij të fundit, “Asesori i kolegjit Kovaliov brofi i tmerruar nga shtrati: s’kish më hundë!…”. Si çdo krishterë i mirë dhe me mend në krye, majori Kovaliov vishet dhe del fishek prej banesës së tij në kërkim të hundës.Po kush është ky majori Kovaliov? Është një njeri me gradën e asesorit të kolegjit, i fabrikuar në Kaukaz (siç na zbulon Gogoli), por që, për t’u dukur më hijerëndë dhe më fisnik, e mbante veten për major.
Një farë pehlivanin ndaj femrave të bukura, i veshur me sqimë dhe i bardhë në pastërti, me një palë favorite të bukura dhe më qëllimin për të arritur një post më të lartë; në mos nën-guvernator, së paku le të bëhej ekzekutor. Me kaq pak të dhëna mbi personin e majorit Kovaliov, mund të kuptojmë fare mirë përse Gogoli ka zgjedhur t’i shkëpusë hundën këtij njeriu dhe ta lërë t’i ikë tutje-tëhu nëpër Peterburg. Nuk është as më shumë dhe as më pak sesa një e dhënë mbi gjendjen shpirtërore dhe shoqërore të personazhit tonë. Një njeri jo fort i ngritur i cili mëton një jetë më të lartë, fisnike, aq sa të krijoj, pavetëdijshëm, një ndarje të brendshme të personalitetit të tij. Ikja e hundës nuk shpreh veçse një copëzim të atij identiteti që majori Kovaliov mendon se ka, duke krijuar një hendek mes të ndërgjegjshmes dhe së pandërgjegjshmes. Ndoshta vlen të mendohet se Gogoli ka zgjedhur t’i heq hundën këtij njeriu për t’i ulur hundën. Në vendet arabe hunda është simbol nderi dhe njerëzit thonë «akser anfak», pra, «thyefsh hundën», kur duan të poshtërojnë dikë.
Nëpërmjet këtij tregimi, Gogoli shpreh po atë dëshirë për të poshtëruar – ose thënë më mirë për t’i ulur hundën – disa elementë borgjezë dhe dëshirat meskine për pushtet. Dhe këtë e gjen nëpërmjet prodhimit të një personazhi si majori Kovaliov. Por çfarë bën për t’i dhënë përmasa edhe më fantastike? I jep hundës pavarësi, zgjedhje për të arritur dhe përvetësuar ato çka personazhi vet s’ka mundur ende. Majori Kovaliov është duke u kuturuar kur “Befas u ndal i shtangur të dera e një shtëpie; përpara tij po ngjiste një ngjarje që nuk e shpjegonte dot; te hyrja e shtëpisë u ndal një pajton; dera e pajtonit u hap dhe doli duke u përkulur një zotëri i veshur me një uniform parade, që ngjiti shkallët. Kovaliovi u tremb dhe u habit shumë kur njohu se ky personazh ish hunda e vet!”. E mrekullueshme. Një metamorfozë që do na bëj mos ta harrojmë aq kollaj një shkrimtar përmasash të tilla. “[…] Zoti Hyj i lëshoi njeriut një gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxorri një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish. Zoti Hyj e përftoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu”. Kurse Zoti i rrëfimit tonë, Zoti i çdo rrëfimi letrar është shkrimtari vet. Nikollaj Gogol e kishte vënë në gjumë letrar majorin tonë (një gjumë që na e kurseu së rrëfyeri). Gogoli pushoi shikimin e tij mbi Kovaliovin dhe i shkëputi prej trupit hundën, e mori dhe i dha frymë, ashtu si Zoti brinjës së Adamit. Je e lirë të shkosh ku të dëshirosh! Dhe kjo hundë, ashtu si të gjithë elementët që shkëputen prej njeriut dhe prishin çdo rend – si Eva arriti me Edenin –, arrin të ketë më shumë fuqi sesa vet Kovaliovi: “Pas kapelës dhe trumbës së puplave që kish në kapelë e mori me mënd se kjo hundë kish gradën e këshilltarit të shtetit”.
Afërmendsh që e vetmja gjë në të cilën mund të zhutet i dashuri ynë majori Kovaliov është pellgu i një habie të bardhë, të pashpjegim. Hunda është ajo çka ai nuk mund të jetë, jeton nën grada të cilat ai s’mund t’i arrijë kurrë në jetë, dhe kuturiset nëpër Peterburg mbi një pajton fort të hijshëm. Gogoli ka krijuar një njeri të dytë nëpërmjet organit të një njeriu, për të vënë në dukje mosbarazinë mes fizikes dhe shpirtërores tek majori Kovaliov. Një shprehje artistike e kësaj kleçke midis dy gjendjeve nëpërmjet një organi kaq kritik dhe me përmasa tanimë groteske. Hunda përfaqëson shpirtëroren, pjatën tjetër të peshores së majorit Kovaliov, dhe kjo vjen fill në rrëfimin tonë: Hunda e ndali pajtoninn përpara katedrales së Kazanit, majori Kovaliov nxitoi dhe e arriti në katedrale. “Kovaliovi e ndjeu veten kaq të tronditur sa që nuk ish në gjëndje të falej, dhe kërkoi me sy cep më cep atë zotërinë e karrocës. Më në fund e pa që rrinte pak si mënjanë. Hunda e kish fshehur tërë fytyrën në jakën e fortë dhe po falej me përvujtmëri të madhe”: pra, kemi një hundë që duket se i ka vënë qëllim vetes të plotësoj atë çfarë majori Kovaliov ka të mangët – shpirtëroren. Para këtij fakti, Gogoli na paraqet një dialog të cilin s’do mund ta hasim më në historinë e letërsisë, atë ku vetja i drejtohej një ish-pjese të vetes, për t’i këkuar rikthimin tek e tëra. Majori Kovaliov i afrohet Hundës së tij dhe nis të belbëzojë një kërkesë që i kalon caqet e talljes dhe humorit – “Natyrisht unë… jam major. Nuk mund të rri pa hundë, merreni vetë me mënd, s’ka lezet. […] Gjykojeni vetë… […] I nderuar zotëri… […] Me sa duket puna është fare e qartë… apo dëshironi… Ju jini hunda ime!”
Një fije tjetër dyshimi më lind mua, që më bën të prodhoj këtë pyetje: Po sikur hunda të ish një varfanjak rreckaman, a do t’i lutej majori Kovaliov që të rikthehej tek ai? Sigurisht që ai fiton nëse hunda e tij, tanimë një këshilltar shteti, të kthehej tek ai, ndoshta duke logjikuar se grada e hundës do t’i mbivendosej personit të tij. Le të mos harrojmë se përmendëm se çfarë qëllimesh kishte ky njeri, dhe se çfarë pehlivani ishte me femrat, dhe se gjithçka e dëshironte për të arritur një mirëqenie dhe një pozitë të lartë shoqërore, pas së cilës do pasohen fitore të tjera institucionale dhe dashurore. E si mund t’i arrij këto një njeri i cili nuk ka hundë? Mungesa e hundës bën që t’i stepen njerëzit bashkë me të mirat e sipërpërmendura. Në fiset tribal të Azisë, vajzave që ishin shumë të bukura u bënin një tatuazh në hundë. Shëmtimi i hundës nëpërmjet tatuazheve, i mbronte këto bukuroshe ndaj rrëmbimit të pashmangshëm prej ndonjë mëtuesi të torolisur nga hiret e saj. Mungesa e hundës tek majori Kovaliov paraqet gjithaq një shëmtim, ndoshta i një përmase më të madhe.
“Në botë ngjasin shumë gjëra pa kuptim. Ngandonjëherë këto nuk i përshtaten aspak së vërtetës; përnjëherësh e njëjta hundë që shëtiste me gradën e këshilltarit të shtetit dhe kish bërë kaq potere në qytet, papritur, sikur të mos paskej ndodhur asgjë e gjeti vendin e saj, domethënë u fut midis dy faqeve të major Kovaliovit”, dhe krejt papritur Gogoli vendos që të mos e torturoj më personazhin e tij, duke i kthyer të vetmen gjë që dëshironte. Sikundër përsëri mbetemi me dyshime, s’do mund ta marrim vesh nëse majori Movliov zuri mend prej kësaj ndodhie, nëse e uli hundën dhe u bë një njeri më i mirë për veten e tij, një shembull për gjithë ata që e lexuan dhe përjetuan çudinë e tij. Apo ndoshta e gjitha kjo qe një shaka? Ndoshta ndodh të jetë ajo që përmenda në hyrje të ligjërimit tim, mbërthimi i një skizofrenie jo fort të rrezikshme sa për të vënë duart në kokë, dhe një lehtësim se Gogoli i ka shpëtuar asaj, aq sa t’i kuptoj broçkullat që ka shkruar me justifikimin në mbyllje të tregimit: “E pranoj se kjo është krejt e pakuptueshme, është… jo, jo, nuk e kuptoj fare”. Ajo që pothuajse çdo lexues i mençur dhe i vëmendshëm s’do mund të harroj është ai dyshimi i ethshëm, Vallë si u gjend kjo hundë brenda një buke?
"Shqip"
Add new comment