Natyrisht që fituan të gjithë, por jo njësoj...
Sugjerimi i Komisionerit të BE-së për Zgjerimin, duket të ketë zgjidhur ngërçin e reformës në Drejtësi. Çelësi ishte inkuadrimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetutë dhe dhënia e tij e një roli rekomandues pa detyrime ligjore. Është ndryshim SUBSTANCIAL nga drafti që i jepte ONM-së të drejta vendimmarrëse dhe kjo është e vërtetë pavarësisht se çfarë do të thonë. Kryeministri Edi Rama, njeriu që miraton çdo gjë që i thotë BE-SHBA, deklaroi sot se:
“Besoj është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, për të gjithë qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi, që tanimë e kanë marrë lajmin që PD i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë, që bashkë me shqiptarët të çojmë përpara një reformë historike që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësisë, për përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe inkriminuarve që mban peng drejtësinë në këtë vend. Dhe është kënaqësi të ndaj me të gjithë ju, tekstin e mesazhit, që unë, kryetari i kuvendit dhe kreu i opozitës kemi marrë nga BE nëpërmjet Komisionerit Hahn.
I dashur kryeministër, i dashur spiker, i dashur kryetar i PD-së, në vijim të bisedave telefonike me të tre ju, do të doja të përsërisja pikat e mëposhtme, të të quajturit propozim hibrid, të cilat i keni mbi tavolinë. Këto pika janë vijat e kuqe të komunitetit ndërkombëtar, së pari roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që duhet të ketë një bazë solide të ligjshme brenda Kushtetutës së Shqipërisë, e dyta e rinënvizoj se OnM do të bëjë rekomandime që nuk janë ligjërisht të detyrueshme. Unë besoj se ne mund të vijojmë tani mbi këtë bazë, siç e diskutuam. Ju lutem konfirmoni përmes një mesazhi që votimi të kryet nesër. Që do të thotë se falë këtyre vijave të kuqe, kjo reformë ka siguruar vijën mbrojtëse, nga çdo përpjekje për të penguar revolucionin në drejtësi”.
Ky hap përfaqëson një modifikim të propozimit hibrid të Nuland dhe me këtë rast PD-ja me LSI-në kanë marrë një konçesion jo të vogël. Ilir Meta dhe Lulzim Basha e përshëndetën letrën e Hahn duke përkrahur opsionin e sugjeruar prej tij. Edhe Presidenti i Republikës po ashtu, çka ka zyrtarizuar konsensusin mes palëve.
Vettingu mbetet e drejtë e institucioneve shqiptare dhe kjo ishte kërkuar në mënyrë eksplicite nga PD-ja dhe LSI-ja. Natyrisht, kryeministri humbi kauzën e të mirit me të keqin, pro e kundër amerikanëve, pasi reforma pritet të marrë 140 vota. Por sigurisht që ka një fitore minimale me vendet e punës që hapen nga institucionet e reja. Disa media po raportojnë një telefonatë mes Merkel dhe Bashës, që shënon një sinjal për kreun e opozitës që kaloi provën e parë të vështirë. Pas ligjit të dekriminalizimit kjo është arritja e dytë e opozitës shqiptare, e cila u dha shqiptarëve një fitore jo të vogël: çaktivizoi mundësinë që PS-ja të përdorte reformën në drejtësi si kalë beteje për zgjedhjet.
Add new comment