Reforma në drejtësi – shumë zhurmë për asgjë?

Postuar në 12 Korrik, 2016 10:01
Dr. Faruk Borova

Këto kohët e fundit po flitet shumë për një çështje të konsideruar tepër të rëndësishme. Bëhet fjalë për “Reformën në Drejtësi”. Sipas politikanëve dhe mediave, dhe pse jo edhe ndërkombëtarëve, realizimi i kësaj reforme do të bëjë të mundur që bëmat e tmerrshme që janë bërë në këta 25 vjet post komunizëm, të mos ndodhin më.

Është i njohur fakti se reforma të tilla i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë shumë shtete të cilat përfshihen në grupin e shteteve me nivel të lartë demokracie, pra nuk konsiderohet një punë e rëndomtë. Arsyeja e reformimit legjislativ, në përgjithësi, bëhet pasi me kalimin e kohës shumë ligje dalin nga funksioni, por nuk duhet harruar, se kur janë miratuar, kanë qenë të drejta dhe të dobishme për kohën.
Për momentin po e quajmë me shumë vlerë këtë nismë, pasi edhe ne shqiptarët ëndërrojmë të bëhemi shtet demokratik, pra kemi “të drejtë” të bëjmë edhe reforma. Mirëpo me këtë rast mund të shtrohen disa pyetje shumë të rëndësishme, të cilat i vijnë në mendje çdo njeriu të sinqertë, në lidhje me këtë nismë.
1. Shumë ligje te ne duhen reformuar, mirëpo shumë prej tyre, edhe kur u bënë ishin të kundërligjshme. A ka kuptim si nocion që t’i reformosh ato ligje që janë bërë me qëllim të kundërligjshëm, pra jo se u vjetruan?
2. A janë bërë bëmat në këta 25 vjet vetëm për arsye të mangësive ligjore?
3. Bëmat e derisotme, pas reformimit të sistemit të drejtësisë, do të korrigjohen apo janë të pakorrigjueshme?
Në parlamentin shqiptar, aty ku projektohen dhe miratohen ligjet, është folur e çfarë nuk është folur. Deputetët shajnë njëri-tjetrin me çfarë t’u vijë në gojë, të cilat nuk mund t’i thuhen një njeriu çfarëdo e jo më përfaqësuesit të popullit, pra “njerëzve më të moralshëm, më të zgjuar, më profesionalistë” dhe shumë e shumë virtyte të tjera. Po nuk mjafton vetëm kaq, por për akuzat që i bëjnë ata njëri-tjetrit, do duhej që gjysma e parlamentit të futej në burg, ose të akuzuarit nëse akuzat qëndrojnë, ose akuzuesit nëse akuzat nuk qëndrojnë, sigurisht nëse do të vepronte sistemi i drejtësisë.
Së fundmi, jo ngaqë i ka zënë turpi, por nga presioni i ndërkombëtarëve, po trumbetohet si një arritje e jashtëzakonshme bërja e reformës në drejtësi, proces i cili, sipas tyre, do të bëjë të mundur që çdo gjë e mbrapshtë që është bërë përgjatë këtyre 25 viteve “demokraci”, do të kthehet për mbarë. Pra, thënë ndryshe, nga errësira juridike do të dalim në dritë të plotë.

Gjatë diskutimeve të bëra, asnjëherë nuk është përmendur fakti se gjithë këto veprime të tmerrshme korruptive që janë bërë deri më sot, janë bërë për mungesë të vullnetshme të një legjislacioni të saktë, apo janë bërë për mungesë dëshire të specialistëve të drejtësisë për të dhënë vendime të drejta apo ekzekutivit, për t’i realizuar siç duhet këto ligje që kemi? Po ashtu duhet sqaruar se ato bëma që janë bërë deri tani, për moszbatim të vullnetshëm të këtij legjislacioni në fuqi, ashtu do të mbeten, duke u justifikuar se ato u bënë tashmë, dhe gjëja e bërë nuk zhbëhet?
Një shtet për të bërë punë të mira bazohet në dy aspekte. Konkretisht, disponimi i ligjeve të mira dhe njerëz të mirë, që t’i zbatojnë drejt ato ligje, dhe midis këtyre dy të mirave, nëse do të na thuhet se ‘keni të drejtë të keni vetëm njërën të mirë’, absolutisht më e mira, do të ishte që të jenë njerëzit e mirë që zbatojnë ligjet, sesa të jetë ligji i mirë.

Ja çfarë ka thënë Aristoteli i madh në lidhje me këtë ide: “Më mirë një drejtues i shkëlqyer sesa një ligj i shkëlqyer”, thënie që shpreh më së miri rolin e madh që ka njeriu në drejtimin e një shteti, apo institucioni çfarëdo. Aristoteli, 2300 vjet më parë ka thënë se është më e vlefshme për njerëzimin që një ligj jo të mirë ta zbatojnë njerëz të shkëlqyeshëm, sesa të kemi një ligj të shkëlqyeshëm i cili të zbatohet nga njerëz ordinerë.
A nuk e përforcon akoma këtë ide të Aristotelit E drejta Romake, në të cilën midis të tjerash thuhet:
Të jetosh me nder – Të mos i bësh keq tjetrit – Secili të marrë atë që i takon.
Kjo e drejtë romake ka qenë baza ligjore ku u mbështetën legjislacionet e vendeve demokratike, e cila sigurisht u plotësua më tej nga ato vende, mirëpo kjo e drejtë romake në Shqipëri, në këto 25 vjet post komunizëm është zbatuar komplet në të kundërtën, dhe ja si:
Të jetosh për partinë – T’i bësh keq atij që s’ta jep votën – Secili të marrë çka të mundet.

Këtë dua ta ilustroj me një shembull. Sado e keqe që të jetë Kushtetuta jonë, apo ligjet në përgjithësi, pra sado nevojë që të ketë ajo për t’u përmirësuar, çështja e pronës në Kushtetutën e derisotme trajtohet kështu: Prona mund të shitet, të trashëgohet ose të dhurohet. A është i qartë ky nen në lidhje me pronën dhe a ka nevojë të reformohet ky ligj? Dhe ndërkohë, a konsiderohet Kushtetuta, kryeligji nga rrjedhin ligjet? Unë dhe çdokush besoj që kjo çështje në Kushtetutë është shprehur shumë qartë, por a është zbatuar kështu ky nen? Aspak nuk është zbatuar! A thuhet diku në Kushtetutën tonë se prona mund t’i merret tjetrit, apo makar edhe prona publike a mund të uzurpohet? Aspak nuk ka një ligj të tillë! Vazhdojmë më tej. Mirë që uzurpatori bëri krim që zaptoi pronën e tjetrit, po ligji në vazhdim i legalizimit, a nuk përbën një miratim me ligj të uzurpimit? Ahere pyes: Përse ndodhi kështu në këta 25 vjet? A paska të drejtë Aristoteli kur ka thënë kështu? Jo vetëm që ka pasur të drejtë, por ai sikur ka folur për bëmat në Republikën “Demokratike” të Shqipërisë pas 2300 vitesh, pra në vitet 1990-1997 e më tej, ndoshta sepse e ka pasur për zemër vendin tonë si komshi që kemi qenë. Po mirë, ne sot nuk jemi në gjendje të gjejmë njerëz të shkëlqyeshëm për t’i zbatuar ato ligje ashtu siç janë shkruar, apo ne shqiptarët jemi të gjithë ordinerë? Të dashur politikanë, të “demokracisë” post komuniste. Në Shqipëri ka kaq shumë njerëz të shkëlqyer sa juve nuk jua merr mendja, por ju nuk i doni ato. Para se të bëni ligje të reja, pra të reformoni ligjet ekzistuese duhet të reformoheni vetë ju, në mënyrë që në krye të shtetit, të drejtësisë apo të çdo institucioni të vini njerëz të shkëlqyeshëm. Nëse nuk do të veproni kështu, me këtë reformë që ju doni të bëni nuk do të ndodhë asgjë për mirë, dhe këtë do ta kuptojë edhe komuniteti ndërkombëtar, se kjo reformë që ju doni të bëni në drejtësi, do të jetë si të gjitha punët që keni bërë në këto 25 vite post komuniste, pra një vepër post komuniste ordinere aspak demokratike dhe, e thënë shqip, një vërë në ujë. Demokracia që trumbetohet nga politika jonë është jo larg këtyre punëve që bëni ju, por është 180 gradë në të kundërtën.

Pra, para se të reformoni ligjet, gjeni njerëzit që do t’i zbatojnë këto ligje në drejtësi dhe ekzekutiv, duke filluar – siç u tha më sipër – me reformimin tuaj. Këtë reformimin tuaj që po e përsëris, e kam të mbështetur edhe në aspektin gjuhësor, të gjuhës angleze, që përdorin të gjithë diplomatët që vijnë në Shqipëri, përfaqësues të shteteve të tyre demokratike. Po të shikoni në fjalorin e gjuhës angleze kuptimin e fjalës “reformë” (gjuha e diplomacisë), do të thotë:

Reform – (to reform) – make or become better by removing or putting right what is bad or wrong. Reform oneself, a reformed man etc. etc. Pra, kuptimi është: Të bësh ose të bëhesh më i mirë, pra edhe veprore, edhe pësore.
Sugjerimi im është që nocioni “REFORMË” të fillojë të zbatohet nga mënyra – PËSORE. Arsyeja është sepse ligjin, edhe të keq, njeriu i mirë e zbaton mirë, pasi gjen shtigje të moralshme për ta zbatuar drejt, sepse çdo ligj apo Kushtetutë është formuluar mbi bazën e një morali, ndërsa ligjin edhe të mirë, njeriu ordiner e zbaton keq. Kështu, do t’i sugjeroja atij parlamenti, që më parë të ishte reformuar vetë me kohë sesa të përpiqet gjoja të reformojë ligjet, sipas shpjegimit që dhashë më sipër. Nëse dikush do të thotë se këtë që po them unë, parlamenti e ka parashikuar me ligjin e dekriminalizimit, unë po i them se kjo nuk ka aspak lidhje me këtë, pasi nuk bëhet fjalë për kanosje me armë, apo grushte në parlament, apo ndërrim emri, pra jo për etikë prezantimi, pasi populli, në radhë të parë, ka nevojë për “etikë” të përmbajtjes dhe zbatimit të ligjit dhe zbatimit të tyre, që t’i shërbejë atij dhe jo t’u shërbejë disa njerëzve rrotull politikës.

A i bën përshtypje komunitetit ndërkombëtar – sepse për ta ditur, ata e dinë – se shumica e këtyre anëtarëve të parlamentit shqiptar (shqiptarët e dinë shumë mirë këtë fakt), kur hynë në parlament nuk kishin asnjë lloj pasurie dhe tani kanë pasuri aq sa nuk e dinë edhe vetë se sa kanë? Po pse, ligji i keq i bëri këta kaq të kamur? Le të na thotë një anëtar i këtij parlamenti se nëpërmjet cilit ligj “të ashtuquajtur të keq” dhe që u dashka reformuar, këta anëtarë u bënë të stërpasur! A ka ndonjë ligj që thotë se deputeti, ministri, kryeministri apo edhe presidenti lejohen të përlajnë (mos të themi fjalën ‘të vjedhin’). Nëse ka një ligj të tillë, të gjithë do ishin dakord që ta zëvendësojmë, pra ta reformojmë, por nëse nuk ka, ahere i bie që të dëgjojmë Aristotelin, që të gjejmë njerëzit e shkëlqyer, por se me këtë përbërje të parlamentit dhe me këtë mefshtësi të frikshme të popullit, ne do të reformojmë në çdo çerek shekulli ligjet (sepse tani erdhi koha të flasim me shekuj), ndërsa njerëzit do flenë gjumë…për shtatë palë qejfe. Kështu, duke ndryshuar ligjet, parlamenti “e bën punën e vet” dhe njerëzit të tyren. Lum ky vend dhe ky popull që qëndron në këmbë deri tani, pasi Aristoteli i ka bërë të qarta se si bëhen punët e mira! Po ashtu edhe Faik Konica e ka parashikuar para 70-80 vjetësh se çfarë do të ndodhë dhe pse do të ndodhë në Shqipëri kur ka thënë: “Shqipërinë e lindi Zoti, e shpëtoi rastësia dhe do vdesë nga POLITIKA”. Pse e ka gjetur Konica këtë të vërtetë, pasi ai nuk ishte profet. Ai e gjeti se, duke qenë njeri i mençur, e kishte njohur me saktësinë më të madhe mentalitetin e popullit tonë, dhe si rrjedhojë politika do ishte pjellë e këtij populli dhe do gjykohej nga ky popull…. Mjerë ky vend i mrekullueshëm, sepse ky popull kaq e meriton!

Dikush nga këta politikanë mund të thotë se shtetet mike e miratojnë nismën për reformën në drejtësi, si dhe dekriminalizimin e parlamentit tonë. Është e vërtetë që ata e kanë miratuar një nismë të tillë, por populli shqiptar akoma mendon se punët tona (jo ligjet) duhet të na i bëjnë të huajt, pra të vijnë prokurorë, gjykatës, ministra e deri president nga SHBA-të. A e pranoi ky popull që sistemi diktatorial të përmbysej kështu, duke dalë gjysma e anëtarëve të PPSH kundër PPSH? A i ka zgjedhur ky popull deputetët tanë në këta 25 vjet? E çfarë duhet të bëjnë ndërkombëtarët më tepër kur thonë: Zgjidhni deputetë të pakorruptuar! Populli shqiptar në vitet pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, priste që të vinte Amerika që të shkulte komunizmin te ne. SHBA-të të mbështesin, nëse ti si popull lëviz, ndërsa populli shqiptar kërkon që punët t’ia bëjnë të huajt…dhe në këtë situatë ata vetëm na miratojnë atë që duket për mirë dhe kaq…. Çfarë të bënte më shumë ambasadori i SHBA-ve, z. Arvizu, kur i thoshte popullit shqiptar: ACT NOW?! Po kush të vepronte, populli shqiptar?!

Ja sa mirë e ka përkufizuar Kenedi, qëndrimin indiferent të një populli ndaj situatave, siç ka qenë në Shqipëri, gjatë këtyre 25 viteve:
“E vetmja gjë që i hap udhën triumfit të së keqes, është pasiviteti i njerëzve të mirë”.
“Pse nuk kemi arritur akoma në demokraci?” – mund të pyesë dikush. Të gjithë popujt e kërkojnë demokracinë, por nuk e arrijnë të gjithë, dhe arsyen përsëri e ka dhënë Kenedi në fjalimin e tij në Irlandë: “Demokracia është një mënyrë të qeverisuri jo e lehtë. Kërkon cilësi të larta, vetëdisiplinë, vullnet për të sakrifikuar për interesin e përgjithshëm, dhe gjithashtu kërkon njohje dhe dituri”. A i kanë deputetët tanë këto cilësi? Aspak nuk i kanë, dhe sidomos vullnetin për të sakrifikuar për interesin e përgjithshëm…. As që duhet çuar nëpër mend, pasi kohën e mbushin vetëm duke sakrifikuar për vete, familjen dhe njerëzit e tyre….
Pra si konkluzion mbetet që shumica e këtyre deputetëve të largohen me votë, pasi në politikë ata le të rrinë në partitë e tyre, nëse ato parti do t’i mbajnë. Në të kundërtën, le të vazhdojmë, se mirë e kemi duke “reformuar” ligjet çdo 25 vjet dhe të ankohemi nëpër kafene për parlamentin, drejtësinë dhe qeverisjen…
Në vijim Kenedi ka shtruar këshillën e tij historike: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”. A ka menduar vallë ndonjë deputet se çfarë mund të bëjë për vendin dhe popullin e tij? A mund të ketë ndodhur ndonjëherë që në një bisedë midis tre-katër deputetëve njëri të jetë i moralshëm dhe t’u thotë të tjerëve këtë thënie të Kenedit?!

Pra, detyrë kryesore mbetet që partitë politike të gjejnë njerëz të devotshëm për popullin, dhe mandej duhet që vetë populli të ndërgjegjësohet që të votojë për ata njerëz që janë të vlefshëm për të. Vetëm kështu do të ketë mundësi të bëhet ky vend. Në të kundërtën, edhe ligjet më të mira të botës të ketë ky vend, e jo më Byro Kombëtare Hetimi(made in Albania) të bëjë dhe të miratojë ky parlament, punët do të mbeten aty ku janë. Në vijim do t’i drejtohesha edhe Komunitetit Ndërkombëtar që interesohen për mbarëvajtjen e këtij vendi, që në reformë të insistohet që të merren parasysh me ligj edhe zhdëmtimet e bëra në këta 25 vjet kryesisht në lidhje me pronën dhe të persekutuarit. Pse vallë, nuk e dinin deputetët e të gjitha krahëve se çfarë rrënimi do t’u sillte jo vetëm pronarëve, por të gjithë vendit ligji 7501? Sigurisht që e dinin! Po pse, shtetet demokratike reformat i bëjnë për të ndryshuar ligjet e mbrapshta që i kanë bërë me qëllime të mbrapshta? Po ligji i legalizimit të vjedhjeve, a nuk duhet reformuar? Sigurisht që po, pasi, a ka ligj më skandaloz?!

Duke përfunduar, do t’u sugjeroja të gjithë shqiptarëve që janë përballur me vendime antiligjore nga drejtësia apo edhe me veprime korruptive nga institucione të tjera, duke mos zbatuar vendimet e gjykatave, të drejtohen në prokurori edhe duke i botuar në media këto akuza, që të kuptohen me fakte konkrete edhe nga ndërkombëtarët se çfarë kanë bërë këta politikanë apo deputetë, apo gjykata, në moszbatim të ligjeve aktuale me të cilat këta ndërkombëtarë diskutojnë çdo ditë se si ta përmirësojnë situatën në Shqipëri, situatë që këta e kanë krijuar vetë me qëllim përfitimi. Të shohim se ç’do të ndodhë! Ka njerëz që besojnë për mirë, por ka edhe nga ata që nuk besojnë se do të ndodhë diçka për mirë, duke e krahasuar Reformën në Drejtësi me thënien: “Shumë zhurmë për asgjë”. Urojmë të mos jetë kështu dhe të bëhet më e mira!

"Gazeta Shqiptare"

Comments

Submitted by Cen durimadhi (not verified) on

Me kete kodosh reforme, kemi dy vjet qe jemi lodhur.
Zoteria qe e ka shkruajtur, ka bere mire, por e ka shkruajtur shume gjate e nuk ka bir kurve, qe te shkaterroje nervat, e te lexoje deri ne fund, ate qe do te thote ky autor.
Shume i gjate.
Me te shkurter, me koncize.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.