Persekutimi më i madh në historinë e Turqisë
Tentativa për grushtin e shtetit ndodhi të premten në darkë. Që nga mbrëmja e së dielës, një listë me emrat e 73 gazetarëve të arrestuar u bë publike nga një profil pro-qeveritar në mediat sociale. Emri im ishte në krye të kësaj liste. Brenda tri ditëve, 20 portale u mbyllën dhe u anulluan liçencat e 24 gazetave dhe radiove. U bastisën zyrat e gazetës “Meydan” dhe dy kryeredaktorët e kësaj gazete u ndaluan. (Ata u liruan 24 orë më vonë). Dje gazetari, Orhan Kemal Xhengiz, emri i të cilit ishte gjithashtu në këtë listë, u arrestua në aeroport bashkë me bashkëshorten e tij. Tashmë është pothuajse e pamundur që të ketë mbetur ndonjë zë opozitar në vend dhe mediat tashmë kontrollohen plotësisht nga qeveria. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është pezulluar deri në një njoftim të dytë. Retë e frikës ka kapluar vendin.
Në momentin kur gjatë kësaj jave, presidenti Rexhep Tajip Erdogan deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme për një afat 3-mujor, mendova se: “Asgjë nuk ka ndryshuar”. Si një gazetar i cili ka prodhuar dokumentarë për të gjithë grushtet e fundit të shtetit në vend gjatë dekadave të fundit, dhe që ka përjetuar vetë 3 grushtet e fundit të shtetit, e dija shumë mirë se çfarë tmerresh mund të sjellë një grusht shteti. Megjithatë, kuptova se dështimi i grushtit të shtetit do të fuqizonte edhe më shumë pushtetin e Erdoganit, duke e shndërruar atë në një tiran.
Politika e Turqisë gjithmonë ka funksionuar si një lavjerrëse; ajo lëkundet përherë nga xhamia në kazermë dhe kthehet sërish mbrapsht. Kur ajo afrohet shumë pranë xhamisë, ushtarakët ndërhyjnë dhe përpiqen ta rikthejnë sërish në kazermë. Dhe kur presioni për laicizmin nga kazermat bëhet shumë i madh, fuqia e xhamive rritet ndjeshëm. Dhe elita demokrate e mirëarsimuar, e cila qëndron në mes të këtyre dy ekstremeve, gjithmonë është pjesa më vitale e shoqërisë që e bie pre e dhunës.
Pse nuk mund të shpëtojmë dot nga kjo dilemë? Është shumë e thjeshtë për ta shpjeguar, por shumë e vështirë për ta zgjidhur. Ushtria turke, për fat të keq, ka qenë e vetmja forcë “kujdestare” e laicizmit, në një vend ku shoqëria civile nuk është maturuar kurrë, ku partitë opozitare janë të dobëta, ku mediat censurohen dhe sindikatat, universitetet dhe autoritetet lokale janë asgjësuar. Forcat e armatosura përherë kanë pretenduar që janë ata mbrojtësit e vetëm të modernizmit të vendit. Në mënyrë paradoksale, megjithatë, në çdo grusht shteti të organizuar nga ushtria, kjo e fundit jo vetëm që ka dëmtuar demokracinë, por gjithashtu ka nxitur Islamin radikal. Një skenë e kohëve të fundit në funeralin e një protestuesi të grushtit të shtetit, simbolizon në mënyrë perfekte situatën në vend. Edhe presidenti ishte i pranishëm në atë funeral. Imami lutej duke thënë: “O Zot, na mbro nga çdo ligësi, sidomos nga ligësitë e të arsimuarve”. “Amin” (“Amen”) brohoriti turma.
Pra, grushti i dështuar i shtetit i javës së kaluar, është thjesht shembulli më i fundit i luhatjeve shekullore. Por, ai gjithashtu duket se është një nga më të tmerrshmit. Gjatë tentativës për grushtin e shteti të datës 15 korrik, turmat iu përgjigjen thirrjeve të xhamive në mbarë vendin. Ata bërtitën “Allahu Ekber” (Zoti është më i madhi), ndërsa vrisnin ushtarët; tundnin flamujt turq dhe flamujt e gjelbër e Islamit, dhe bërtisnin: “Duam ekzekutime”.
Listat me emrat e të gjithë “kundërshtaarëve” të mundshëm, jo vetëm ato me emrat e gazetarëve, nisën të bëheshin publike menjëherë. Rreth 60,000 njerëz, përfshirë 10 mijë policë, 3 mijë gjyqtarë dhe prokurorë, më shumë se 15 mijë arsimtarë, dhe të gjithë dekanët e universiteteve në vend, janë të arrestuar apo pushuar nga puna, dhe ky numër vazhdon të rritet çdo ditë. Torturat, të ndaluara me ligj që prej grushtit ushtarak të vitit 1980, janë rishfaqur sërish. Ndërkohë, ka nisur fushata për rikthimin e dënimit me vdekje, i cila u hoq në vitin 2002. Kjo është “gjuetia e shtrigave” dhe perskutimi më i madh në historinë e republikës.
Çfarë do të thotë kjo? Bashkë me gjendjen e jashtëzakonshme, kjo do të thotë se pushteti legjislativ së shpejti do të neutralizohet në një shkallë shumë të madhe dhe se vendi po shkon drejt një autoriteti ekzekutiv; do të pengohet e drejta për një gjykim të paanshëm dhe të drejtë; dhe medias do t’i imponohet një censurë akoma më e fortë. Erdogani tashmë ka deklaruar se nëse parlamenti vendos në favor të dënimit me vdekje, ai do të miratojë një vendim të tillë. Nëse ai nuk po luan bllofin, kjo mund të çojë në një shkëputje të plotë të marrëdhënieve me familjen evropiane, nga e cili Turqia tashmë ndihet e përjashtuar.
Për arsye që ende nuk dihen, dhe që në fakt janë të pakuptueshme, ushtarakët që tentuan të marrin kontrollin natën e të premtes, bllokuan vetëm rrugën që të çon nga azia në Evropë; dhe të gjitha rrugëkalimet e tjera për në Rusi, Arabinë Saudite, Katar dhe Iran ishin të pabllokuara. Këtë unë e shoh si një vendim simbolik, që Turqia tashmë është e bllokuar në Azi. Dera e saj për në Europë është mbyllur.
Dhe problemet që mbeten pas janë këto. Në rregull, shpëtuam nga një grusht shteti të ushtarakëve, por kush do të na mbrojë ne nga një shtet policor? Në rregull, tani jemi të sigurtë nga “ligësitë e të arsimuarve” (cilatdo qofshin ato), por si do të mbrohemi nga injoranca? Në rregull, ushtrinë e zbrapsëm sërish në kazermat e tyre, por si do të mbrohemi nga një politikë që strehë ka xhaminë?
Dhe pyetja e fundit i drejtohet një Evrope që është e zënë me problemet e veta të shumta: a do të mbyllni sërish njërin sy dhe do të bashkëpunoni me të për shkak se “Erdogani ka në dorë çelësat e çështjes së refugjatëve”? Apo do të ndiheni të turpëruar për pasojat e mbështetjes tuaj të deritanishme dhe do të rreshtoheni në mbrojtje të Turqisë moderne?
*Kryeredaktor i të përditshmes “Cumhuriyet” (Republika), e cila njihet për qëndrimin e saj opozitar ndaj qeverisjes në Turqi.
Marre nga Shekulli
Add new comment