Incidenti, ministri i Jashtëm "non grata" në Presidencë
Presidenti, Bujar Nishani anuloi dje takimin e planfikuar me ambasadorët shqiptarët nëpër botë. Në momentin që ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zv/ministrat dhe trupa e ambasadorëve hynë në ambjentet e Presidencës në pritje të takimit me kreun e shtetit, u njoftuan pas disa minutash nga Drejtori i Kabinetit, Olsi Lase se takimi anulohej.
Shkak për marrjen e këtij vendimi mësohet të ketë qenë fakti se më herët Nishani kishte kërkuar nëpërmjet zyrës së tij të protokollit që në këtë takim të mos merrnin pjesë ministri Bushati, zv/ministrat e Jashtëm si edhe të ngarkuarit me punë në ambasadat e Shqipërisë në botë, të cilit nuk janë dekretuar prej tij si ambasadorë, respektivisht i ngarkuari me Punë në Vatikan, Visar Zhiti, si edhe e ngarkuara me punë në OSBE, Ravesa Lleshi. Ndërkohë pas incidentit, “Gazeta Shqiptare” ka mësuar se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani iu ka dërguar një SMS të personalizuar ambasadorëve të ftuar në takim ku i ka sqaruar edhe për arsyet e anulimit të takimit.
“Z…., ju falenderoj për praninë tuaj në takimin me ambasadorët në Institucionin e Presidentit të Republikës. Me shumë keqardhje u detyrova ta anuloj atë aktivitet për shkak të një incidenti shumë të rëndë që shkaktoi Ministri i Jashtëm dhe stafi i MPJ në dhunim të institucionit. Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, me respekt Bujar Nishani”, – thuhet në tekstin e SMS-së që kreu i shtetit iu ka dërguar dje ambasadorëve.
Add new comment